Berisha: Kthimi i ligjit për mbetjet, për qëllime politike
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se kthimi i ligjit të mbetjeve urbane nga kreu i shtetit është bërë për qëllime politike.
Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Berisha theksoi se ata të cilët përpiqen me aleancën e plehut të mashtrojnë shqiptarët do ta gjejnë veten të dëshpëruar.
“Kushtetua e vendit përcakton në mënyrë të qartë kopetencën e presidentit për të kthyer ligjet apo për t`i firmosur ato. Në këtë kontekst ne kemi trajtuar në mënyrë kushtetuese çdo qëndrim që mbahet ndaj ligjeve të vendit votuar në parlament nga presidenti. Dua të them se nga alfa tek omega se qëllimi ndaj këtij ligji është nga politik” ka theksuar Berisha.
Kryeministri Berisha ka akuzuar opozitën se nëpërmjet aleancës së plehut kërkon të nxjerrë votat duke iu fshehur të vërtetën qytetarëve dhe duke iu servirur atë që ajo dëshiron.
“Këta zotërinj rrëmojnë në plehra për të gjetur votën. Unë i them se nëse i shtroni çështjet në këtë mënyrë pushteti juaj nuk do të kthehet dot kurrë sepse ai i përket plehut të historisë” ka theksuar Berisha.
Ai gjithashtu theksoi se ligji i importimit të mbetjeve është në sajë të marrëveshjes së MSA-së të nëshkruar nga Shqipëria ndërsa hodhi poshtë akuzat se duke miratuar këtë ligj në vendin tonë mund të vijnë edhe mbetje të rrezikshme.
“Shqipëria në 2006 ka firmosuar MSA-në, marrëveshje kjo e cila është votuar në të gjitha parlamentet anëtare të BE-së. Konform kësaj marrëveshje Shqipëria është e detyruar që të ketë një qëndrim në përputhje me standartet europiane në politikën dhe trajtimin e këtyre mbetjeve" ka theksuar Berisha ndërsa ka shtuar se ligji flet qartë vetëm për import të 50 artikujve mes listës së 300 e ca artikujve.
“Importi i mbetjeve është një proces konstant gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë 8 vitet në pushtet të PS. Kombinati metalurgjik i Elbasanit funksionon me këto mbetje, por çfarë thotë ligji. Qeveria ka përcaktuar qartë se nga lusta prej 300 e ca artikuj ne pranojmë vetëm 50, tërësisht të kontrollueshme. Aktualisht është përcaktuar se nuk importohen për ruajtje, jo depozitë. Zotërinjtë që duan të nxjerrin vota nga plehu ua fshehin qytetarëve dhe u servirin mashtrimin”- shtoi ai.