Edi Rama: PS nuk vë kushte për Presidentin
Është rrënuar linja bllokuese e opozitës. Pas ultimatumeve të ndërkombëtarëve, Edi Rama është paraqitur në tryezën e bisedimeve me mazhorancën, duke deklaruar se ka hequr dorë nga çfarëdolloj parakushti për zgjedhjen e presidentit të ri. Bisedimet e djeshme shtruan rrugën për një zgjidhje konsensuale, e cila shpresohet se mund të arrihet edhe gjatë raundit të sotëm të votimit në parlament
Fakti/Një Ramë jashtë bojkotit zgjidh ngërçin e politikës
Provohet se kur Edi Rama paraqitet si një politikan normal, edhe Shqipëria është normale, edhe besimi i publikut tek politika rritet
Edi Rama ka zgjedhur të ndryshojë; i është rikthyer praktikave të dialogut dhe po “insiston” për një president konsensual! Krejt ndryshe nga një javë më parë, kur në tensionin e zgjedhjes së presidentit të ri të republikës paraqiti një platformë me katër pika, si kushte vendimtare në këmbim të konsensusit të opozitës në procesin saponisur, dje, për herë të parë kryesocialisti doli para opinionit publik me alternativën e rrugës-zgjidhjes, duke kërkuar përfshirjen e opozitës në këtë debat.
Mjaftoi një takim me kreun e mazhorancës Sali Berisha që të ndryshonte krejt strategjia e opozitës, që në thelb synonte bllokimin dhe rikthimin e ngërçit politik në parlamentin shqiptar.
Fryma e konfliktit u vërejt gjatë raundit të parë të zgjedhje së presidentit, ku PS edhe pse nuk ishte bërë pjesë e debatit të “Presidentit”, kundërshtoi me forcë kandidaturën e mazhorancës, atë të Xhezair Zaganjorit duke i vendosur epitete të tilla si, “produkt i një propozimi të njëanshëm”, edhe pse në fakt anëtari i Gjykatës Kushtetuese s’ka asnjë lidhje qoftë me Partinë Demokratike ashtu edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edhe pse PS vazhdon t’i mëshojë fort qëndrimit të saj kundër Zaganjorit, Edi Rama deklaroi dje pas takimit me Berishën se, “PS është në opozitë” dhe si e tillë, sipas tij, nuk do të bëhet pjesë e garës së emrave, por ka vetëm një qëllim, “t’i japim Shqipërisë presidentin e konsensusit mes qeverisë dhe opozitës”.
Pra, konstatohet lehtë një ndryshim 360 gradë i liderit të opozitës, nga deklarata e p.sh 1 javë më parë, kur edhe në linjë shantazhi dhe presioni për të bllokuar zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, shpalosi një platformë absurde duke tentuar të integrojë reformën zgjedhore, rregulloren e parlamentit si dhe heqjen e imunitetit, në procesin e “Presidentit”.
Faktor që bëri të mundur ndryshimin e Ramës, nuk është vetëm takimi me Berishën. Edhe pse, logjikisht arsyetimi i parë aty shkon, nisur nga fakti se Edi Rama e kërkoi me ngulm një takim me liderin e mazhorancës, edhe atëherë kur ky i fundit mandatoi Astrit Patozin të negocionte me homologun e tij Gramoz Ruçi. Edi Rama hoqi dorë nga pozicioni i propozimit të emrave edhe për shkak të Fatos Nanos.
Prej disa ditësh, lideri historik i së majtës akuzon Edi Ramën se kërkon të zgjedhë Presidentin përmes pazareve dhe se duke përjashtuar çdo mundësi propozimi dhe mbështetje të kandidaturës së Nanos, i jap rrugë këtij të fundit të krijojë një lëvizje politike brenda selisë rozë.
I ndodhur në këto kushte aspak favorizuese dhe të rrezikshme për të ardhmen politike të kryesocialistit, Edi Rama vendosi të tërheqë platformën e bllokimit si dhe të heqë dorë nga çdo propozim i PS-së, pasi ajo është pakica dhe në rastin më të mirë thjesht duhet të dëgjohet! “Ne jemi opozita, jemi pakica që duhet të përfshihet në proces për një emër të dakordësuar. Ne qëndrojmë në pozicionin parimor që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar vullnetin për ta zgjidhur me konsensus këtë çështje”- u shpreh dje Edi Rama. Gjithsesi, përpos “elementit përcaktues” që ndryshoi krejt Edi Ramën, duke e detyruar të heqë dorë nga kushtet e Presidentit, vlen të theksohet se takimi i djeshëm mes Sali Berishës dhe Edi Ramës ishte pikënisja e një bashkëpunimi të sapo nisur mazhorancë-opozitë, për të vënë piketat e dialogut dhe konsensusit në rrugën e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.