E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku primatit anglikan Uellbi: “Impenjim i përbashkët për paqen e të varfërit, jetën e familjen”

15-06-2013 / Gazeta 55

Mbrojtja e jetës dhe e familjes, bazuar mbi martesën, impenjimi për më shumë drejtësi shoqërore, për t’i dhënë zë britmës së të varfërve e për zgjidhjen e konflikteve, duke nisur nga kriza siriane. Këto fusha bashkëpunimi ndërmjet Kishës katolike e Kishës anglikane u vunë në dukje sot paradite nga Papa Françesku, gjatë audiencës me kryeipeshkvin e Kanterburit, primat i Bashkimit anglikan, Xhastin Uellbi, për vizitë në Vatikan me bashkëshorten e grupin shoqërues. Impenjimi për kërkimin e bashkimit të të krishterëve nuk është fryt i përpjekjeve të natyrës praktike, tha Papa, por i vetë vullnetit të Zotit tonë, Jezu Krishtit. Pas bisedës private dhe shkëmbimit të dhuratave, u kremtua një lutje e përbashkët në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit. Ishte takim vërtet vëllazëror, në gjurmët e vizitës historike të kryeipeshkvit Majkëll Ramsei, në vitin 1966, pritur nga Pali VI. Papa Françesku bëri të vetat fjalët e paraardhësit, duke e pritur kryeipeshkvin Uellbi “jo si mysafir e i huaj, por si bashkëqytetar i familjes së madhe të Hyjit”. Primati anglikan, nga ana e tij, pohoi se ndjehej si në shtëpi të vet. Është hera e parë që takohen Papa Françesku e Primati Uellbi, të dy në fillim të misionit të tyre, nisur marsin e kaluar. Ati i Shenjtë e falënderoi Uellbin për kujtimin në lutje gjatë kremtimit të marrjes në dorëzim të katedrales së Kanterburit: “Pasi i nisëm misionet përkatëse me pak ditë diferencë, kemi gjithnjë arsye të veçantë ta mbështesim njëri-tjetrin me lutje”.
E gjatë dhe e ndërlikuar, historia e marrëdhënieve ndërmjet Kishës së Anglisë e asaj të Romës, në të cilën nuk mungojnë edhe çastet e dhimbshme, pohoi Papa, duke kujtuar, në vijim, udhën e afrimit e të vëllazërimit gjatë viteve të fundit dhe rëndësinë e kumtimit të përbashkët të vlerave të krishtera, përballë një shoqërie, që duket sikur po i vë në diskutim disa nga bazat e bashkëjetesës, si shenjtëria e jetës njerëzore e qëndrueshmëria e institutit të familjes, themeluar mbi martesën. Njëlloj, vuri në dukje Papa, edhe impenjimi për më shumë drejtësi shoqërore e për një sistem ekonomik në shërbim të njeriut e të së mirës së përbashkët: “Ndërmjet detyrave tona, si dëshmitarë të dashurisë së Krishtit, është edhe përpjekja për të bërë të dëgjohet britma e të varfërve, që të mos braktisen në mëshirën e ligjeve të një ekonomie, e cila nganjëherë duket sikur e shikon njeriun vetëm si klient”.
Kur të krishterët jetojnë e punojnë së bashku, në harmoni, shtoi Papa Françesku, mund t’i sjellin botës atë, që dëshiron më shumë: paqen. Prej këndej, mendimi shkoi tek kriza e vështirë siriane. Papa kujtoi impenjimin e përbashkët të kryeipeshkvit Uellbi dhe të kryeipeshkvit të Uestminsterit, imzot Nikols, i pranishëm në audiencë, për t’i nxitur autoritetet që të gjejnë sa më shpejt një rrugë paqësore në zgjidhjen e konfliktit. Papa kërkoi: “Të gjindet një rrugëzgjidhje paqësore për konfliktin sirian, që garanton edhe sigurinë e mbarë popullsisë, duke përfshirë pakicat, ndërmjet të cilave, bashkësitë e lashta kristiane vendase”. Edhe kryeipeshkvi anglikan Uellbi foli për vuajtjet, që pësojnë të krishterët e viseve të ndryshme të botës, nën zgjedhën e krizave të të gjitha natyrave: “Ndërsa ne flasim, vëllezërit e motrat tona në Krishtin vuajnë tmerrësisht nga përdhuna, shtypja, lufta, pasoja të qeverisjes së keqe dhe të sistemeve ekonomike të padrejta. Nëse ne nuk do të jemi avokatët e tyre, në emër të Krishtit, e kush do të jetë?”.
