Reforma parlamentare, komision i posaçëm në Kuvend
Paketa e propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit pritet të vërë në lëvizje dy forcat e mëdha politike për të gjetur një konsensus. Jo për të miratuar ndryshimet e propozuara nga socialistët, por për të ngritur një komision të posaçëm parlamentar, i cili duke u nisur nga nisma e socialistëve të realizojë një reformë të plotë parlamentare, e cila të prekë jo vetëm rregulloren, por edhe statusin e deputetit. Për këtë arsye është parë e arsyeshme që paketa e propozimeve të socialistëve të mos kalojë në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, por në Komisionin e Ligjeve, i cili do duhet të diskutojë nesër pikërisht për këtë nismë, por me synimin që ajo të shërbejë vetëm sa për të hapur debatin institucional dhe për të konkluduar me ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën parlamentare. Nuk dihet ende nëse socialistët do të bien dakord me këtë rrugë që ka zgjedhur mazhoranca për të trajtuar kërkesën e tyre. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme pritet të marrë udhë dhe një reformë tjetër, ajo që ka të bëjë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Burime pranë dy forcave të mëdha politike kanë bërë të ditur se sot pritet që negociatorët socialistë të paraqesin një projektvendim për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, në të cilin do duhet të përfshihen përcaktimet që kanë të bëjnë me mënyrën dhe punën që do synohet të bëhet.