Rama: Me Berishën, shtrëngim duarsh i detyruar

Takimi Rama - Berisha
Skerdilajd Zaimi
Negociata mbeten të hapur në çdo moment deri në raundin e tretë kur edhe konsumohet procesi kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në të cilin kërkohet medoemos konsensusi i opozitës socialiste. Përmes një interviste ekskluzive për gazetën Shekulli, dhënë pas takimit të djeshëm me kryeministrin Sali Berisha, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama sqaron se pozicioni i opozitës mbetet parimor. Një kandidat që prodhohet nga tryeza e përbashkët në të cilën janë diskutuar paraprakisht të gjitha modalitetet. Përndryshe, sikurse shprehet Rama, PS-ja nuk do të bëhet palë, apo pjesë aktive e procesit, në rast se ai kalon në raundin e katërt e më tej e ku në lojë hyn matematika e votave. Ai ka rivlerësuar edhe njëherë pozitivisht rolin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kryetarit të saj Ilir Meta në krijimin e një hapësire për përfshirjen e opozitës në proces, por ka apeluar nevojën e zgjerimit të kësaj hapësire. Sa i përket çështjes së shumë diskutuar të paraqitjes së emrave dhe legjitimitetit të tyre, Edi Rama ka nënvizuar se nga ana e vet, PS-ja do të përftonte një rol korrekt në këtë drejtim në momentin kur tryeza realisht të kishte arritur paraprakisht konsensusin.
Z. Rama, pas kaq kohe krize politike dhe debati, keni pasur një shtrëngim duarsh me z. Berisha…
Është një shtrëngim duarsh i imponuar nga interesi madhor i vendit që kërkon që ne, opozita dhe kryeministri dhe qeveria të zgjidhin me konsensus çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Është folur gjatë për këtë takim. Kush ka ndërmjetësuar për realizimin e tij?
Besoj që dinamika e gjërave e ka bërë takimin praktikisht të pashmangshëm dhe edhe pse kam keqardhje që ai nuk u bë më parë, sepse do të kishim fituar më shumë kohë dhe do ti kishim dhënë më shumë mundësi zgjidhjeje këtij procesi, përsëri besoj se takimi ishte i domosdoshëm dhe se ka ende kohë për të arritur zgjidhjen e duhur.
Ju thoni se z. Berisha u ul i detyruar nga rrethanat në këtë takim?
Jo, unë them që takimi ishte rezultat i një domosdoshmërie të krijuar në dinamikën e këtij procesi dhe në këtë rast mendimi im është që edhe kryeministri u shty nga kjo domosdoshmëri.
Ka një diskutim të gjerë në media edhe për sa i përket një roli të LSI-së për të realizuar këtë takim?
Unë po ju përsëris që takimi ka ardhur si rezultat i përgjigjes së vonuar të ftesës publike që unë i kam kryeministrit kohë më parë dhe i dinamikës së procesit që e bëri atë të domosdoshëm në një moment kur edhe pse ka ende kohë, koha nuk pret.
Çfarë premtimi morët konkretisht nga z. Berisha?Pyes meqenëse ju deklaruat se u ndërtua një bazë e mirë për të vazhduar më tutje.
Ajo çka unë thashë është se ne shkëmbyem pikëpamjet. Për sa na takon ne bëmë të qartë qëndrimin tonë që dëshirojmë të japim kontributin maksimal në këtë proces. Përfshirja e opozitës është një domosdoshmëri për të garantuar konsensus dhe për këtë përfshirje opozita nuk ka asnjë kusht tjetër përveçse kushtit bazë që është arritja te konsensusi.
Ju thatë që do të jepni konsensus për emrat e dakordësuar në tryezë. Ju vetë nuk do të propozoni emra?
Ne nuk hyjmë në emra konkretë, sepse për momentin kemi një proces që nuk është hapur në drejtim të opozitës. Ka një kandidat të paraqitur në mënyrë të njëanshme nga qeveria, për të cilin ne thjesht jemi njoftuar një orë përpara raundit të parë. E, në ndërkohë opozita nuk ka arsye pse të hyjë në një garë emrash, por ka të gjitha arsyet që emri të jetë produkt i procesit dhe jo procesi rezultat i emrave.
