E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama aleancë me trafikantë”

19-10-2012 / Gazeta 55

PD reagon ndaj arrestimit për mashtrim të koordinatorit të grevës së urisë Asllan Patriotit

“U zbulua edhe një dëshmi tjetër tronditëse nga aleanca e Rama-Tufa”
 
Partia Demokratike ka reaguar për arrestimin e koordinatorit të grevës së ish-të përndjekurve, Asllan Patrioti, duke e cilësuar si një tjetër bashkëpunëtor të kryesocialistit Rama.
“Konkretizimi i motos së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ‘Të bashkohemi me të gjitha fundërrinat për të përmbysur mazhorancën aktuale’ pas aleancës me trafikantin Skënder Tufa, pati  një dëshmi tjetër tronditëse”, deklaroi zëdhënësja e PD.
Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi theksoi se Rama ka ngritur një grevë private me një njerëz të akuzuar për vepra penale të rënda, duke iu referuar së fundmi edhe arrestimit të koordinatorit të grevës së urisë.
“Prokuroria e Shtetit arrestoi mbrëmë koordinatorin tjetër të Edi Ramës për grevën e tij private të paligjshme Asllan Patrioti, pasi ishte i filmuar si gjobëvënës, mashtrues e rryshfetxhi. Partia Demokratike denoncon para opinionit publik Edi Ramën dhe aleancën e tij publike me trafikantë dhe kriminelë ordinerë si një fyerje dhe poshtërim për forcën e tij politike dhe mbështetësit e saj të ndershëm kudo në Shqipëri”, theksoi Bardhi.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike është shprehur se me këto veprime Edi Rama po dëshmon para socialistëve të thjeshtë por edhe qytetarëve, se Rilindja e tij nuk është gjë tjetër veçse Rilindja e bllokut dhe falangave të krimit të organizuar.
“Me këto veprime Edi Rama, dëshmon para socialistëve të thjeshtë por edhe qytetarëve shqiptarë në tërësi, se Rilindja e tij nuk është gjë tjetër veçse Rilindja e bllokut dhe falangave të krimit të organizuar. Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe vendosjen nga Edi Rama në krye të grevës së paligjshme të organizuar prej tij, persona ordinerë të inkriminuar me qëllimin më djallëzor dhe të ligë, personifikimin me ta të martirëve të gjallë të kalvarit të etërve hoxhistë të Edi Ramës”, vijoi ajo.
Më pas Partia Demokratike u bëri thirrje familjarëve dhe të afërmeve të grevistëve, të mos pranojnë që njerëzit e tyre të shfrytëzohen dhe keqpërdoren në funksion të karrierës politike të një njeriu që urren të përndjekurit politikë, martirët e gjallë të lirisë, njësoj si i ati i tij që firmoste në vitin ‘89 varjen e disidentëve të regjimit hoxhist.
Ndër të tjera Partia Demokratike fton familjarët e grevistëve të pyesin kryetarin e PS-së Edi Rama se, “pse 8 vjet në pushtet ai dhe partia e tij shpërblyen me qindra e qindra milionë Lek bllokmenët e tyre Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën, Simon Stefanin, Aranit Çelën, Rrapi Minon e të tjerë xhelatë të egër të martirëve të gjallë të lirisë, dhe nuk shpërblyen as dhe një qindarkë këta të fundit?”.
Gjithashtu zëdhënësja e PD, Bardhi ftoi familjarët e grevistëve që të mos bien fre e propagandës së Ramës dhe garantoi se dëmshpërblimi do të vazhdojë sipas ligjit. 
“Ne ftojmë familjarët e grevistëve që po keqpërdoren nga Edi Rama pasi Partia Socialiste me të ardhur në pushtet përzuri si armiq klase nga institucionet shtetërore dhe publike mbi 4 mijë e 200 të përndjekur politikë dhe familjarë të tyre dhe i zëvendësoi ata me enveristë, gardianë e persekutorë të tyre. Partia Demokratike mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për dëmshpërblimin në përputhje me ligjin në fuqi të të përndjekurve politikë”, nënvizon deklarata e Partisë Demokratike.
Ndër të tjera, zëdhënësja e PD ka sqaruar se mazhoranca,  “ka vendosur për këtë qëllim normën më të lartë të dëmshpërblimit se çdo vend tjetër në Europë dhe është plotësisht e bindur se ka marrë një vendim të drejtë dhe plotësisht të merituar. Natyrisht Partia Demokratike është e vetëdijshme për vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj shtrese, por ajo ka faktuar me punë, fakte, angazhimin e saj serioz, për njohjen dhe shlyerjen e detyrimit të shoqërisë shqiptare ndaj martirëve të gjallë të lirisë”.
Në fund të deklaratës së saj, PD ka bërë një sintezë të punës dhe detyrimeve të shlyera për ish-të përndjekurit politik.
“Në vitet e saj  në pushtet Partia Demokratike ka dëmshpërblyer deri sot shtresën e të përndjekurve politikë me: 103 milionë Dollarë, Lek dhe lek privatizimi; Me 2 mijë e 200 apartamente; 2 mijë e 751 ndërmarrje, fabrika objekte e linja prodhimi të privatizuara me çmime simbolike; Si edhe me mbi 22 mijë të drejta studimi, bursa ose tarifa shkollimi në universitetet e vendit.  Partia Demokratike garanton shtresën e të përndjekurve politikë, burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat fisnikë të kësaj shtrese se ajo me përgjegjësi të lartë, respekt të palëkundur, do të përmbushë plotësisht detyrimin e shoqërisë shqiptare”, përfundoi zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›