E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: Imuniteti? Nuk do nxitohemi të ndërhyjmë në Kushtetutë siç bëmë katër vite më parë

Share

Kryetari i PS thotë se imuniteti është një çështje e lidhur me reformën në drejtësi. Ai shton se me presidentin e zgjedhur nga mazhoranca, gjykatat e larta dhe prokuroria do bien në duart e qeverisë. Ndërkohë nisma e PD për imunitetin do votohet më 6 gusht

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të opozitës, deklaroi se ata janë për heqjen e imunitetit, por nuk do ndërhyhet në Kushtetutë duke u nxituar, siç u bë katër vjet më parë.

Çështja e imunitetit është kthyer në pikën kryesore të debatit. As unë dhe as edhe një nga deputetët e PS nuk është fshehur pas imunitetit kur është kërkuar. Rasti i fundit është ai i deputetëve Doshi, Balla e Bare. Propaganda se ne jemi kundër heqjes së imunitetit, është e pështirë. Berisha është kapur pas kësaj historie si i mbyturi pas fijes së barit. Në të vërtetë në Shqipëri ka vetëm një këshill miliarderësh dhe ai është këshilli i ministrave, që ka kapur drejtësinë që u jap pafajësi pas pafajësi ministrave edhe kur faji i tyre bën mu, tha Rama.

Për temën e imunitetit unë e bëj të qartë se PS nuk do të ndërhyjë më asnjëherë në Kushtetutë me nxitimin e katër viteve më parë, vijoi kreu i PS.

Rama hodhi dyshimet se drejtësia nuk është në gjendje të prodhojë procese të ndershme për deputetët në kushtet e një presidenti të njëanshëm.

Sot jemi në kushtet kur arbitrarisht spikerja e Kuvendit mban peng prej kohësh propozimet e presidentit për në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, që presidenti i zgjedhur të bëjë emërimet që i shkojnë për shtat këshillit të miliarderëve.

Këto dy gjykata janë bërë gjykatat e pafajësimit të pushtetit, tha Rama.

Nuk mund të na bindë dot askush se për të forcuar luftën kundër korrupsionit na u dashka një arnim shpejt e shpejt, qorrazi kundër Kushtetutës së Shqipërisë. Na duhen gjykata që përfaqësojnë vullnetin e të gjithëve, jo vetëm vullnetin e një partie. Ajo çfarë na dallon ne është se Saliu di vetëm të arnojë dhe saldojë, pasi kurrë nuk ka pasur një vizion për shtetin që u duhet shqiptarëve. Ndërsa ne dimë të projektojmë dhe të ndërtojmë.

Sipas kreut të PS, çështja e imunitetit nuk duhet parë e shkëputur nga reforma në drejtësi.

Rama iu përgjigj sërish Berishës për çështjen e deputetëve sipërmarrës brenda PS.

Dua që gjithë shqiptarët ta kuptojnë se ajo që bën Berisha çdo ditë është një lojë. Në këtë grup parlamentar nuk ka asnjë deputet që ka interes vetjak për të mbajtur imunitetin. Jemi krejtësisht pa imunitet.

Berisha tenton të krijojë një perceptim se këtu bëhet fjalë për një grup miliarderësh që kanë interesa të errëta. E vërteta është se këta deputetë, të cilët janë ofruar si përfaqësues të komuniteteve ku kanë marrë votat, vijnë nga sipërmarrja, por jo nga ajo pjesë e sipërmarrjes që është bërë e suksesshme falë lidhjeve me këshillin e miliarderëve në qeveri. Ata kanë qenë të detyruar të përballen me presionin e këshillit të miliarderëve në qeveri. Ky presion e shantazh nuk është shprehur vetëm në format e zakonshme, por edhe në kosto për sipërmarrjet e tyre. Kosto të rënda, të cilat këta deputetë kanë marrë përsipër ti paguajnë pasi janë besnikë të mandatit dhe bindjeve të tyre.

Nuk është turp të jesh sipërmarrës, por turp është të jesh politikan që politikën e bën sipërmarrje, tha Rama.

Dua ta mbyll me këtë fjali: askush të mos mendojë se PS do ndërhyjë në Kushtetutë me nxitimin që ndërhyri katër vjet më parë. Ajo që e dallon një forcë të pjekur nga një forcë aventurash është se bën gjithmonë gabime të reja, jo gabime të përsëritura.

Ndërkohë Konferenca e Kryetareve vendosi që nisma e PD-së për heqjen e imunitetit, përmes ndryshimeve në Kushtetutë, të votohet në këtë sesion parlamentar, në seancën plenare të 6 gushtit.

Konferenca e Kryetareve vendosi sot që më 20 korrik të mblidhet Këshilli Legjislativ dhe një ditë më pas të zhvillohet mbledhja e konstitucionalistëve për ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Më pas këto ndryshime do të votohen në Kuvend më 6 gusht.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›