E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e mbushur me lojtarë të dorës së dytë



Pas festimit të njëvjetorit të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, si dhe pas atyre fjalëve tejet lartësuese për arritjet e mëdha, për baballarët e pavarësisë, për zhvillimet e vrullshme kinse ekonomike, pastaj për premtimet e ardhshme për një Kosovë më të mirë se kjo e para një viti, nuk janë gjë tjetër vetëm një retorikë e rrejshme dhe një vazhdimësi e proceseve të çoroditura të lidershipit (të verbër) të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

T’ia japësh madhështinë vetëm një dite duke harruar një histori të tërë përpjekjesh të kombit shqiptar për t’u stabilizuar dhe për t’u bërë një grusht i vetëm në një vend të vetëm që edhe vetë Perëndia ia ka dhuruar këtë hapësirë të rëndësishme do të thotë t’i mohosh një sërë përpjekjesh nga e kaluara jonë. Kosova si e tillë nuk ka lindur me 17 shkurt as s’ka lindur dje e as para shumë vitesh ajo ka lindur në thellësi të shekujve ajo ka pasur një histori dhe e ka ende, ajo histori quhet histori e vetë kombit shqiptarë dhe identitetit të tij historik të determinuar në lashtësi.

Megjithëkëtë, duhet cekur se 17 shkurti i vitit që kemi lënë pas para së gjithash është një aksident i rëndësishëm dhe një akt i dhënë në kohën e duhur proceseve që janë krijuar në fundshekullin që lamë pas dhe shekullin që jemi, duke ditur se Ballkani tani ka marrë një formë të re dhe ne gjithsesi se mund ta kuptojmë këtë akt. Pastaj duke ditur se Evropa është një sistem vlerash të larta civilizuese dhe se të gjithë shtete janë të thirrura t’i bëhen partner serioz kjo është më se e kuptueshme.

Por ne duhet ditur edhe këtë, se Kosova dhe tërë kombi shqiptar ishin që nga lashtësia dhe janë vetë pjesë e natyrshme e Evropës së bashkuar dhe kjo është një fakt historik i pakontestueshëm. Sidoqoftë, mund të shohim sot se si shteti i mbikëqyrur i Kosovës ka probleme me vetveten, ajo është zënë rob nga përgjumja dhe mbyllja e hapësirës për një shtet juridik dhe të një stabiliteti të qëndrueshëm ku të gjithë do mund ta konsiderojnë Kosovën si një vend që mund të jetohet dhe të kontribuohet së mbari, për një të ardhme të sigurt dhe të qartë.

Në Kosovë ekzistojnë paradokse të habitshme ku njeriu mund të dyshojë se vërtet Kosova është duke u bërë një shtet i vërtetë apo një lloj i shteteve të cilat kurrë nuk kanë arritur të mësojnë sistemin e ndërtimit dhe formën e shtetit demokratik si dhe atij juridik apo të thuash një “shtet lodër” i çuditshëm.

Kosova është mbushur me lojtarë të dorës së dytë dhe me lojtarë që më shumë kanë dëshirë të shíjojnë se si Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë strehë e pasigurt dhe një shtet i pakuptueshëm, ngase akoma kemi lojtarë që nuk kanë aspak dëshirë që Kosovën ta largojnë njëherë e mirë nga robëria e vullnetit të politikave të tyre të sëmura nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi i sistemit institucional të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës.

Nuk mund të themi se në Kosovë kemi tani pas pavarësisë një këputje zinxhirësh nga keqmenaxhimi dhe keqndërtimi i sistemit demokratik shtetëror, jo të qëndrueshmërisë së proceseve të brendshme, jo zhvillimi ekonomik apo më mirë me thënë asnjë hap nuk është bërë në këtë drejtim, pasigurisë etj., etj., etj.

Sa lojëra fjalësh janë duke bërë pushtetarët tanë këto lojëra ata i kanë mësuar para se të marrin pushtetin, ata si duket ende mendojnë që pluhurin t’ia hedhin sërish syve popullit dhe se populli i Kosovës për ta është mësuar të bartë gjithçka apo më mirë të thuash populli është bërë “si gomari që bart samarin”.