Disa pyetje që kanë të bëjnë me elementë të padukshëm të takimit, por që ngjallin kërshërinë e lexuesve. Cila përfaqësi arriti më parë në sallën ku u zhvillua takimi? Ju ishit të parët aty, apo Berisha?
Ne arritëm përpara Kryeministrit, por mbas kryetarit të Grupit Parlamentar z. Patozi.
A pati realisht një diskutim në frymë dhe klimë ta hapur, frymë besimi apo ishte një takim formal?
Për sa na takon, ne bëmë gjithçka mundëm që ti jepnim takimit një frymë pozitive dhe që të komunikonim me palën tjetër plotësisht hapur dhe duke transmetuar të gjithë vullnetin tonë për të gjetur një zgjidhje.
Kush e hapi takimin?
Kryeministri bëri paraqitjen e tij, pastaj ne bëmë paraqitjen tonë dhe më tej takimi vijoi normalisht si një bashkëbisedim ku pati shkëmbim intensiv mendimesh edhe pse nuk ramë në një mendje në fund.
Besoni se realisht Kryeministri dhe mazhoranca e ndjejnë nevojën dhe e konsensusit të opozitës?
Unë dëshiroj të shpresoj dhe uroj që kryeministri të jetë i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e konsensusit në funksion të interesit që Shqipëria ka për një President Konsensual në këtë moment historik, në vigjilje të gjykimit të Komisionit Evropian për aplikimin e Statusit të vendit Kandidat, por edhe të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Besoni se mazhoranca dhe Kryeministri kanë interes për një President konsensual apo thjesht po veprojnë për të zgjedhur një President?
Unë dua të besoj se atyre u intereson që të gjejnë një zgjidhje dhe nuk dua të paragjykoj dhe të kem gjykime, përpara se ky proces të përfundojë. Është një moment kur është krijuar një komunikim dhe sigurisht që momenti është shumë i brishtë dhe çdo fjalë e tepërt mund të dëmtonte këtë proces i cili duhet të vazhdojë.
Z. Rama nëse do të mbërrihet në raundin e katërt apo të pestë, opozita do të jetë në sallën e Parlamentit?
Ne nuk jemi në këtë proces për ta parë atë si një lojë force, apo përballje numrash. Opozita nuk i ka numrat për të zgjedhur Presidentin; as me 84 vota dhe as me 71 vota. Edhe sikur ti kishim ne, do të vinim interesin e vendit për konsensus mbi logjikën e numrave, por ashtu sikundër e thashë edhe publikisht, ia theksova edhe Kryeministrit se ne nuk do të mbështesim kandidatin e njëanshëm dhe nga ana tjetër nuk do të bëhemi palë në një ballafaqim numrash.
Në fakt shpallja e kandidaturës së Zaganjorit flet për atë se mazhoranca kërkon të zgjedhë vetë Presidentin. Pse mendoni se ka ndonjë arsye që z. Berisha ta ndryshojë këtë qëndrim?
Mendoj që do të ishte në interes të të gjithëve që ky qëndrim të ndryshonte dhe e përsëris se dua të shpresoj se kjo arsye do të triumfojë mbi pozicionin e momentit.
Çfarë prisni nga raundi i nesërm për ta vlerësuar si një shprehje të vullnetit të mirë?
Në rast se nuk do të ketë më komunikim edhe raundi i dytë do të digjet si i pari dhe mbetet vetëm periudha deri në raundin e tretë për të vazhduar dhe kërkuar me durim dhe vullnet zgjidhjen se i duhet vendit.
I qëndroni ende mendimit të mëparshëm për një rol pozitiv të kreut të LSI-së, Ilir Meta në këtë proces?
Unë besoj që ka luajtur një rol të çmuar për ti dhënë një hapësirë procesit. Hapësira është e vogël, ka nevojë të zgjerohet dhe shpresoj se kryetari i LSI-së të kontribuojë për zgjerimin e saj.