Efektet e krizës globale dhe mundësitë e përballimit nga Shqipëria
Nga Kasem Seferi*
Pothuajse të gjithë e kanë pranuar se viti 2009 për ekonominë shqiptare është viti i sfidave dhe i përpjekjeve për të hequr dorë nga hezitimi, dyshimet dhe tkurrja nga rritja normale e ekonomisë që kanë shkaktuar kërcënimet e krizës financiare globale. Simptomat e tkurrjes së veprimtarisë prodhuese të eksporteve të veshjeve dhe këpucëve, fillimi i zvogëlimit të veprimtarisë tregtare në sektorë të tjerë të ekonomisë në fillim të vitit 2009, si dhe zhvlerësimi i monedhës kombëtare në muajin shkurt 2009 kundrejt euros me 5 për qind dhe kundrejt dollarit me 14 për qind krahasuar me muajin dhjetor 2008, tregojnë se ku po shtrihen efektet e krizës financiare globale. Në rrethanat kur rrezikohen më tej industritë e eksporteve, kur industria e tullave punon me 70 për qind të kapacitetit të saj prodhues, për mungesë të likuiditeteve në treg, sepse për shkak të krizës financiare globale është shtrënguar huadhënia bankare kur pritet që kriza të fillojë të ndihet edhe në sektorin e ndërtimit si pasojë e uljes së numrit të shitjeve dhe kur bëhet mjaft i qartë rreziku i shtimit të papunësisë, të gjithë pa përjashtim, me maturi dhe pa pasion, duhet të bëjnë më të mirën e tyre në shërbim të ruajtjes së ritmeve të mundshme të rritjes ekonomike.
Të gjitha përpjekjet politike, ekonomike dhe shoqërore duhet të përqendrohen mbi faktorët që ndikojnë në humbjen e besimit dhe që e ndalin frikën që ngacmon veprimtarinë normale ekonomike në vend. Bizneset dialogun e tyre që kanë nisur me qeverinë dhe bankat për të përballuar sfidat reale dhe serioze që gërryejnë besimin e njerëzve në lidhje me vëllimin e prodhimit, të tregtisë, të shërbimeve, të ndërtimit dhe të huadhënies, do të ishte mirë ta shoqëronin me kërkesa dhe llogaritje konkrete ku të pasqyrohen përfitimet e përbashkëta. Një dialog i tillë në kushtet e diktuara nga rreziqet e shtrirjes së efekteve të krizës financiare globale, domosdoshmërisht u kërkon të gjithë aktorëve një përgjegjësi dhe një përgjegjshmëri tjetër, një transparencë krejt ndryshe nga e deritanishmja. Termat konkretë të garancisë së shlyerjes së huave të marra dhe huave që do të merren nga komuniteti i biznesit do të bënin të mundur që bankat e nivelit të dytë të rishikonin politikat e tyre të tanishme nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, do t’i krijonin të gjitha mundësitë reale qeverisë për të formuluar një politikë të matur dhe të kujdesshme ku do të përfshinte të gjitha hollësitë e nevojshme, që do ta çonin elasticitetin e ekonomisë së vendit ose aftësinë e bizneseve dhe të bankave drejt një rezistence dhe një kundërpërgjigjeje të shëndoshë kundrejt kërcënimeve të krizës financiare globale. Nuk ka dyshim se për t’ia arritur një qëllimi të tillë, vlerë të veçantë merr besueshmëria e biznesit, e bankave dhe e qytetarëve te politikat e qeverisë, sepse besueshmëria është më e rëndësishme se shifrat. Prandaj do të ishte më efektive dhe më eficiente në qoftë se të gjithë të interesuarit për ta përballuar krizën financiare globale me sa më pak efekte negative në rritjen ekonomike do të arrinin një kompromis të arsyeshëm i cili do të dominohej nga argumentet dhe jo nga “uni”, faktor vendimtar ky që rrit besimin e të gjithë aktorëve që veprojnë në treg. Konkurrenca e drejtë dhe e hapur në treg do të ishte gjithashtu një faktor i rëndësishëm, që do të krijonte mundësi të mëdha për të siguruar një ritëm të kënaqshëm të rritjes ekonomike në të gjithë sektorët, sepse në qoftë se nuk garantohet kjo e drejtë për të gjitha bizneset, atëherë përfitimet e njohura që sjell një konkurrencë e drejtë dhe e hapur në treg do të dëmtoheshin jashtë mase. Ritmet e rritjes së qëndrueshme ekonomike kanë dëshmuar vetëm një fakt: sa më i madh të jetë besimi i bizneseve dhe i bankave, aq më e sigurt është veprimtaria e tyre dhe aq më funksional bëhet tregu, ndërsa e kundërta do të minonte në thelb aftësinë e bizneseve dhe të bankave.
