Withers, gjyqtarëve: Çrrënjosni korrupsionin nga radhët tuaja
Ambasadori amerikan në Shqipëri, John Withers, u ka kërkuar dje gjyqtarëve shqiptarë që të luftojnë korrupsionin brenda radhëve të sistemit gjyqësor. Gjatë fjalës së tij, ambasadori u shpreh se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të mos shihet si i korruptuar gjithë sistemi i gjykatave, por vetëm ata pak individë në sistemin e gjykatave, dhe kjo sipas z. Withers, varet vetëm nga gjyqtarët, të cilët duhet ta ruajnë këtë dallim me autoritetin që kanë. “Për ta përmbushur detyrën tuaj të madhe, duhet të keni kurajë të madhe, kurajë për t’u ngritur përpara presioneve, kurajë për të marrë vendime të vështira bazuar vetëm mbi ligjin dhe provat dhe, ndoshta më e vështira nga të gjitha, kurajë për të çrrënjosur korrupsionin në radhët tuaja”,- iu drejtua diplomati amerikan gjyqtarëve.
Deklarata u bë dje gjatë një takimi që Këshilli i Lartë i Drejtësisë pati me krerët e gjykatave në vend, si dhe para gjyqtarëve të tjerë, të cilët ishin të pranishëm në takim. Sipas diplomatit amerikan, trajtimi i njëjtë i të gjithëve është esenca e demokracisë dhe gjykatat tona të drejtësisë janë terreni i provës për gjendjen e demokracisë shqiptare. Por, sipas z. Withers, “përveç të gjitha këtyre, gjyqtarët duhet të kenë edhe aftësinë për të punuar, për të funksionuar, për t’i bërë këto korrigjime brenda radhëve të tyre, pa i lënë që ato të shndërrohen në garën midis politikanëve dhe forcave politike”. Më tej, në fjalën e tij ambasadori Withers nuk ka lënë pa përmendur edhe raportin më të fundit të qeverisë amerikane, përkatësisht Raporti për të Drejtat e Njeriut i Departamentit të Shtetit, për të cilin u shpreh se “është një dokument i peshuar mirë, i shqyrtuar, i rishikuar dhe i modifikuar me kujdes, në mënyrë që të jetë një reflektim sa më i saktë i situatës së të drejtave të njeriut për secilin vend të botës”. Duke iu drejtuar gjyqtarëve, diplomati amerikan u shpreh se “nëse e lexoni atë dokument, i cili përmban raporte mbi situatën e të drejtave të njeriut, praktikisht të çdo vendi, mendoj do të shihni një gjë që bie në sy më shumë sesa çdo gjë tjetër. Është bindja e palëkundur amerikane, që shoqëria duhet të bazohet mbi sundimin e ligjit. Mund të shihni që ajo temë ishte kyçe në vlerësimin për të drejtat e njeriut që bëri Departamenti i Shtetit për Shqipërinë gjatë vitit të shkuar. Pikëpamja e Departamentit të Shtetit është që aty duhet vënë theksi, në Shqipëri, në mënyrë që demokracia të japë plotësisht frytet”. Duke i nxitur ata ta lexojnë drejt dhe qartë këtë raport, ambasadori u shpreh se “është një deklaratë shumë e qartë, është një deklaratë shumë e fortë, dhe ju nxis të gjithëve që nuk keni pasur mundësinë që ta lexoni me kujdes. Mendoj, të gjithë, do të shihni që epiqendra e atij raporti është theksi mbi sundimin e ligjit në Shqipëri”. Sipas ambasadorit amerikan, në një demokraci është mjaft i rëndësishëm roli i gjyqësorit, besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës, ndarja e pushteteve midis dhe ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisjes, si dhe pavarësia e gjyqësorit. “Pavarësia e gjyqësorit është pavarësia për të vendosur, duke u bazuar vetëm mbi ligjin dhe faktet, të lirë nga presione politike dhe personale”, - është shprehur ambasadori Withers, duke shprehur mbështetjen e tij dhe të qeverisë që përfaqëson për sistemin gjyqësor, si dhe për arritjen e pavarësisë në gjyqësor. Në takim ka folur edhe nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili ka kritikuar gjyqtarët, duke konsideruar se ka prej tyre, njerëz pasivë dhe pa integritet. Këtu Spahiu vlerësoi se “të gjithë gjyqtarët duhet të përfshihen në përpjekjet që po bëhen nga KLD për një sistem më të besueshëm të drejtësisë për qytetarët. “Gjyqtarët duhet të luftojnë hapur për ato çështje që ata mendojnë se janë të vërteta, edhe pse kjo mund t’iu kushtojë shumë”, - iu drejtua Spahiu krerëve të gjykatave dhe gjyqtarëve të pranishëm në takim.
KLD, përgjegjësi në emërimin e gjyqtarëve
Një tjetër pikë e rëndësishme e luftës së korrupsionit në radhët e gjyqësorit është emërimi në mënyrë të drejtë dhe të ndershme i gjyqtarëve. Sipas ambasadorit amerikan, KLD ka një përgjegjësi të madhe për të emëruar gjyqtarët në mënyrë të drejtë dhe të ndershme dhe, së bashku me vetë gjyqtarët, të sigurohet që sistemi gjyqësor do mbahet i pastër prej gjyqtarëve të pandershëm, të korruptuar, apo joetikë. “Gjyqtarët që janë këtu sot, ju në këtë sallë, ndoshta keni përgjegjësinë më të madhe nga të gjithë. Shqiptarët e çdo fshati, qyteze, a qyteti mbështeten tek të gjithë juve, që të jepni drejtësi dhe të mbroni të drejtat e qytetarëve, për të trajtuar një bujk të varfër njësoj si një pronar të pasur tokash, për të pasur kurajën për t’u ngritur përpara presionit jo vetëm nga ata me pushtet politik, por ndoshta edhe nga ata që janë pranë jush personalisht”, - u shpreh ambasadori Withers.
USAID
Prej një viti, asistencë gjyqësorit shqiptar në 10 gjykata
Qysh prej një viti, programi i shtetit ligjor i USAID-it (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar) ka lënë gjurmët e veta të investimit në mbështetje të gjyqësorit shqiptar. Sipas nënkryetarit të KLD-së, Spahiu, ka vlerë të përmendet që deri tani ky program ka dhënë asistencë konkrete në dhjetë gjykata pilot të rretheve gjyqësore. Asistenca është parë konkretisht në përmirësimin e infrastrukturës së gjykatës nëpërmjet pajisjeve me mjete logjistike, në realizimin e trajnimeve për rritjen e eficensës së sekretarisë gjyqësore gjatë gjykimeve, apo dhe në trajnime me vetë gjyqtarët dhe stafin administrativ, ku do të veçoja rëndësinë e temave të trajtuara, si ajo mbi ligjin për të drejtën e informimit.