“Do të jemi organ përfaqësues i qytetit”

Flet pas mandatimit, kryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti
Kryetari i ri i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti, i zgjedhur dje në këtë detyrë me votë të anëtarëve të këshillit bashkiak të kryeqytetit, deklaron se pas betimit të Lulzim Bashës para anëtarëve të këshillit bashkiak, ai zyrtarisht nis detyrën. Sipas Kosovrastit, zyrtarisht Basha është qyteti i parë i Tiranës. Ai vuri në dukje se fitorja e Bashës ishte e pritshme pasi ai zhvilloi një fushatë të shkëlqyer, duke trokitur në çdo derë të qytetit si dhe duke prekur çdo hall dhe problem.
“Të gjithë e dimë se Basha me kulturën e tij të formimit politik, dha një shembull për të gjithë politikanët në Shqipëri. Ai zhvilloi një fushatë të shkëlqyer, prandaj fitorja e tij ishte e pritshme”, tha Kosovrasti.
Tashmë kryetari i Bashkisë dhe Këshilli bashkiak do të kenë prioritet bashkëpunimin dhe mirëkuptimin. Kosovrasti tha se Këshilli bashkiak do të mbështesë në punën e tij, kryetarin e Bashkisë, Luzlim Basha. Ai tha se ka ardhur momenti që të ndryshojë njëherë e përgjithmonë roli pasiv i Këshillit Bashkiak.
“Është koha të mendojmë për Tiranën dhe unë besoj në zotësinë e qeverisjes së Bashës. Ka ardhur koha që edhe këshilli bashkiak të ketë rolin e tij konstruktiv, duke dalë nga strofkulla e pasivitetit. Këshilli Bashkiak është një institucion i rëndësishëm Kushtetues, nuk do të mungojnë përpjekjet që vërtet të jemi organ përfaqësues i qytetit tonë”, tha Kosovrasti.
Ai theksoi se një vëmendje e veçantë do t’i jepet punëve të qytetit. Duke nxitur
bashkëpunim dhe mirëkuptimin midis anëtarëve të Këshillit, ai kërkoi që të jenë mbështetës të pakursyer në veprimtarinë e Kreut të Bashkisë dhe administratës së saj.
“Padyshim edhe vlerësuesit dhe kritikët e tyre”, nënvizoi kreu i Këshillit Bashkiak, duke shprehur besimin në një rol më aktiv të Këshillit Bashkiak ndryshe nga ai pasiv, që vetëm kritikon apo mbron dhe nuk ndërton.
Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Njazi Kosovrasti u zgjodh me 28 vota “pro” në krye të postit për kreun e Këshillit Bashkiak përballë kandidates së “Aleancës për të Ardhmen”, Mimoza Hafizi e cila mori 27 vota.