E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama aventurier, ndahet e martohet sa herë ka zgjedhje

15-06-2013 / Gazeta 55

PD, miting elektoral në zonën e Kënetës, Durrës

Nga tubimi elektoral që Partia Demokratike ka zhvilluar në Kënetë të Durrësit, ku prezantoi kandidatët për deputetë të kësaj zone Oerd Bylykbashin, Igli Carën dhe Eduard Halimin, kryeministri Sali Berisha deklaroi se shumë shpejt do të miratohet projekti gjigant i gazsjellësit TransAdriatik (TAP), i cili sipas tij, lartësoi emrin e Shqipërisë në botë. “Së shpejti, brenda pak ditëve, lajmi i madh për të gjithë shqiptarët, gazsjellësi Transadriatik do të miratohet. Ky projekt së bashku me Kaskadën e Devollit lartësojnë në mbarë botën, emrin e Shqipërisë, potencialet e mëdha ekonomike, besueshmërinë e saj në mbarë botën”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë, duke e cilësuar alternativën e shumicës së djathtë si alternativën e zhvillimit të Shqipërisë, u shpreh se përballë qëndron alternativa e nxirjes së çdo gjëje. “Në këto zgjedhje miqtë e mi përballen dy alternativa, alternativa  e mundit dhe e djersës, e përkushtimit dhe  e vlerave, alternativa me të cilën së bashku me ju anëtarësuam Shqipërinë në NATO, së bashku me ju po ecim drejt Evropës, së bashku me ju dyfishuam bizneset, së bashku me ju do i dyfishojmë më tej, shumëfishuam turizmin do e dyfishojmë më tej. Së bashku me ju, do të realizojmë projekte zhvillimore, porte, aeroporte, porte energjetike , për të punësuar dhjetëra mijë shqiptarë. Së bashku me ju po rrisim rroga dhe pensione po e shndërrojmë Shqipërinë në superfuqi, në vend lider në energjinë jeshile në rajon. Janë në ndërtim  e sipër dhjetëra e qindra HEC-e. Alternativa tjetër është alternativa e nxirjes së çdo gjëje që ju gra dhe burra fisnikë keni arritur me mundin dhe djersën e punës suaj. Për këtë alternativë, shtëpitë tuaja nuk janë vila të bukura të vaditura me djersën tuaj , por janë shpella dhe ju jeni shpellarë. Për këtë alternativë, ujësjellësi dhe uji që merrni 24 orë nuk është i vërtetë, por ju jeni mesjetë dhe shkuar mesjetës. Kjo shkollë është piramidë është e gënjeshtër dhe nuk ekziston. Në alternativën e nxirjes, në Shqipëri në 4 vite nuk ka ndodhur asgjë e mirë, NATO-ja është natë, lëvizja pa viza nuk është liri dhe nuk ekziston, nuk ka asnjë vlerës dhe duhet bllokuar. Në këtë alternativë, ju të dashur qytetarë që jeni këtu, jeni robër, jeni skllevër dhe nuk jeni njerëz të lirë. Në këtë alternativë gjithçka duhet shembur dhe duhet filluar nga zero sepse nga xhamat e zinj të autobusit mavi, kjo është Shqipëria e gënjeshtër, nuk është Shqipëri e vërtetë. Por kjo është Shqipëri e vërtetë, pa diskutim që ka vuajtje, ka dhimbje, ka probleme, por ka edhe sukses, ka zhvillim dhe ju e nxorrët Shqipërinë nga rast i humbur, nga rast i dështuar, në rast të fituar, në rast të suksesshëm”- tha Berisha. Gjithashtu, shefi i ekzekutivit premtoi vende të reja pune si dhe rritje pagash dhe pensionesh gjatë mandatit të ardhshëm. “Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Në vijë ajrore, pak qindra metra na ndajnë nga porti me i fuqishëm energjetik, ku çdo ditë investohet dhe se shpejti do të jetë porti më i fuqishëm energjetik i rajonit ku do të punësohen mijëra qytetarë. Punësimi është motoja jonë, rritja e rrogave dhe pensioneve për ju është objektivi ynë më madhor, integrimi i Durrësit, integrimi i Shqipërisë në BE, është rruga jonë, është ylli ynë polar nga i cili do të bëjmë  gjithçka për të arritur sa më shpejt”- theksoi kryeministri. Ndërkaq, Berisha ka sulmuar kryesocialistin Rama duke e cilësuar atë si aventurier që ndahet dhe bashkohet me gratë sa herë vijnë zgjedhjet për qëllime elektorale. “Modeli tjetër është modeli i një njeriu që 270 ditë në vit nuk shkelte në zyrën e punës. Është modeli i një njeriu të dështuar, modeli i një burri aventurier që ndahet dhe bashkohet me gra sa herë vijnë zgjedhjet për qëllime elektorale. Është njeriu që zhvillon në familje gjyqe me akuza të pavërteta ndaj familjarëve të tij. Fsheh dhe nuk deklaron pasurinë. Berisha 20 vjet në politikë ka një apartament 125 metra katror. Cili është modeli i shokut të autobusit mavi, një pallat mbi shpinë, asnjë qindarkë e deklaruar. Modeli i tij është brutaliteti, sharje përbuzje ndaj atij që e kundërshton” - deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›