Edi Rama: Fitoren në Tiranë nuk e luan topi!
“Kurrë më parë nuk janë shpenzuar kaq shumë para në një palë zgjedhje.. Në Tiranë rezultati është deformuar shumë rëndë, do të duhet ca kohë për të analizuar gjithë sa ndodhi. Ata që kërkuan prej meje në mënyrë të përsëritur pranimin e rezultatit duhet ta bëjnë këtë për veten e tyre sot me kurajo…”
Në një intervistë dhënë dje kryeredaktorit të “Shekullit”, Adrian Thano, lideri i opozitës, Edi Rama, thotë se “do të duhet ca kohë, për të analizuar e reflektuar gjithë sa ndodhi në zgjedhjet për Tiranën, ku padyshim rezultati është deformuar rëndë”.
I pyetur lidhur me qëndrimet e ndryshuara të PD-së, për sa i përket procesit të numërimit të votës në Tiranë, Rama tha se nuk pret që “fitoren t’ia konfirmojë Saliu”.
Lidhur me tensionin e ri të krijuar orët e fundit nga këmbëngulja e Berishës për të mos njohur rezultatin e numërimit të votave në kryeqytet, Rama thotë se ky shqetësim ka si shkak degjenerimin e institucioneve. “Por nuk besoj se gjenden të verbër të atillë që të marrin përsipër ta përmbysin në tavolinë këtë fitore legjitime pa marrë parasysh pasojat e rënda të një marrëzie të këtij lloji”, – thotë Rama, në këtë intervistë për “Shekullin”.
Zoti Rama, për ditë të tëra Shqipëria mbajti frymën pezull dhe shumë njerëz janë ende të habitur, si u kthye beteja për Tiranën në një betejë që u vendos në kutinë e fundit?
Do të duhet ca kohë, për të analizuar e reflektuar gjithë sa ndodhi në zgjedhjet për Tiranën, ku padyshim rezultati është deformuar rëndë, shumë rëndë, nga një sërë faktorësh.
Sot për sot ka rëndësi thjesht dhe vetëm fakti që, falë masës së pazakontë të qytetarëve që dolën në votim për mua, u zmbraps një stërfuqi aleancash të pa ndodhura ndonjëherë dhe parash të pashpenzuara kurrë më parë në ndonjë palë zgjedhje.
Në fjalën tuaj para mbështetësve në përfundim të numërimit në Njësinë 5, ju përmendët për veten fjalën “reflektim”. Çfarë keni parasysh ju me këtë?
Unë nuk e di sa dhe si do të mundem t’ua shpërblej me punën time atyre që me votë shpëtuan Tiranën tonë nga një rezultat siç thashë i deformuar rëndë që nuk prezanton vullnetin e kryeqytetasve. Por unë di me siguri që eksperienca e këtyre zgjedhjeve, si edhe fitorja me vetëm 10 vota janë për mua një thesar mësimesh të vyera për t’i bërë shumë më mirë se deri më sot detyrat e mia, qoftë në PS, qoftë në krye të Bashkisë.
Z.Rama, çfarë keni ndjerë personalisht gjatë atij numërimi në TV?
Nuk e humba për asnjë moment besimin… Nuk humba besimin se atë që s’e bënim dot ne për të zmbrapsur stërfuqinë që bëri ç’deshi me pushtetin e frikës, parasë, medias pro-qeveritare, manipulimit, – mund ta bënte në fund populli – zot me votën e vet masive. E besova këtë gjë deri në fund. Dhe diçka fantastike, sa e kuptueshme aq edhe e pashpjegueshme me fjalë, ndodhi. Një magji e demokracisë!
Si Berisha, si kandidati i tij në Tiranë, Basha, gjatë gjithë procesit të numërimit, bënë thirrje të përsëritura që humbësi sipas tyre të pranonte rezultatin e numërimit, madje, Berisha e quajti procesin e numërimit “më të saktin në botë”. Dukeshin çuditërisht të sigurtë në fitore.. Por sot ata flasin sot për rinumërim dhe hapje kutish. Ju ende nuk i keni dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë qëndrimeve të tyre dhe këtij ndryshimi qëndrimesh sot…
Unë jam i lumtur për fitoren historike të Partisë Socialiste dhe “Aleancës për të Ardhmen” në zgjedhjet e 8 majit. Unë nuk pres ta njohë Saliu këtë fitore dhe as e bën më pak të kënaqshme për ne, fakti që Saliu nuk e njeh.
Edhe për Tiranën?
Sa për Tiranën, fitorja është e jona, s’e luan topi. E panë miliona sy drejtpërdrejtë përmes ekraneve. Vota u numërua botërisht..
Por ka një tension të ri tashmë. Ka një shqetësim të madh te votuesit e majtë…
Shqetësimi vjen nga degjenerimi i institucioneve. Por, pavarësisht degjenerimit të institucioneve që kemi sot, nuk besoj se gjenden të verbër të atillë që të marrin përsipër ta përmbysin në tavolinë këtë fitore legjitime pa marrë parasysh pasojat e rënda të një marrëzie të këtij lloji.
Çfarë do të ndodhte, sipas jush, nëse ndodh një gjë e tillë?
Nuk e uroj kurrë, për të mirën e të gjithëve. Madje, s’është nevoja të merremi më se çfarë mund të ndodhte në rast të një dhunimi kaq të papërfytyrueshëm të zgjedhjeve. Këtë besoj e kanë të qartë të gjithë, përfshirë edhe Saliun! Shqipëria nuk ka minuta dhe as shanse të tjera për të humbur.
Siç e përmenda në deklaratën time publike sot, e ardhmja jo e shkuara, e nesërmja jo e djeshmja, çfarë na bashkon jo çfarë na ndan, mirëkuptimi jo sherri, vendi ynë i përbashkët jo interesat e sinorëve të politikës së vjetër, duhet të ndriçojnë sot arsyen e kujtdo që merret me politikë.
Shqipëria e shqiptarët meritojnë më shumë, shumë më shumë, sesa një proces zgjedhor si ky që së fundmi ka hyrë në agoninë artificiale ku e ka futur pushteti prej vështirësisë së kuptueshme për të gëlltitur humbjen përvëluese.