Ilir Meta: “Tani i TOP-it, një humbje për të gjithë”
“Një dekadë më parë Shqipëria ishte një nga vendet më të prapambetura në fushën e mediave, kryesisht atyre elektronike. Por shpejt u ndërmorën mjaft iniciativa të guximshme e novatore, ku Top-Media spikati në mënyrë të veçantë, duke sjellë standardet më të larta, ashtu siç tregon edhe vetë emri i saj, duke e bërë Shqipërinë sot një nga vendet më të zhvilluara. Natyrisht, këtu ka meritën e padiskutueshme Dritan Hoxha apo “Tani i TOP-it”, siç e thërrisnin të gjithë. Unë vetë vonë e kam fiksuar emrin e tij të vërtetë, pasi atij i shkonte aq shumë emri i medias që ai e konceptoi dhe e rriti në nivelet më të larta bashkëkohore. Ndaj humbja e tij aksidentale është një humbje për TOP- Median, pasi tashmë asaj i mungon themeluesi e frymëzuesi i saj.
Humbja e Tanit është gjithashtu një humbje për mediat në Shqipëri, sepse ai vendoste TOP-standardet, të cilat konkurrentët duhet t’i ndiqnin e t’i referoheshin shpesh.
Por, mbi të gjitha, kjo është një humbje për shoqërinë, e cila ka nevojë për njerëz me kurajë e me ide, që shërbejnë si katalizatorë për të renë, jo vetëm në media, por në të gjitha fushat e zhvillimit për të kapërcyer prapambetjen historike të një populli që, heqja e kufijve të izolimit shekullor me Europën dhe nevoja për një identitet të fortë kombëtar në procesin e integrimit, e kërkon më shumë kontributin e tyre.
Ndaj bashkohem me dhimbjen e thellë të familjes, të miqve e shokëve të Tanit të TOP-it, të të gjithë bashkëpunëtorëve të tij. Por shpresoj se tradita, vizioni dhe standardet që vendosi Tani në media do të vazhdojnë të jenë në shërbim të gjithë shoqërisë shqiptare dhe modernizimit të pandërprerë të saj”.
24 Maj 2008