E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokol Olldashi mbron rrugën e Fahri Balliut: Është autostrada më e lirë në rajon

Share

Kostoja është rritur nga 42 milion euro në 60 milion, por Olldashi thotë se kjo është rruga më e lirë në rajon. Ai thotë se fajin për këto zvarritje e kanë socialistët, edhe pse pranon se nënkontraktori Alban Tirana, kompania e mikut të Fahri Balliut, nuk ka plotësuar punimet në kohë

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, doli sot në një konferencë për shtyp për të mbrojtur rrugën Levan- Vlorë, që po ndërtohet nga kompania Alpine, që ka për administratore kunatën e Fahri Balliut. Rruga ka marrë edhe 18 milion euro financime shtesë, ndërkohë që kostoja e saj ka shkuar në 60 milion euro për 24 kilometra, nga 42 milion euro që ishte fillimisht. Për më tepër zvarritja ka qenë e padurueshme për banorët e zonës. Ky projekt ishte gati që në kohën e socialistëve, por edhe sot e kësaj dite nuk ka mbaruar.

Olldashi në konferencën e tij tha se firma Alpine ofroi 42 milion euro për projektin dhe ajo mori aprovimin e bankave evropiane që financojnë projektin.

Olldashi tha se fituesin nuk e kanë vendosur nënkontraktorët, duke iu referuar kompanisë Alban Tirana, e një njeriu pranë Fahri Balliut. Madje Olldashi tha se kjo kompani nënkontraktore është larguar nga projekti.

Ka patur spekullime se nënkontraktorët përcaktuan fituesin. Kjo është absolutisht e pavërtetë, pasi procedura e zhvilluar, sikurse thashë më sipër, mori miratimin e bankave europiane. Për më tepër, me kërkesë të ministrisë dhe të drejtorisë së rrugëve, nënkontraktori kryesor, Alban-Tirana, është larguar nga projekti, për shkak të mospërmbushjes së programit të punimeve, që në vitin 2009, tha Olldashi duke pranuar kështu që paska pasur vonesa.

Më pas Olldashi fajësoi socialistët se kanë dorëzuar një projekt të paplotë.

Projekti i bërë në kohën e partisë socialiste, reflektonte një gabim material prej 4.9 milionë euro. Eshte vetëm një gabim aritmetik, pa asnjë pasojë për projektin. Dëgjova deputetin socialist Artan Gaçi, të thotë se duhet penalizuar Drejtoria e Rrugëve. Nëse duan të penalizojnë dikë, le të penalizojnë drejtuesit socialistë të ministrisë së kohës, por, për hir të së vërtetës, më duhet të them që nuk ka vend për penalitete. Shtesa për mospërputhjet e projektit i është nënshtruar ekspertizës së bankave europiane dhe është miratuar edhe prej tyre.

Projekti  i hartuar në kohën e qeverisjes së partisë socialiste nuk parashikonte shtresën e stabilizantit, e domosdoshme për cilësinë dhe jetëgjatësinë e rrugës, shtresë kjo që kërkon 2 milionë euro. Dëgjova deputetin Besnik Baraj të pyeste i çuditur se si ka mundësi që sot të ndodhë kjo. E para kjo nuk ka ndodhur sot, por më 2004, ndaj, nëse ka pyetje për të bërë, z. Baraj le tia drejtojë kolegëve të tij në partinë Socialiste, ish-drejtues të transportit atëkohë. Përsëri më duhet të them që, edhe në këtë rast, nuk ka vend për penalizime. Shtesa për stabilizantin i është nënshtruar ekspertizës së bankave europiane dhe ka mare aprovimin e tyre, tha Olldashi.

Në fund Olldashi deklaroi se kjo është rruga më e lirë në rajon.

Mundet të ngrenë komision hetimor dhe të gjithë ne, nga unë deri tek specialisti më i fundit i drejtorisë së rrugëve, do të jemi mëse të gatshëm të paraqitemi para tyre dhe të sqarojmë çdo detaj, çdo qindarkë të shpenzuar për këtë rrugë. Munden ti drejtohen prokurorisë që të ndërmarrë hetime për procedurën e ndjekur dhe mënyrën sesi janë përdorur fondet publike në këtë projekt. Madje, e ftoj prokurorinë që të hetojë kryesisht cdo dyshim që hedhin publikisht deputetët e opozitës.

Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Levan Vlorë, me një kosto prej vetëm 2.45 milionë euro për kilometër, është autostrada më e lirë në rajon, tha Olldashi.

Gazeta Tema pati denoncuar se kunata e Fahri Balliut në bashkëpunim me disa serbë kishin marrë nën logon e kompanisë Alpine ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm.

Madje nënkontraktor ishte Alban Tirana, sërish një njeri pranë Balliut. Fijet e tyre lidhen edhe në kompani të tjera, ku del emri i Henris Balliut, vajzës së botuesit të gazetës 55, e cila edhe pse ishte shumë e re, u përfshi me firmën e saj në ndërtimin e Fabrikës së Vdekjes në Gërdec.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›