Tregtia e lirë, ndërhyrjet e përshtatshme dhe të matura në treg janë shoqëruar me një rritje të qëndrueshme ekonomike, duke dëshmuar se një nga çelësat kryesorë që siguron një ritëm të kënaqshëm të rritjes ekonomike është qëndrimi i pozitiv i politikës kundrejt suksesit të biznesit, faktor tejet i rëndësishëm ky në momentet aktuale për të ruajtur sa të jetë e mundur nivelin e mirëqenies materiale të qytetarëve. Qëndrime dhe pikëpamje të tilla nxitin lirinë e bizneseve dhe të bankave për të konkurruar ndërmjet tyre, ndërsa favorizimet nxisin monopolizimin e segmenteve të caktuara të tregut, veprime këto që dëmtojnë përdorimin me efektivitet dhe eficiencë të kapitaleve dhe për pasojë sjellin uljen e nivelit jetësor dhe rrisin shkallën e korrupsionit. Liria ekonomike, veçanërisht merr një rëndësi të veçantë për vitin 2009, sepse kërkon respektimin më të mirë të të drejtave të pronësisë, përmirësimin e lehtësive të ndryshme administrative për funksionimin normal të biznesit, stabilitetin e monedhës, praktika më të lehta të punësimit; kërkon, gjithashtu, lehtësi për kryerjen e investimeve dhe të tregtisë ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e administratës publike në përgjithësi për t’iu larguar praktikave zyrtare të njëanshme dhe korruptive.
Shqipëria ka një rrjet financiar shumë të vogël, gjë që nuk u jep mundësi qytetarëve të shpenzojnë më shumë se të ardhurat e tyre korente. Fakti që pjesa më e madhe e tyre ka një nivel modest të të ardhurave për jetesë, një rënie e mundshme e këtij niveli për shkak të ndikimit të krizës financiare globale, veçanërisht, si rezultat i rënies së të ardhurave nga dërgesat e emigrantëve, ka rritur vetëdijen e qytetarëve për ta siguruar vetë jetesën duke shkurtuar shpenzimet. Shqipëria ka një ekonomi që ende nuk i siguron një rrjet sigurimi të mjaftueshëm për t’i mbrojtur qytetarët ashtu siç e kërkojnë raste të tilla të paparashikuara, si rreziqet e shtrirjes së efekteve të krizës financiare globale, veçanërisht, për disa kategori qytetarësh sikundër janë gratë dhe vajzat e reja të periferive që përbëjnë rreth 70 për qind të punëmarrësve të industrisë eksportuese me fason ose ish të-persekutuarit politikë në përgjithësi, si dhe një kategori e veçantë e të shpronësuarve. Në këto kushte, shpenzimeve buxhetore po u kushtohet rëndësi e veçantë dhe po i nënshtrohen disiplinës fiskale, që në një vit elektoral, shihet si e vetmja rrugë e drejtë që duhet të ndiqet për instalimin e valvolave të sigurisë.
Arritjet e deritanishme të ekonomisë (sipas progres-raportit të BE-së) kanë nxjerrë në pah tri karakteristika të rëndësishme që ndikojnë mbi zhvillimin ekonomik: përmasat e përhapjes së konkurrencës së brendshme dhe shkallën e hapjes së vendit ndaj tregtisë botërore, si dhe ndikimet reciproke në raport me vendet e tjera; cilësinë e institucioneve të domosdoshme për funksionimin e një ekonomie dhe shkallën në të cilën qeveria i zbaton masat e nevojshme për të siguruar stabilitetin makroekonomik. Një nga parametrat e rëndësishëm makroekonomikë për arritjen e suksesit ekonomik, që përmendet shumë rrallë, është shkalla e elasticitetit të ekonomisë ose aftësia e saj për t’u rezistuar tronditjeve të fuqishme. Tregu i lirë dhe aftësia e tij për t’iu vetëpërshtatur kushteve të krijuara nga rreziqet e krizës financiare globale, nënkupton faktin që pjesëmarrësit në këtë treg duhet të kenë liri të plotë për ta disponuar pasurinë e tyre sipas mënyrës që ata e konsiderojnë më të përshtatshme, sepse kufizimet mbi çmimet, huat, bashkimet e kompanive ose në përgjithësi mbi praktikat tregtare, si rregull, e pengojnë rritjen ekonomike.
