Berisha: 20 prilli, dita e Shqipërisë së pastër, dilni të gjithë të pastrojmë
Kryeministri Sali Berisha e ka kthyer tashmë në çështje të ditës problemin e pastrimit të vendit. Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se ligjet për mjedisin në vend janë më të avancuarat, por përpjekjet që bëhen në këtë drejtim janë të pamjaftueshme. Si gjithmonë, Berisha duket se fajin ua vë drejtuesve vendorë.
Vendorët kanë rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e mjedisit. Nesër do të takohem me prefektët e vendit, autoritetet e ministrisë së Mjedisit, për të ndërmarrë një seri hapash të reja për përcaktimin e vendeve të depozitimit të mbetjeve. Në ndërtim e sipër janë një seri landfillesh dhe impiantesh, tha Berisha, i cili u ankua se taksa e mjedisit është shumë e ulët, por ajo nuk paguhet nga qytetarët.
Kryeministri Sali Berisha e caktoi 20 prillin si një ditë aksioni për pastrimin e vendit, duke angazhuar administratën e shkollat për këtë çështje. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë.
Të caktojmë datën 20 prill si ditën e Shqipërisë së pastër, kur të dalin të gjithë nga çdo skaj i vendit të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugët, të prekim me dorë mjedisin. Ministria e Mjedisit të marrë të gjitha masat të përcaktojë hartën e ndërhyrjeve, administrata, shkollat, institucionet, komunitetet në mbarë vendin do të angazhohen në këtë ditë për mjedisin, tha Berisha.
Shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe u kërkoj institucioneve mbështetje totale, kanë përzgjedhur 9 majin. I garantoj se do të kenë vetëm mbështetje. Se sikur çdo javë të bëhet ka nevojë për pastrim vendi ku ne vetë e kemi katandisur, tha Berisha.