Edi Rama dhe Al Zauahiri, të vetmit që komunikojnë me publikun përmes videokasetave
Pas kritikave se po e ushtronte opozitën përmes mesazheve ciu-ciu në twiter, për shkak të tmerrit ndaj kamerave, Edi Rama ka vendosur që mesazhin ta shpërndajë me kasetë, pasi gjithsesi s’i duron dot gazetarët. Është një metodë klandestine që në botën moderne përdoret vetëm nga pasardhësi i Bin Ladenit tek Al Kaeda
Dy ditë më parë, Edi Rama vendosi të heqë dorë nga editorialet, për të kaluar në një stad tjetër, atë të “video-kasetës”. Pra, ai nuk do shkruajë më opinione që botoheshin pa iu hequr as pikë as presje, në mediat e shkruara, të kontrolluara nga opozita, por do vijë pranë opinionit publik, me një format të ri, përmes një video-regjistrimi zanor. S’është çudi që dikush të shtrojë pyetjen se, a është në rregull ky zotëria, apo jo?! Pavarësisht se një pyetje e tillë është shtruar dhe vazhdon të shtrohet, por përgjigjen duhet ta japë vetë i zoti i punës. Nga editorialet te mesazhi me video-kasetë, sigurisht që është një evoluim shumë i madh. Editorialet e tij padyshim që zunë një pjesë të konsiderueshme të hapësirës mediatike sepse shënjestrat kundër BE-së ishin të dukshme, në një kohë kur Brukseli zyrtar bënte thirrje për dialog konstruktiv dhe përmbushjen e kritereve të integrimit. Edhe sot, 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian, mbeten detyrë për qeverinë shqiptare. Padyshim që editorialet e Ramës kishin rëndësi, sepse përmes tyre përcillej qëndrimi zyrtar i PS kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Editoriali ishte forma më e mirë për Ramën, për të përdorur Ëikileaks-in në një provë të fortë kundër qeverisë dhe kundër aspiratave të integrimit të Shqipërisë. Pra, në një formë dhune tërësisht vulgare, pas 21 janarit, ditës së dhunës kundër shtetit, editorialet ishin “dhuna mediatike” që Edvini vërshoi kundër kancelarive perëndimore. Por vetëm kaq. Për opinionin publik këto ishin një tjetër farsë dhe çmenduri e Edvinit, që nisi menjëherë me librin e sharjeve, “Kurban”. Pra, impakti i tyre i përkthyer në mbështetje elektorale, ishte zero.
Pasi e kuptoi se editorialet politike që zinin të gjithë hapësirën e politikës’ të mediave të majta mbrëmjen e së shtunës dhe gjatë gjithë ditën e dielën, po bëheshin si shkrimet e Enverit për “sukseset e mëdha” të kooperativistëve në prodhimin e domates së Lushnjës apo patates së Steblevës, edhe pse i kishte ngrënë krimbi pa u krijuar ‘trungu’, Edvini u dorëzua në luftën me editoriale, pasi askush s’po ia merrte seriozisht. Po sillnin zero vota.
Jo të paktë ishin ata që mendonin se Rama zgjedh të shkruajë duke sharë me nënë dhe babë kundërshtarët politik, pasi s’ka me çfarë ta mbushë ditën. Është i papunë. Bashkinë e humbi. Drejton PS-në, por edhe atë e ka katandisur si mos më keq, saqë prej muajsh nuk kryen dot një vizitë në degët lokale të PS, sepse nuk e pret kush, s’e përfill as drejtuesi lokal i PS-së. Kjo po, që është situatë e nderë. Por, ai gaboi edhe me video-mesazhin. Video-mesazhi është formula vepruese e terroristëve, për të kërcënuar shtetet demokratike që përcjellin mesazhet e paqes dhe idealet e lirisë. Me video-mesazhe ish udhëheqësi i Al Qaeda-s, Osama Bin Laden kërcënonte Uashingtonin, Londrën, Berlinin, Madridin dhe Romën. Tani, këtë punë e bën pasardhësi i tij te organizata terroriste Al Qaeda, Al Zawahiri, i cili është plotësisht prezent me kërcënime që vijnë përmes video-mesazheve që shpërndahen me postë drejt disa rrjeteve televizive. Çfarë ka të përbashkët ky me Edvin Ramën? Sigurisht jo përmbajtjen e mesazheve, por mënyra se si vjen si njëri dhe tjetri para opinionit publik, padyshim që sjell frikë dhe panik. Është zgjedhje e tij që të sillet si i shumë kërkuari Al Zaëahiri.