Edi Rama: “Qeveria të tërhiqet sa më shpejt”

Për të dhënë kontributin e tij në zgjidhjen e konfliktit katërpalësh MTKRS-FSHF-FIFA-UEFA, u përfshi edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
"Është një lajm i keq që të përjashtohemi (nga FIFA) për shkak të një politike të vjetër të kryeministrit Berisha. Për të dytën herë brenda 17 viteve Shqipëria pezullohet nga FIFA", - tha Rama, që në rininë e tij është marrë me basketboll.
"Qeveria shqiptare nën hyqmin e Sali Berishës bën një figurë të shëmtuar në sytë e një organizate të madhe ndërkombëtare", - theksoi kreu socialist Rama. FIFA numëron rreth 205 anëtarë të saj. Kjo është një shfaqje e një kulture primitive të raporteve me ndërkombëtarët".
Rama kërkoi dorëheqjen e ministrit të Sporteve, Ylli Pango. "Kur të grithë prisnim një reflektim të kryeministrit Berisha për shkarkimin e ministrit të Sportit, ai bën të kundërtën, duke thënë se do të zbatohen ligjet e vendit".
Kryesocialisti lëshoi edhe një batutë: "Ai (Berisha) është bërë si Haxhi Qamili, i cili thoshte se sa ta kem mirë më Sharrën e Ndroqin (dy fshatra të Tiranës) nuk pyes për Parisin e Londrën".
Kryetari i Bashkisë shtoi se është momenti për t'u reflektuar për dëmet e mëdha që ka sjellë politika e vjetër.
"Gjithcka është krijuar në mënyrë artificiale nga kryeministri Sali Berisha, ministrat e tij të papërgjegjshëm, nga mënyra e tyre të parit të botës", - theksoi Rama, që rikujtoi edhe përjashtimin e parë të Shqipërisë.
"Besoj se ashtu si në vitin 1996, kur dështuan për të vënë në thundër futbollin, kur presidenti Berisha i bën dëm futbollit dhe u tërhoqën më pas, po kështu do të tërhiqen mbrapsht edhe kësaj radhe".
Së fundi edhe një thirrje: "Është koha të tërhiqen sa më parë, pasi nuk mund të privohen shqiptarët nga përfaqësimi i Shqipërisë nga arena ndërkombëtare të ekipit kombëtar apo dhe skuadrave të tjera. Nuk duhen bërë akuza pa prova për të vënë Shqipërinë në këtë situatë qesharake"
Të premten në mbrëmje edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta bëri një deklarimit të ashpër: "Ne kërkojmë të futemi në NATO, ndërsa këta (qeveria shqiptare dhe ministria e Sporteve) na heqin nga FIFA", ku kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit Pango.