Edi Rama: Na duhet reforma zgjedhore përpara 24 majit
Kryetari i PS, Edi Rama, ka theksuar pas takimit me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule, se vendit i duhet reforma zgjedhore përpara 24 majit. Rama tha se po ashtu vendi i duhet një president që të jetë simbol i unitetit.
Koha ikën dhe ndërkohë jemi përpara dy momenteve të rëndësishme për fatin e Shqipërisë evropiane. Na duhet një reformë zgjedhore e dakordësuar dhe e miratuar përpara 24 majit, në unison me bashkësinë ndërkombëtare që po bën çmos të na ndihmojë.
Ashtu sikundër na duhet një president që të jetë mishërim i unitetit të kombit në këtë periudhë historike kur shqiptarët si komb kanë nevojë të shkojnë bashkë përpara. Jemi në kushtet kur kryeministri bën shurdhin, do një president për veten, ndërsa ne duam një president për republikën e Shqipërisë, tha Rama.