Krijimi i pasurisë presupozon patjetër të marrësh një rrezik mbi shpatulla; njerëzit nuk janë gjithmonë të sigurt se përpjekjet e tyre për sigurimin e ushqimit, të veshmbathjes dhe të strehimit do të përfundojnë me sukses të plotë. Sigurisht, ka të ngjarë që garancitë shtetërore të jenë shumë të besueshme, megjithatë garanci të tilla shtetërore siç është garantimi i depozitave, që konsiderohen të suksesshme, kanë kosto të lartë. Prandaj nuk duhet harruar se “vija e parë” e mbrojtjes efikase kundër efekteve negative të krizës financiare globale mbi bizneset dhe paaftësinë e tyre paguese për t’ia kthyer paratë bankave është mbikëqyrja reciproke që t’i bëjnë bizneset sjelljes së njëri-tjetrit, sepse siç e ka vërtetuar përvoja botërore e tridhjetë e pesë viteve të fundit, shumë vende, duke liberalizuar ekonomitë dhe duke përmirësuar politikat e tyre ekonomike, kanë siguruar një rritje të qëndrueshme të të ardhurave për frymë të popullsisë në rang botëror. Kjo gjë, vënë në dukje analistët, vlen veçanërisht për vendet që dikur kishin plotësisht ose pjesërisht një sistem të planifikimit të centralizuar të ekonomisë, të cilat pas rënies të Murit të Berlinit, përqafuan një formë të caktuar të kapitalizmit të tregut.
Në rrethanat e tanishme të ekonomisë në Shqipëri shfaqen edhe “receta” me anë të të cilave sugjerohet si ekonomia e vendit t’u shmanget pasojave të krizës financiare globale dhe si të mbrohen të drejtat e qytetarëve. Për vetë trashëgiminë dhe periudhën e konsiderueshme të tranzicionit, Shqipëria është terren i përshtatshëm për kultivimin e ideve të paprovuara te shtresat me të ardhura modeste, por tashmë qytetarët e kanë shumë të qartë se çfarë problemesh duhen zgjidhur dhe “recetat” që u propozohen atyre si zgjidhje, tingëllojnë të paqarta. Vendet ku janë arritur suksese, ku është siguruar rritja e nivelit bazë të jetesës, si dëshmi të vetme sjellin zhvillimin e tregjeve të hapura dhe rritjen e pronës private. Kohët e fundit është hedhur dyshimi me anë të pyetjes: “Si funksionon sistemi i ekonomisë së tregut, i cili herë pas here e gjen ekuilibrin e vet në buzë të greminës?”, por shkenca ekonomike në mbarë universitetet e botës dhe përvoja praktike dëshmon se kur një ekonomi tregu devijon herë pas here nga ecuria e saj ideale e ekuilibrit, atëherë është vetëveprimi i forcave të konkurrencës ai që e risjell atë në gjendjen e ekuilibrit. Duke qenë se në procesin kompleks të rivendosjes së ekuilibrit marrin pjesë me miliona vendimmarrje individuale të konsumatorëve në tregun botëror, është shumë e vështirë të perceptohet dhe parashikohet lehtësisht kriza ashtu sikundër do të ndodhë edhe me daljen e ekonomisë botërore nga kriza e tanishme financiare globale. Mjafton t’i kushtosh vëmendje asaj çka ndodhi me parashikimet e ekspertëve ndërkombëtarë në verën e vitit 2007 dhe gjatë vitit 2008 dhe në fillim të vitit 2009 në tregun ndërkombëtar në lidhje me rritjen dhe uljen e çmimeve të naftës për të kuptuar se ku dhe kur do të fillojë dalja nga kriza financiare globale.
Fjalët e Presidentit Obama në fjalimin e tij të përurimit: “Ekonomia jonë është dobësuar së tepërmi, pasojë e etjes së pakontrolluar për fitime dhe papërgjegjësisë që kanë treguar disa, por gjithashtu edhe për shkak të dështimit tonë kolektiv për të bërë zgjedhje të vështira dhe për ta përgatitur vendin për një epokë të re”, vërtetojnë devijimin e sistemit të ekonomisë së tregut nga ekuilibri, por jo dështimin e tij, sepse siç tha ai: “Në këtë ditë ne shpallim fundin e etjes së papërmbajtur për fitim dhe premtimeve false, justifikimeve dhe demagogjisë së demoduar, që për një kohë shumë të gjatë i kanë mbytur politikat tona”. Shqipëria duhet të sigurojë një frymë të tillë optimiste.
*Ekonomist