Edi Rama braktiset edhe në festën e 20 vjetorit të PS-së

Vetmia e Edi Ramës mbizotëronte dje në festën përkujtimore të 20 vjetorit të PS-së.
E paralajmëruar si një festë e madhe, me 700 – 800 të ftuar, ndoshta ky numër pjesëmarrësish arrinte në këto nivele. Por, kur “i hidhje një sy” 700 – 800 të ftuarve, kuptoje, se shumë pak prej kishin lidhje me historinë 20 vjeçare të kësaj partie. Në këtë “sy hedhje”, dukshëm “binte në sy” se pjesa dërrmuese e të ftuarve të mbrëmshëm, vetëm lidhje me jubileun e 20 vjetorit të PS-së nuk kishin. Por, sigurisht, edhe ata një lidhje e kishin me këtë parti. Por lidhja e tyre nuk shkonte më larg se një lidhje 6 vjeçare, kohë që korrespondon me kohën e drejtimit të PS-së nga Edi Rama.
Shkurt, të ftuarit e mbrëmshëm në ditën përkujtimore të PS-së, në një numër të konsiderueshëm të tyre, meritë të vetme në këtë 20 vjetor të kësaj partie, kishin vendosjen “e një lidhje të shkurtër” me Edi Ramën, në 6 vitet e fundit që ai drejton PS-në.
Gazetarët, prezentë në festën e mbrëmshme të PS-së, janë ndjerë jo pak në siklet, kur në tentativë “të gjuajtjes së lajmit”, nuk kanë mundur të mësojnë asgjë, pse në këtë 20 vjetor nuk ishin ftuar Fatos Nano, apo Ilir Meta, apo, apo, pse kishin refuzuar të merrnin pjesë Kastriot Islami, Ben Blushi e Andis Harasani. Gazetarët më kot u munduan të mësonin pse edhe Skënder Gjinushi e kishte injoruar ftesën e Edi Ramës...
Por më kot.
Askush, nuk dinte t’ju jepte një përgjigje.
Bashkim Fino e Pandeli Majko, jo e jo..., por as “gjaku i ri” i partisë, sikurse Vasilika Hysi, nuk dinin të “justifikonin” mungesat e “personave me peshë” në historinë 20 vjeçare të PS-së. Biles, biles, Vasilika Hysi, nuk dinte pse ajo ishte në atë festë dhe çlidhje kishte me jubileun e 20 të kësaj partie.
Nejse.
Në një situatë të tillë, ku pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në festën e mbrëmshme të PS-së, as njëri-tjetrin nuk njihnin, Edi Rama është ndjerë jo i qetë, ku ka parë Bashkim Finon diku të vetmuar, që as nuk i fliste dikujt dhe as ndokush nuk i fliste atij. Për t’ia lehtësuar vetminë Bashkim Finos, Edi Rama e thirri pranë vetes dhe nën shoqërinë edhe të bashkëshortes së tij më të fundit, Lindës, kanë bërë “një dorë muhabet”, ku sigurisht, në skadim të kohës që kryetari 6 vjeçar i PS-së, i la në dispozicion njërit ndër ish-kryeministrave që nuk mungonin dje në festë, ky i fundit, nuk harroi ti uronte “Gëzuar ditëlidnjen e Partisë!”.
Jo vetëm kaq, por për të mos e lënë veten të ndihej i vetmuar, si edhe për të “aktualizuar” “frazën legjendare”, për “përmasat e lirisë me të cilën jeton çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe”, Edi Rama zgjodhi, që “për sy e faqe” të personifikojë nëpërmjet Pandeli Majkos, “çdo anëtar (që dje mungonte) të kësaj familjeje të madhe”.
Por duket, se biseda me të vetmuarin tjetër Pandeli Majkon, nuk e kënaqi Edi Ramën.
Sepse, sepse, Pandeli Majko, në tentativë për ti bërë qejfin Edi Ramës në sy të Linda Bashës (nuk dihet ende në se është konvertuar në Linda Rama), i ekzaltuar nga “Tre shokët” e Remarkut, e krahasoi PS-në me atë makinën e vjetër në dukje, por me motor të fortë. Pandeli Majko tentoi ta vazhdojë edhe më tej “(mos)gjetjen e tij”, por kur erdhi puna te krahasimi konkret (i mbetur në tentativë), në se Edi Rama do të ishte kollodoku i motorit dhe ai vetë bjella, duket kryesocialsiti e kuptoi “(mos)gjetjen” e ish-kryeministrit tjetër pjesëmarrës në festë, ndaj tërhoqi për krahu Lindën, duke e lënë vetëm Pandin në vetëkënaqësinë e tij…
Pas kësaj, festa nuk pati ndonjë gjë të veçantë për të evidentuar, veç padurimit të Edi Ramës, për tu larguar “një çast e më parë”, nga ai ambient jofestiv.