E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Koru: Investitorët dhe kompanitë turke në Shqipëri, histori suksesi

19-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon Zëvendësministrin e jashtëm turk Naci Koru dhe përfaqësues të parlamentit turk
 
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, zotin Naci Koru, i cili shoqërohej nga një delegacion i përbërë nga Kryetari i grupit të miqësisë Shqipëri –Turqi, në parlamentin  turk, zoti Rifat Sait, Drejtori i Institutit Kulturor “Jonuz Emre”, Prof. Dr. Ali Fuat Bilkan, deputetë, përfaqësues të botës akademike, drejtues dhe pedagoge të universiteteve të ndryshme turke, të cilët ndodhen në Shqipëri me rastin e hapjes së filialit të Institutit Kulturor “Jonuz Emre”, në Shkodër.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi këtë si një vizitë shumë të rëndësishme dhe një kontribut tjetër në marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësore  e vëllazërore mes të dy popujve dhe vendeve tona, duke vlerësuar me këtë rast rolin e qendrës “Jonuz Emre” në shkëmbimet kulturore dhe afrimin e  mëtejshëm mes dy kombeve.

Zëvendësministri i Jashtëm Koru dhe anëtaret e tjerë të delegacionit e falenderuan përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcollën atij përshëndetjet e përzemërta të presidentit Abdullah Gyl, kryeministrit Recep Tayip Erdohan dhe ministrit të jashtëm Davut Oglu, si dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit mik.

Në takim u ripohua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve miqësore e vëllazërore mes dy vendeve e kombeve dhe u konfirmua vullneti për t’i konsoliduar më tej ato në të ardhmen. Miqtë nga Turqia e uruan gjithashtu Kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e pavarësisë dhe për zhvillimin e prosperitetin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Duke falënderuar për urimet e tyre të përzemërta për 100 vjetorin e pavarësisë, Kryeministri Berisha ritheksoi faktin e lidhjeve të shumta midis dy popujve  e kombeve përpara shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të cilat u konsoliduan më tej gjatë këtyre 100 viteve marrëdhëniesh të ngushta, të shkëlqyera mbështetjeje, bashkëpunimi e miqësie midis të dy vendeve  e kombeve. Në këtë kontekst,  kryeministri Berisha i përcolli edhe njëherë presidenti Gyl dhe kryeministrit Erdogan, dëshirën e qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve që ti mirëpresin ata, gjatë kremtimeve të këtij 100 vjetori, në Tiranë si miq të mëdhenj  e të shquar të Shqipërisë e të kombit shqiptar.

Më tej, Kryeministri  Berisha, duke vlerësuar situatën tejet shqetësuese të krijuar nga barbaritë  e regjimit të Asadit në Siri, çka ka shkaktuar dhimbje të mëdha për qytetarët dhe popullin sirian, i shprehu gatishmërinë  e qeverisë shqiptare për të ofruar ndihmën e saj përmes ekipeve mjekësorë apo dhe ndihma të tjera humanitare, Turqisë mike, e cila po strehon në këtë moment mbi 100 mijë qytetarë sirianë që janë larguar nga vendi i tyre për ti shpëtuar barbarive të regjimit gjakatar të Asad.

Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se qeveria shqiptare dënon me forcë të gjitha aktet e dhunës së këtij regjimi barbar si dhe çdo lloj provokacioni që ky regjim po i bën Turqisë dhe sigurisë në rajon.
Me tej, në takim u rivlerësua suksesi i investitorëve dhe kompanive të rëndësishme e prestigjioze turke që ndodhen tashmë me investime në Shqipëri, si histori suksesi për vetë ato, por edhe për Shqipërinë.
Zëvendësministri Koru i konfirmoi Kryeministrit  Berisha se dëshira dhe interesi i investitorëve turq për të ardhur dhe investuar në Shqipërinë mike ka shënuar gjatë këtyre viteve të fundit një rritje dhe intensitet të paparë ndonjëherë dhe se qeveria turke do të vijojë të nxisë interesin dhe investimet e rëndësishme turke në Shqipëri, në interesin më të mirë të të dy popujve dhe vendeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›