E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka paqe në PD

Share

Dy deputetë demokratë, Mark Marku dhe Selami Xhepa formulojnë kritika për qeverisjen dhe aleancat e PD-së. Një bërthamë e heshtur me të tjerë deputetë gati për të shpërthyer, por që mendohet se do të vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje. Problemi i grupit në PD, disa të nënës, të tjerë të njerkës. Çfarë paralajmëronte dy muaj më parë Astrit Patozi dhe si përgjigjet sot Sokol Olldashi

Nga Lorenc Vangjeli

JAVA

Deputetët Marku dhe Xhepa janë të vetmit që kanë folur, por nuk janë të vetmit që mendojnë në të njëjtën mënyrë. Në heshtje, edhe shumë të tjerë mendojnë si ta, por herë për konformizëm, herë për pasiguri dhe herë për mungesë kurajoje, ata nuk flasin publikisht për pakënaqësitë e tyre dhe çfarë mendojnë se nuk po shkon si duhet në këtë vit elektoral, i fundit i mandatit të dytë qeverisës të PD-së. Njohës të mirë të funksionimit të Partisë Demokratike, të përfshirë politikisht në të dhe të afërt politikisht me të, e konfirmojnë dhe e shpjegojnë si një realitet të njohur, të pranuar në heshtje, por të mbajtur në heshtje, faktin që në grupin parlamentar të forcës më të madhe në pushtet ka kohë që pakënaqësitë janë të dukshme. Përtej suprinës së fjetur, brenda ujërat janë të turbullta. Kryesisht pakënaqësitë janë të lidhura me formulën e përfaqësimit në qeveri dhe me një distancë gjithmonë e më të madhe që antarët e kabinetit qeveritar kanë krijuar nga pjestarët e tjerë të grupit parlamentar. Ngjan se deputetët e maxhorancës janë të ndarë në tre klasa, ministrat, një pjesë deputetësh aktivë dhe një pjesë tjetër që thjesht është e shënuar në borderotë e financave të Kuvendit. Me ministrat mund të takohesh vetëm nga ekrani i televizorit ose të hënën e detyrueshme kur Berisha bën mbledhjen e grupit parlamentar. Disa nga ta janë tërësisht të shkëputur nga jeta politike e zakonshme dhe madje, nuk reagojnë më as kur bëhen tabelë sulmesh nga opozita. Mjafton të shohësh edhe shmangien e tyre pothuaj totale nga debatet politike, në të cilat as nuk dinë çfarë të thonë dhe as nuk duan të thonë më gjë. Protagonizmi absolut i kryeministrit dhe tërheqja e tyre në indiferencë kanë rrudhur në maksimum hapësirat për gjithë të tjerët, thotë një deputet i PD-së, që preferon të jetë i pacituar me emër. Ai madje nuk pranon as të pohojë dhe as të mohojë një listë deputetësh të pakënaqur, por thotë se shumëkush, për arsye nga më të ndryshmet, ka shkak për pakënaqësi. Florian Mima, Gent Strazimiri, Ilir Rusmajli, Lajla Përnaska, Edi Paloka, Bardhi Kadilli, Enkelejd Alibeaj, Mesila Doda, Leonard Demi, janë disa nga emrat e grupit që duket se pretendojnë më shumë se të qënit një deputet në listë. Disa nga ta, në një mënyrë apo një tjetër, edhe e kanë shprehur këtë pakënaqësi, të tjerë e kanë provuar të jenë pjesë e qeverisjes, por janë larguar. Megjithatë, është ende herët të gjykohet nëse ata do të ndjekin pas linjën e kritikave të dy kolegëve të tyre Marku dhe Xhepa; me të gjitha gjasat jo edhe për shkak të përpilimit të listave të kandidatëve për deputetë në vitin e ardhshëm.

Marku dhe Xhepa

…duke ndenjur kaq gjatë, konsumohesh. Një parti nuk mund tu drejtohet vetëm militantëve, sepse nuk e mban dot pushtetin apo duke iu drejtuar një koalicioni. Nuk jam për koleksion figurash. Nga mosbashkimi i së djathtës tradicionale dhe asaj moderne, bashkë me të qendrës, PD nuk mund të fitojë. Është në pushtet me ndihmën e një partie të majtë. Ndaj, të rivitalizohet për të fituar një mandat të tretë, thotë Mark Marku me një fjalor befasues për deputetët e PD-së. Dhe për më shumë, kur vjen rradha tek aleatët, gjuha e tij ashpërsohet edhe më tej: Eshtë një parti e shantazhuar dukshëm nga LSI. Kjo u pa dhe me ndryshimet në qeveri, sikur LSI kishte një qeveri më vete dhe PD një qeveri tjetër më vete. Kjo nuk është logjike. Në një qeveri nuk mund të ndryshosh 4 ministra, një tjetër dy ministra dhe ty të lë me 5 ministra. Kjo nuk ka llogjikë…, thotë ai.

