Dule takohet me Edi Ramën: Do i bashkoheshim një mocioni kundër qeverisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka takuar kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
Pas takimit, Dule tha se ata janë për konsensus për çështjet më të nxeha siç është reforma zgjedhore dhe zgjedhja e presidentit.
PBDNJ në këtë frymë është për një proces që duhet të karakterizohet nga konsensusi. Kur nuk kemi bashkëpunuar, kemi marrë refuzimin siç ndodhi me statusin e kandidatit, tha Dule.
Ne do jemi pjesë e kontribuues të procesit konsensual dhe kategorikisht do jemi kundër çdo veprimi të njëanshëm siç do jetë ai i një kandidature nga mazhoranca, vijoi Dule, i cili e sheh Nanon si kandidat për një proces konsensual.
Ne jemi shprehur dhe i qëndrojmë opinionit se Nano është një kandidaturë që plotëson të gjitha kriteret që kërkon një proces konsensual për të zgjedhur një president korrekt në detyrimet e veta dhe që do garantojë frymën e duhur të funksionimit të shtetit, por edhe të përfaqësimit të vendit në arenën ndërkombëtare, tha Dule.
Jemi optimistë se aktiviteti dinamik i përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë ka këtë qëllim, që vetëm konsensusi bën që të arrijmë objektivat strategjikë. Janë momente kur koha është shumë e ngjeshur. Veprimet në asnjë rast nuk duhet të jenë të njëanshme.
I pyetur për në mocion mosbesimi ndaj qeverisë, Dule tha se do i bashkoheshin me kënaqësi. Mocionet e mosbesimit janë fenomene të shpeshta në demokraci. Me kënaqësi do i bashkangjitemi një mocioni duke kontribuar edhe me debate, tha Dule.