Pa i fshehur ndryshimet ndërmjet anglikanëve e katolikëve, primati anglikan shtoi, duke cituar Benediktin XVI, se caku është aq i madh, sa e përligj plotësisht lodhjen e udhës.
Papa Françesku, në përfundim, e vlerësoi lart përpjekjen e Kishës së Anglisë për t’i kuptuar arsyet, që e shtynë Papën e Nderit t’i pranojë grupet e anglikanëve, të cilët kërkuan të kalojnë në Kishën katolike: “Jam i sigurt se kjo do të na krijojë mundësinë të njihemi më mirë e t’i vlerësojmë, në botën katolike, traditat shpirtërore, liturgjike e baritore, që përbëjnë trashëgiminë anglikane”.
Papa lajmëron botimin e një enciklike për fenë, shkruar “me katër duar”/I rëndësishëm, takimi i sotëm i Papës Françesku me Këshillin e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, mbledhur në Vatikan për të diskutuar mbi temën “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë”. Duke lënë mënjanë fjalimin e përgatitur, Ati i Shenjtë bashkëbisedoi lirisht me të pranishmit. Një Enciklikë për fenë, qe lajmi më i rëndësishëm që u dha Papa, duke u shpjeguar se përse nuk botohet tani Nxitja Apostolike pas sinodale, e cila do të eklipsohej nga vetë Enciklika. Është shkruar “me katër duar”, qeshi Ati i Shenjtë duke cituar shprehjen, që i referohet rënien së pianos nga dy vetë. Pastaj shpjegoi se enciklika është filluar nga Benedikti XVI e do të çohet deri në fund nga Papa aktual, pra nga ai vetë, që do të punojë për të sidomos gjatë gushtit, kur impenjimet do të jenë më të pakta. Duke kërkuar që Sinodi i Ipeshkvijve të favorizojë më tepër dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet ipeshkvijve dhe ndërmjet tyre e Ipeshkvit të Romës, Papa Françesku i propozoi Këshillit tri tema reflektimi për të ardhmen. Së pari, çështja e bashkëjetesave para martesës, të cilat janë të shpeshta edhe në gjirin e katolikëve; së dyti, ekologjia e njeriut, mbrojtja e njeriut, para praktikave aktuale të mjekësisë, që shkojnë kundër vlerave kryesore të jetës; e së treti, tema e Kishës, me të gjitha dritëhijet e saj, duke përfshirë bashkëpunimin e koordinimin ndërmjet Sinodit e Ipeshkvit të Romës. Të gjitha këto tema, nënvizoi Ati i Shenjtë, u janë propozuar këshillit prej tetë kardinajsh, të cilët Papa i ka thirrur për të dhënë sugjerime mbi mbarëvajtjen e Kishës Katolike. Ndërkaq, në fjalimin e përgatitur, të cilin e përmblodhi në fillim, Papa Françesku vuri në dukje rëndësinë e ungjillëzimi të ri, sidomos në vendet tradicionalisht të krishtera, ku feja duhet të gjejë rrugë të reja për t’u shprehur e për t’u jetuar. Duhet të dalim nga vetvetja, e këshillon Papa argjentinas bashkësinë e krishterë, duke i besuar krejtësisht pranisë së mëshirshme të Zotit, që na udhëheq. Teknikat, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë të rëndësishme, por as ato më të përsosurat nuk mund ta zëvendësojnë veprimin pa bujë, por të frytshëm të Shpirtit Shenjt. Pra, duhet ta lëmë veten të udhëhiqemi prej Tij, megjithëse na çon në udhë të reja, duke e shoqëruar kumtimin e Ungjillit të Krishtit me thjeshtësinë e jetës, me frymën e lutjes, me bamirësi për të gjithë, sidomos për më të vegjlit e më të varfërit, me përvuajtëri e përshpirtëri.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›