E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama: Shqipëria është këtu ku është për faj të burrave, mund të shkojë aty ku duhet për meritë të grave

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Korça ftoi gratë dhe vajzat e gjithë Shqipërisë që të bëhen pjesë e forumit të gruas socialiste. Si një nismë e një grupi deputetesh socialiste, qëllimi i këtij rrugëtimi  i cili ka nisur me herët në qytetin e Durrësit dhe Shkodrës, ka të bëjë me angazhimin e PS që gratë dhe vajzat të zënë vendin që u takon në familjen e madhe politike socialiste.

Në Korçë Rama kërkoi kontributin e tyre për një angazhim gjithëpërfshirës për realizmin e programit Për një Rilindje Shqiptare.

Ne kemi një program ambicioz i cili e prek në disa aspekte shumë të rëndësishme edhe mungesën e ekuilibrit gjinor në Shqipëri dhe i cili adreson në mënyrë të qartë nevojën për një sërë politikash të reja në drejtim të gruas dhe të vajzës në Shqipëri. Duke filluar që nga fëmijët e të gjithë atyre grave që janë të papuna. Madje duke filluar që tek shtatzënia ku ne besojmë se asnjë nënë e re për shkak se është e papunë dhe prandaj edhe e pasiguruar, nuk duhet lënë pa përfituar nga leja e shtatzënisë dhe pa marrë atë që i takon çdo gruaje të re në periudhën e shtatzënisë si kontribut të shoqërisë. Duke vazhduar pastaj me trajnimin e të gjithë nënave të reja që janë të papuna për të mundur që të gjejnë një punë. Më tutje akoma me angazhimin e grave dhe të vajzave në administratën publike në mënyrë që të mos ketë diskriminim dhe në mënyrë që asnjë grua dhe asnjë vajzë të mos ndjehet e pabarabartë në kërkimin e një vendi pune. Janë shumë çështje të hapura që kërkojnë një forcë me vështrim të gjerë dhe mendje të hapur. Partia Socialiste është një forcë e tillë, por duke pasur edhe më shumë gra edhe më shumë vajza në përbërjen e saj Partia Socialiste do të jetë edhe më shumë një forcë me mendje të hapur dhe më një këndvështrim shumë më të gjerë mbi shoqërinë dhe mbi të ardhmen e saj, tha Rama.

Sepse unë besoj me gjithë zemër që Shqipëria është këtu ku është, domethënë jo aty ku duhet të ishte për faj të burrave. Mund të shkojë aty ku duhet të shkojë për meritë të grave. Dhe nëse ka një rol që burrat duhet të luajnë në këtë fazë historike për zhvillimin e vendit është që tu hapin rrugë sa më shumë grave dhe sa më shumë vajzave që të përfshihen në jetën shoqërore, në jetën publike dhe në jetën politike. E nëse ka një gjë që gratë dhe vajzat duhet të bëjnë është që të përfitojnë nga çdo mundësi dhe rrugë për tu përfshirë në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet më i fortë dhe që politika të bëjë gjithmonë e më pak pa to dhe të jetë gjithmonë e më shumë e influencuar prej tyre. Ju mund ta bëni këtë mjafton që ta besoni dhe keni bërë gjysmën e rrugës. Ju mbetet për të bërë gjysma tjetër me këtë besim dhe të gjitha sëbashku. Sigurisht bashkë me ne që nuk do mungojmë për asnjë moment tju japim të gjithë mbështetjen tonë në mënyrë që ju të keni të gjithë hapësirën e duhur dhe ndërkohë ne të marrim të gjithë përfitimin e nevojshëm nga kontributi juaj në funksion të një Partie Socialiste që duhet të jetë ende më e hapur, ende më e emancipuar, ende më moderne dhe ende më e të gjithëve, pas asnjë dallim gjinor, pa asnjë dallim në asnjë nivel. Kjo është partia më e madhe e shqiptarëve, kjo duhet të jetë çdo ditë partia ku çdo shqiptar apo shqiptare që kërkon të realizojë shpresat dhe ëndrrat e veta në këtë vend të gjejë vendin e vet dhe të gjejë rrugën e vet për të kontribuar bashkë me gjithë të tjerët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›