Njazi Kosovrasti zgjidhet kryetar i këshillit, Zamir Ndroqi nënkryetar i tij
Konstituohet këshilli bashkiak i Tiranës, 55 anëtarët e rinj bëjnë betimin
Dje u mblodh për herë të parë Këshilli i ri Bashkiak i Tiranës, i dalë nga zgjedhjet vendore të 8 majit. Fillimisht mbledhja u drejtua nga ish sekretari i këshillit Vladimir Gjonaj, i cili lexoi rendin e ditës së punimeve të këshillit bashkiak të kryeqytetit. Ai theksoi në fjalën e tij se fillimisht do të bëhet shqyrtimi i miratimit të komisionit të mandateve, më pas betimi i këshilltarëve.
Pika tjetër e rendit të zhvillimit të kësaj mbledhje ishte propozimi për zgjedhjen e kryetarit të ri, zgjedhja e nënkryetarit, shpallja e vlefshmërisë së kryetarit si dhe zgjedhja e anëtarëve që do të përfaqësojnë Bashkinë e Tiranës në Këshillin e Qarkut. Më pas Gjonaj ka lexuar emrin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak. 55 anëtarët e Këshillit Bashkiak janë betuar për mandatin e ri të tyre katër vjeçar në bashkinë e Tiranës. “Aleanca për Qytetarin” ka 28 anëtarë në Këshillin Bashkiak, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” ka 27 anëtarë. Partia Demokratike propozoi për kryetar këshilli anëtarin demokrat të këshillit bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrastin ndërsa Partia Socialiste propozoi kandidaturën e Mimoza Hafizi.
Në fjalën e tij të prezantimit të kandidatit demokrat për kryetar Këshilli, Ferndinand Pone e cilësoi figurën e zotit Kosovrasti një personalitet të spikatur të institucioneve demokratike dhe të jetës publike.
“Është gjerësisht i njohur si një mendje e ftohtë, si një ndërgjegje e orientuar drejt së drejtës dhe luftës së qytetarit”, u shpreh Poni gjatë prezantimit të Kosovrastit.
Ndërsa nga na tjetër përfaqësuesi socialist në këshillin bashkiak të kryeqytetit, Aldrin Dalipi, theksoi se Mimoza Hafizi e përzgjedhura nga “Aleanca për të Ardhmen”, për kryetare në Këshill, është përfaqësuese e denjë e zërit të grave.
“Në këtë aspekt Aleanca për të Ardhmen propozon zonjën Mimoza Hafizi, duke besuar në vlerat dhe përkushtimin e saj në këtë detyrë”, u shpreh Dalipi.
Hedhja në votim e dy kandidaturave të Kosovrasti nga “Aleanca për Qytetarin” dhe Hafizi nga “Aleanca për të Ardhmen”, shpalli fitues kandidatin e Partisë Demokratike Njazi Kosovrasti me 28 vota “pro”.
Po ashtu, këshilli bashkiak zgjodhi edhe nënkryetarin e tij, duke mandatuar z.Zamir Ndroqi, i cili fitoi me 29 vota “pro” rivales së propozuar nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Adriana Berberi.