Edi Rama: “U ndamë nga një njeri, nga ata që bëjnë histori”
“Sot vdiq një njeri nga ata që bëjnë histori. Tani i Topit arriti i vetëm për 7 vjet atë që vendeve si Shqipëria u duhen 70 vjet për të arritur. Ai jetoi me 300 km në orë dhe fluturoi larg, duke kapur ëndrrën e tij dhe duke ndezur ekranin e shekullit të ri në një Shqipëri që ende jeton pas perdes së shekullit të vjetër. Vepra madhështore që Tani i Topit ndërtoi me intuitën e një gjeniu dhe pasionin e një fëmije është modeli i një suksesi të barabartë me një jetë frenetike të jetuar në timon. Pa e ulur shpejtësinë për asnjë dekik. Pa pyetur për orën dhe as për rreziqet e rrugës. Pa fjetur përveçse duke mbyllur sytë për të ecur më shpejt. Pas profesionistëve e talenteve që në mikrofonin e Top-Albanias dhe ekranin e Top Channel-it gjetën oazin e zhvillimit të tyre në kushte optimale, ishte jeta e një njeriu në kërkim të pareshtur të cilësisë më të mirë. Pas prurjes së pandalshme të risive të komunikimit, formateve moderne të pasqyrimit të aktualitetit, të qeshurave therëse të “Fiksit” e atyre me lot të “Portokallisë”, tingujve të “Top Festit” dhe jehonës së stadiumeve të botës së Super Sportit në kohë reale, ishte jeta e një njeriu në garë me kohën. Pas tasteve të telekomandës që çelte çdo vit dritare të reja në shtëpitë tona, ishte jeta e një njeriu që s'mund të plakej. Ikja e tij përgjithnjë nga kjo botë, që nuk i mjaftoi asnjëherë, lë pas kudo trishtimin e thellë për çka humbi sot Shqipëria. Së bashku me dhimbjen e madhe tek unë për humbjen e një njeriu të jashtëzakonshëm, që pata fatin ta njoh nga afër qyshkur nisi t'i japë jetë ëndrrës për të cilën qe lindur dhe së cilës i kushtoi jetën”.
24 Maj 2008