E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama braktisi ceremoninë e dorëzimit të detyrës

26-07-2011 / Gazeta 55

Reagon ish-kryetari i bashkisë Albert Brojka


Detyrën e tij në vitin 2001 si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama do të merre nga paraardhësi i tij demokrat, Albert Brojka. Ish-kreu i Bashkisë së Tiranë nga viti 1996 deri në vitin 2000 kujton momentin kur i dorëzoi zyrën pasardhësit të tij, Edi Rama. “Ishte një moment normal. Fillimisht takimi është  bërë në një tjetër ambient, në ambientet e Piramidës, në mos gaboj, dhe më pas unë e kam pritur te zyra ime në bashki, ku i kam dorëzuar shiritin e kreut të Bashkisë dhe njëkohësisht e kam informuar për mënyrën sesi funksiononte bashkia dhe kemi zhvilluar një bisedë miqësore, të sinqertë”, thotë Brojka në një intervistë për televizionin “Klan”. Mungesa e qytetarisë sot 11 vite më vonë nga kandidati humbës, për Brojkën është një mesazh i mirë për votuesit e kryeqytetit. “Çdo kryetar bashkie duhet të tregojë dhe anën e vet njerëzore. Kryetarit aktual të bashkisë i duhej dhënë dora dhe i duhej uruar suksese në punën e re. Pavarësisht nga dëshirat dhe bindjet politike, jemi të majtë, të djathtë apo të qendrës ne i shërbejmë qytetit dhe duke i shërbyer qytetit kemi në plan të parë problemet e njerëzve”, thotë ai. Por si e sheh punën e pasardhësit të tij në krye Bashkisë së Tiranës, Edi Rama? Brojka thotë se më shumë sesa arritje ka pasur propagandë. “Ai ka propaganduar shumë me qëllim që të rriste karrierën e tij. Është një punë normale, të meremetosh rrugët apo të merresh me gjelbërimin nuk është një risi që e ka realizuar vetëm Rama. E kanë refuzuar edhe të tjerë. Është një detyrë e kreut të Bashkisë që të bëjë këto që janë bërë”, shprehet Brojka. Sfidat e kryeqytetit Albert Brojka i sheh të mishëruara tek programi i kreut të ri të Bashkisë, Lulzim Basha. “Sfidat e qytetit janë të shumta dhe janë kryesisht ato që ai ka premtuar përpara sesa të bëhej kryetar bashkie. Punësimi, përfundimi i zgjatjes së lumit të Tiranës dhe realizimi i Unazës së Tiranës”, tha Brojka, duke shtuar se ka besim të plotë te Lulzim Basha për vënien në jetë të këtyre projekteve të rëndësishme për transformimin e qytetit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›