Edi Rama: Qeveria ka bërë 900 km rrugë. Në Vlorë shkohet sërish me rrugën e Luftës së Parë Botërore
Kryetari i PS përgënjeshtron qëndrimin e Berishës se ka bërë 9 mijë kilometra rrugë. Rama thotë se janë 900 kilometra. Sipas tij, qeveria nuk ofron një hartë të rrugëve që ka bërë. Sipas Ramës, kostoja e mirëmbajtjes së rrugëve është 25 milion euro në vit, edhe pse Berisha thotë se nuk ka një shifër. Rama deklaroi se qeveria u ka borxh firmave të ndërtimit mbi 100 milion dollarë. Rama ngriti edhe problemin e aksidenteve për shkak të standardeve të rrugëve
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në një tryezë të organizuar nga opozita për infrastrukturën, tha se nëse ka bërë një punë kjo qeveri, është ajo e rrugëve, por ai shtoi se abuzimet janë ulëritëse. Rama tha se qeveria nuk ka bërë 9 mijë kilometra rrugë, por vetëm 900.
E vërteta është se nëse ka një aspekt të punës së saj ku qeveria ka kryer volum, është volumi i parave të investuara në rrugë, por nëse ka po një aspekt ku paaftësia dhe shpërdorimi janë më ulëritës së në çdo aspekt tjetër, është përsëri aspekti i investimeve në rrugë, tha Rama.
Sot ne e kemi analizën e 9 mijë km të Kryeministrit, që në fakt nuk janë 9 mijë, sikundër u theksua nga drejtuesi i grupit të punës. Në rastin më të mirë janë 1300 km dhe në rastin më të keq janë 900 km. E këto katërqind kilometra diferencë midis rastit më të mirë dhe rastit më të keq, përsëri tregojnë se në çfarë shteti jetojmë. Një shtet pa inventar, një shtet që nuk tregon dot një hartë, masterplan të zhvillimit të infrastrukturës dhe pastaj nuk tregon dot bazuar mbi paratë e shpenzuara të taksapaguesve, sesa kilometra rrugë ka bërë. Nuk gjendet asgjëkund, në asnjë burim të institucioneve të këtij shteti një referencë faktike për kilometrat e rrugëve për të cilat janë investuar paratë e popullit shqiptar, vijoi kryetari i PS.
Problemi i aksidenteve
Janë mesatarisht 350 shqiptarë, 1 në ditë mesatarisht, që humbasin jetën në rrugë. Dhe është e lehtë që qeveria të shfajësohet, ashtu sikundër është e lehtë që të bëhet edhe estradë, sikundër tregon edhe një deklaratë shumë interesante e një ministri, që për shkeljet ligjore të shtetit në hartimin e projekteve në ndërtimin e rrugëve apo mirëmbajtjen e tyre tha: këto janë shkelje të ligjit të përkohshme. A thua se jeta e qytetarëve humbet përkohësisht dhe pastaj mund të rikthehet prapë kur shteti të vendosë që të mos e shkelë më ligjin, u shpreh Rama. Vetëm nëpërmjet një rrjeti të unifikuar të transportit, ne do tja dalim të ulim në mënyrë drastike numrin e aksidenteve dhe pa asnjë dyshim, të zbusim ndjeshëm nivelin e ndotjes së mjedisit nga makinat dhe ashtu sikundër edhe të rrisim lëvizshmërinë, në kuptimin e lehtësimit të saj, në të gjithë territorin e vendit, vijoi kryetari i PS.