Por jo gjithçka është e tillë, ka zëra të ndryshëm që çojnë ujë në mullirin e lirisë së plotë të popullit të Kosovës dhe ky ujë gjithsesi se do i marrë para vetes edhe këta liderë të verbër e hijerëndë, duke ditur se shteti nuk ndërtohet duke u pasuruar në kurriz të popullit dhe as duke gënjyer atë gjithmonë. Kjo që bëjnë pushtetarët është një maskë e tmerrshme robërie që zë fill tek veset dhe sëmundjet e ndryshme të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, tek gjumi i përjetshëm në zyrat e tyre dhe pallatet e tyre shtetërore, ata janë duke luajtur me vullnetin e popullit me dëshirat e tij të sinqerta, për jetën e tyre më të sigurt, për sociabilitetin, për ekonominë e tyre ekzistenciale, për një mirëqenie të tyre më të mirë e jo kështu siç mendojnë pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës etj.

Si duket, pushtetarët e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës janë duke e konsideruar Kosovën dhe popullin e saj si një kopsht allafrënga ku ata mund të mbjellin çfarë të duan dhe të korrin sa të duan e çfarë të duan, pastaj ata (pushtetarët) janë duke e konsideruar Kosovën si një vend ku ngutja për t’u pasuruar është bërë një mjet i rëndësishëm brenda sistemit shtetëror ku ata mund t’i shijojnë edhe pallatet mbretërore-cezariane.

Pushtetarët siç duket, po e konsiderojnë shtetin e mbikëqyrur të Kosovës si “tabula rasa” apo “kartë të bardhë” ku ata mund të shkarravitin si t’i dojë qejfi apo më mirë si në kohën e komunizmit në Shqipëri, motoja e tyre ishte kjo: “Rrëno, ndërto dhe ndërto, rrëno …” Sa gjë e tmerrshme dhe sa sfidë e rëndë për popullin që sheh se si dhe në ç’shkallë mendjemadhësie kanë arritur pushtetarët sa që po e konsiderojnë vendin e tyre si një fushë të një rëndësie të veçantë për interesat e çastit e jo si të një rëndësie të tanishmes dhe të së ardhmes së sigurt për të gjithë.

Dhe krejt në fund sigurisht që heqja qafe e këtyre sëmundjeve nga institucionet shtetërore kërkon kohë dhe angazhim maksimal në drejtim të vënies në jetë të demokracisë së qëndrueshme, të shtetit të fuqishëm dhe juridik, të ekonomisë, sigurisë, stabilitetit të përgjithshëm etj. Kosovën dhe shoqërinë e saj si shtet jemi duke e parë një gjendje të pakëndshme tepër komplekse. Ajo tani është në mes të një robërie të brendshme të politikës shtetërore dhe të një lirie të pafre ku çdokush mund të bëjë ç’të dojë dhe si të dojë, duke mos pasur asnjë veprim ligjor për të caktuar caqet e lirisë.

Kosova tani duhet të dalë nga kjo gjendje ngulfatëse që është, e cila jo vetëm që mund të ketë pasoja të tmerrshme në të ardhmen, por se do ta vinte edhe në pikëpyetje procesin dhe ekzistencën e sistemit të përgjithshëm shtetëror dhe proceseve të tjera integruese.

Ndërsa një proces i tillë si ky pas pavarësisë, nuk i shkon për shtati aspak institucioneve dhe pushtetarëve që të bëhen të famshëm vetëm me pavarësinë e 17 shkurtit 2008, si dhe në pak muaj punë jo të çmuara e që në fakt për të vlerësuar një kontribut historik dhe për të vlerësuar një shtet se ka arritur majën e zhvillimit dhe të stabilitetit të brendshëm dhe të raporteve të qëndrueshme ndërmjet etniteteve të ndryshme, duhen shekuj dhe koha duhet të konsiderohet nga pushtetarët një mjet i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për ta çuar Kosovën drejt zhvillimeve progresive dhe bashkëkohore.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›