E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Baba i vodhi të 40 hajdutët e tij!

13-06-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Fabulat e lashta në version të ri

Ky shkrim, në thelb të tij, do të nisë dhe do të mbarojë me një dukuri, që të lë gojëhapur për kundërthënien “në dukje” të partiçkave brenda qerthullit opozitar, miniparti të cilat janë solidare që Edvini të zhvatë sërishmi ofiqin e kryebashkiakut me +21 dhe të mos quhet fitimtar z. L. Basha, me +81! Nga ana tjetër, po këto parti, denbabaden të pavotuara, qaramane se s’bëjnë hair meqë iu vidhen votat, ia ngarkojnë këtë vjedhje jo PD-së, por ish-kryebashkiakut Edvin! Dukuri vërtet kontradiktore. 
Veçse kjo kundërthënie ka shpjegimin e vet. Sepse valltarët e këngës përmortore të liliputëve janë në një simbiozë dashuri-urrejtje, që i mban pranë, sidoqoftë, në hallin që i ka zënë ligsht. 
***
Sportisti S.Ngjela, një dhjetëvjeçar e kusur më parë, në kompeticionin Rama-Ngjela për “kupën” e bashkisë së Tiranës, paska dalë fituesi i kësaj Kupe, por „ndeshja“ paska qenë e trukuar dhe trofeu i qenka dhënë E. Ramës! Po t’i heqim veshjen sportive tregimit, do të shtojmë se pohimi është i humbësit-fitimtar(!), në një panel televiziv. Pra, duke ia hequr periudhës dollomanë sportive, - për  ta zbutur paksa domethënien therëse të rezymesë, - ky është një pohim i vetë ish-kandidatit, disa muaj më parë. Ç’është e vërteta, kjo thënie e Takut habiti dynjanë, se u tha si në ngërç të gjuhës së tij, - që zakonisht s’gjen pushim brenda gojës, - por këtë herë në surdinë. Në fund të fundit, kjo kishte edhe arsyen e saj: se trimi mbi trimat, gojëzbrazëti dhe çimka vetëdiskredituese kundër z. Berisha, (të cilin e kishte prerë në besë në njërin nga kapërcimet akrobatike degë më degë), tani kishte përfunduar në aleat besnik të Ali Babës. Megjithatë, megalomania hipokondriake shpesh nuk vonon të nxjerrë brirët. Kështu, në versionin e tanishëm të përrallës   së hershme, nuk kuptohet mirë nëse Ali Baba vjedh bashkëpunëtorët e tij në hajní, apo anasjellas! Në zgjedhjet e 8 majit të 2011-s, partitë lilipute  nën sqetullën e Ramës  nuk akuzojnë antagonisten e tyre PD, por PS-në! Domethënë akuzojnë Edvinin!
P. Milo tani po e kupton se nuk paska gjetur tempullin e përshtatshëm ku të falet. Ai thotë troç se votat ia paska vjedhur PS-ja! Edhe Gjinushi thotë pak a shumë të njëjtën gjë. Sa për Nardin gojëshpatë, edhe ai u mban iso dy të tjerëve! Por ai që flet më shkoqur, më drejtpërdrejt, është Hysni Milloshi, që ka marrë rreth 0,6 % të votave. Ky flet pa doreza. E cilëson Ramën me disa epitete të rënda, ndër të cilat nuk mungojnë togfjalëshat  si “mungesë ndershmërie” (zgjedhore, kuptohet); por kreu i PS-së etiketohet edhe me fjalën “poshtërsí”.
Është interesante se, me përjashtim të H. Milloshit, të gjithë vocërrakët e tjerë, ndonëse janë të pakënaqur nga luajaliteti fals i ish-kryebashkiakut përkundrejt interesave elektorale të tyre,  janë shfaqur, megjithatë, solidarë me Ali Babën e tyre, që ta marrë ky kreun e bashkisë (me + 10-shin e tij mender me thënë “historik”), ndonëse  hyjnë në korin e kukuvajkave kundër PD-së dhe liderit të tij. I bashkon kënga përmortore. Kjo farë kënge, i ka motivet në rrënojat e mendësisë enveriste, mentalitet të cilin e kanë stimuluar së bashku me shefin e tyre, Ali Babën!
Morali i kësaj fabule, - nëse mund të flitet për “moral” sipas një kuptimi letrar klasik, - është ajo kundërthënie flagrante se ata vetë nuk janë veçse pjesëtarë të asaj dyzetsheje (të Aliut), - e hajdutllëkut “reversibël” të trashëguar,- pra, janë edhe në marrëdhënie simbioze me Ali Babën!     

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›