Një rrugë, 8 standarde teknike
Kryetari i PS tha se një rrugë, si ajo që të çon në Morinë, nuk është e përfunduar akoma. Për më tepër, ajo nga fillimi në fund ka tetë standarde të ndryshme. Sot ne flasim, dhe është e natyrshme që të ndodhë kështu shumë shpesh për 100 vjetorin e Pavarësisë. Por është fakt se sot, Shqipëria, nuk e ka një rrugë europiane që ti çojë shqiptarët në sheshin e flamurit. Është e njëjta rrugë e shumë e shumë dekadave më parë. Nga ana tjetër, është po ashtu fakt se qeveria e sotme, 7 vjet më parë kishte mbi tryezë studime, projekte dhe financime për segmente shumë të rëndësishme, të cilat janë ende në ditë të hallit, ndërkohë që financimet janë djegur. Është po ashtu fakt që edhe sot, rruga nga Durrësi në Kukës nuk është e përfunduar dhe ekspertiza elementare tregon se nga fillimi deri në fundin e saj, ka 8 standarde të ndryshme teknike, megjithëse është ndërtuar në të njëjtën kohë. Duket sikur është ndërtuar në 8 epoka të ndryshme, me 8 standarde të ndryshme teknike, tha Rama.
Qeveria, 100 milion dollarë borxh firmave
Rama tha se qeveria ka skllavëruar firmat e ndërtimit dhe borxhi që u ka atyre i kalon 100 milion dollarë.
Sot pjesë e dramës ekonomike të vendit, është borxhi i qeverisë ndaj firmave që kanë lidhur kontrata të punëve publike me qeverinë. Një borxh brenda borxhit të madh, që është borxhi publik i qeverisë për shpenzime kapitale tërësisht të paarsyeshme. Është një borxh që shkon rreth 100 milion dollarë të deklaruara, por dhe disa dhjetëra milionë të tjera të padeklaruara, për shkak se firmat e ndërtimit janë marrë peng. Janë kthyer në kompani skllave të pushtetit politik dhe jetojnë me terrorin e mospagimit të punës së bërë, ndërkohë që në një vend normal, duhet të pretendonin dëmshpërblim për mospagimin në kohë të punës. Dhe kriza e përgjithshme ka thelluar krizën e firmave të ndërtimit edhe për shkakun e këtij borxhi. Duke qenë se firmat e ndërtimit, sidomos ato që janë angazhuar në kontrata publike me qeverinë për rrugët, detyrimisht e kanë ndarë krizën me furnizuesit e lëndëve të para, naftë, hekur, çimento, rërë bituminoze. Dhe më tej, mospagesa e punëtorëve dhe së fundmi, rritja e kredive me probleme që kanë kaluar 1 miliard dollarë, plotësojnë këtë pamje rrëqethëse të këtij sektori.
Mirëmbajtja kushton 25 milion euro në vit
Edi Rama tha se ka një shifër për mirëmbajtjen e rrugëve, edhe pse Berisha ka deklaruar se nuk është në gjendje të thotë një shfiër.
Dua të theksoj aspektin e mirëmbajtjes. Kryeministri, vetëm para pak ditësh tha se qeveria nuk është në gjendje të përcaktojë një shifër për fondet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Deklaratë e habitshme në vitin 2012, në mes të Europës. Në këto kushte, grupi ynë i punës mund të japë një përgjigje të saktë dhe me shifër të përafërt. Nevojat për mirëmbajte në rrugët e Shqipërisë janë në rendin e 20-25 milion eurove në vit. Dhe kjo nuk është një shifër e shpikur, por një shifër e përllogaritur edhe duke u bazuar në burimet e konsulencës së huaj të qeverisë shqiptare. Aktualisht, duke mos i vënë këto para në dispozicion për mirëmbajtjen, qeveria shqiptare ju shkakton automjeteve, pra gjithë qytetarëve apo kompanive që kanë automjete një dëm 170 milion dollarë në vit, tha Rama.
Rruga për Vlorë
Duke e mbyllur, dëshiroj të theksoj se nëse në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, për të vajtur në Vlorë duhet kaluar ende nëpër rrugën dredha-dredha dhe gropa-gropa të ndërtuar nga austriakët gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që shteti shqiptar është zhytur në borxhe për të bërë rrugë, është një fakt i mjaftueshëm që kjo qeveri të konsiderohet tërësisht e paaftë dhe me mision prej kohësh të përfunduar, në raport me atë çka i duhet sot Shqipërisë, çka u duhet sot shqiptarëve.