Rama: Prokuroria të marrë si të pandehur Rulin
Partia Socialiste i bën thirrje prokurorisë të marrë si të pandehur ish-ministrin e ekonomisë Genc Ruli për shpërdorim detyre, duke shkatërruar pasurinë kombëtare dhe rrezikuar jetën e minatorëve.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, kreu i PS-së Edi Rama theksoi se padia patetike e ish-ministrit të ekonomisë Ruli është dëshmi e gjendjes së instaluar në vend.
“Kjo është gjendja e dëshpëruar e prototipave të ulët që përfitojnë duke bërë rolin e të prekurit në dinjitet duke u kthyer nga të akuzuar në akuzues” ka theksuar Rama.
Një tjetër pikë që kreu i PS-së Rama u ndal është edhe nisma e kësaj force politike për reformën parlamentare. “Rinormalizimi i bashkëjetesës në sallë mes ndryshimeve në rregullore duhet pasuar me një hap të dytë për një reformë të thellë institucionale të Kuvendit. Rimodelimi i parlamentit është një prioritet i mirëpërcaktuar i BE. Pritet me rëndësi reagimi i palës tjetër, por kundërshtia e ngutur pas publikimit të nismës sonë nuk lë vend për optimizëm. Jozefina mbetet pengesë e madhe në këtë drejtim tamam si në raportin e progresit”- tha Rama.
Nisma e tretë për të cilën Partia Socialiste do të angazhohet është edhe ajo për heqjen e TVSH-së. Sipas Ramës PS-ja do të depozitojë këtë javë në Kuvend edhe nismën për heqjen e TVSH-së së ushqimeve bazë dhe ilaçeve, e cila pritet me shumë interes nga familjet shqiptare.
"Shurdhëria e qeverisë ndaj këtyre nismave nuk duhet të ndikojë në rrugën që kemi zgjedhur dhe shqiptarët duhet ta dinë se jemi me ta"- theksoi më tej Rama.
Një tjetër nismë e Partisë Socialiste sipas Ramës do të jetë edhe projekti për përpunimin e mbetjeve. Sipas tij opozita duhet të fokusohet qartë me fakte e prova kundër projektit politik në përpunimin e mbetjeve ku i është hapur rruga e rrezikshme të plehrave nga jashtë dhe kërcënimit nga mbetet radioaktive.
Një pikë tjetër ku është ndalur kreu i PS-së Rama ka qenë edhe vizioni opozitar për ligjet që duan 3/5 në Kuvend. “Ne nuk do ngremë kartonin jeshil për arnat e Jozefinës, por jemi gati të punojmë me palën tjetër për vizionin e BE. Synojmë tërheqjen sa më parë të drafteve rroma përrtoma dhe të punojmë për projekte të denja” ka përfunduar Rama.