Në prag të zgjedhjes së kandidaturave për Presidentin e Republikës, Marku është cituar nga shtypi të ketë kërkuar nga Berisha nëse PD kishte apo jo emra që do të kandidinte. Media e konsideroi pyetjen e Markun si kryengritje në një parti ku si rregull Berisha i di dhe i vendos të gjitha, por ai vetë, e minimizoi rolin e asaj çfarë kishte thënë duke e konsideruar thjesht si një pyetje normale. Këtë javë ai shkoi edhe më tej. Më tepër në kuptimin e termave të përdorur sesa të kumtit që do të jepte. Duke u kujdesur për të treguar luajalitet deri në fund ndaj PD-së, duke shmangur çdo keqinterpretim se qëndrimi i tij mund të ishte frymëzuar nga interesa vetjake, ai foli deri edhe për një rithemelim të PD-së. në të vërtetë, Marku, edhe sipas kolegëve të tij, nuk ka ambicje për post të mundshëm qeveritar.

Në të njëjtën linjë shkon edhe deputeti i Dibrës Selami Xhepa, i cili edhe më parë ka pasur deklarata të forta për situatën e krijuar në minierat e kromit në qarkun e tij. Duke folur për kabinetin qeveritar ai thotë: Ka një topitje të reformave. Ka sigurisht një lodhje, ndoshta nga reformat ose nga ecja përpara e këtyre reformave. Sigurisht, ka një tkurrje në aktivitetin e administratës publike. Do ishte më i dobishëm një riformatim, një rikompozim, pasi gjithmonë rikompozimet e qeverisë janë momente të rëndësishme të një mobilizimi pozitiv, për një lloj dinamizmi më të madh.

Konteksti i deklaratave të Xhepës ka një bazë reale. Në qeverisjen e PD-së ka tentativa për reformim të drejtimit administrativ, por jo më ambicje dhe veprim politik, komentojnë njohës të kësaj partie. Për më tepër, një numër deputetësh të tjerë, gjithmonë deri përpara zgjedhjes së Presidentit, kanë theksuar nevojën e ndryshimeve në qeveri. Edi Paloka, për shembull ka qenë aktiv në mars e prill të këtij viti për këtë temë. Mbas tij, edhe deputetë të tjerë me një profil më të ulët se ish-gazetari i dikurshëm Paloka. E përbashkëta e të gjithë atyre deklarimeve, megjithatë, ka qenë fjalia që nuk mungonte në asnjë rast: ndryshimet në qeveri i vendos kryeministri! Një e vërtetë kushtetuese dhe një e vërtetë edhe më shumë se vetëm e tillë sa kohë që bëhet fjalë për Berishën dhe Partinë Demokratike.  Megjithatë, mbas largimit të zotit Nishani në Presidencë, Berisha bëri vetëm një lëvizje të detyruar në qeveri. Duke dhënë një dëshmi tjetër të pafuqisë së tij për të ushtruar fuqinë e tij të padiskutuar brenda PD-së. Pikërisht për shkak të ekuilibreve të brishtë në parti dhe rrymave të ndryshme brenda saj. Pikërisht për shkak të pamundësisë së tij për të ndërhyrë dhe ndikuar në këto ekuilibre që i ka krijuar po vetë apo dhe janë krijuar nën hijen e tij. Mbi të gjithë, përfshi edhe vetë Berishën, qëndron hija me plot të panjohura për të nesërmen e PD-së, sidomos në rastin kur ajo nuk rikonfirmon pushtetin për mandatin e tretë rradhazi. Nën këtë hije bëhen të gjitha kalkulimet e tjera, afrimet dhe largimet, dashuritë dhe urrejtjet politike brenda partisë me dy dekada jetë.

E para ishte heshtja, Presidenti

Dy kanë qenë valvolat që i kanë mbajtur në heshtje rezervat brenda llojit, zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe ndrys

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›