E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama do të dalë në pension në vitin 2013, ai uron rrënimin ekonomik të shqiptarëve”

30-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha e quan heqjen e TVSH-së, demagogji të opozitës

Kryeministri Sali Berisha vijoi në Qarkun e Beratit, turin e inaugurimit të veprave publike. Kreu i qeverisë mori pjesë dje në përurimin e dy rrugëve të rëndësishme për komunat e këtij qarku. Në fillim të vizitës, ai së bashku me drejtuesit vendorë të zonës inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të Rrugës nacionale - Lapardha 2, me gjatësi 3.5 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 67 milion lekë. Rruga e rikonstruktuar do t’i japë një hapësirë të re komunikimit për 12.500 banorë, ku përfitues direkt janë fshatrat Lapardha 1 dhe Lapardha 2, ndërsa indirekt do të përfitojnë edhe 12 fshatra të komunës Lumas. Gjithashtu, rruga vjen në ndihmë edhe të fermerëve të zonës, duke lehtësuar shërbimet për produktet bujqësore e blegtorale, si dhe për nxjerrjen e tyre më shpejt në treg. 

Në takimin me banorët e zonës, kryeministri shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në inaugurimin e një rruge të denjë për çdo qytezë të Shqipërisë, të Ballkanit dhe të Evropës. Berisha garantoi banorët dhe drejtuesit vendorë të komunave se qeveria do të mbështesë fuqishëm çdo projekt të tyre për ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, për urbanizmin më të mirë të zonës, për daljen më të lehtë ne treg të prodhimeve të mrekullueshme bujqësore, etj. 

Kreu i ekzekutivit u ndal në propozimin e opozitës për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore, duke e konsideruar këtë si një tjetër përpjekje dashakeqe të Partisë Socialiste, për të dëmtuar shqiptarët dhe fajësuar më pas Qeverinë. Kreu i qeverisë theksoi se përmes kësaj formule që përpiqet të injektojë PS, rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që kanë shndërruar partinë e vet, në parti të biznesit, ndërsa fermerët s’do kenë më mundësi të tregtojnë prodhimet e tyre. 

“Por sot çfarë ndodh, krerë të opozitës shqiptare për të sulmuar qeverinë, kërkojnë heqjen e TVSH-së për prodhimet tuaja. Cili është qëllimi i tyre, nga më të ligët që mund të ekzistojnë. Qëllimi është që juve t’u mbeten prodhimet në fushë dhe kjo vetëm e vetëm që ju të ktheheni kundër e të mos votoni për Qeverinë, por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne nuk heqim TVSH-në për prodhimet tuaja. Ne nuk e heqim sepse në Evropë për çdo kokë lopë fermerët marrin çdo ditë 3 euro subvencion. Sigurisht që atij ia del të shesë qumështin më lirë, sepse merr subvencionin. Në Evropë për çdo ha grurë marrin pothuajse aq sa ç’është çmimi i grurit. Në Evropë për çdo kuintal fruta marrin subvencion pothuajse sa çmimi i tyre dhe unë ju them ju këtu se nga 188 miliard euro buxhet në BE, më shumë se 90 miliard jepen për të subvencionuar prodhimin bujqësor. Ndërkohë sipas këtyre zotërinjve, ne do të mbushin tregun, ndërkohë kur ata kanë TVSH me prodhime të huaja dhe të lëmë në fushë prodhimet tona. Nuk e bëjmë këtë edhe për një arsye tjetër. Ju jeni njerëz të punës dhe i kuptoni mirë këto gjera. Sot në Shqipëri, 51 për qind e popullatës jeton në fshat. Në Shqipëri, sot, njësoj si në çdo vend tjetër të Evropës, të ardhurat për frymë të popullsisë në qytet janë qartësisht më të larta se sa në fshat. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne? Ta thellojmë më tej këtë pabarazi? Të bëjmë që produktet tuaja të shiten për 5 lekë në treg? Jo, ne nuk e bëjmë këtë. Edhe me këtë politikë ne bëjmë një shpërndarje më të ndershme të të ardhurave kombëtare. Vërtet mund të paguajnë pak më shumë në qytet, por ajo që paguajnë shkon në favor të fermerëve shqiptarë dhe të prodhuesve shqiptarë sepse në qytet marrin shumë më tepër të ardhura, se sa marrin ata në fshat. Ne nuk e heqim TVSH për importet siç kërkojnë shokët e Partisë Socialiste. Nuk e bëjmë sepse në mënyrë absolute, asnjë nga këta biznesmenë nuk ul çmimin, përkundrazi çmimi mbetet aty ku është. Prodhimet tuaja zvogëlohen, të ardhurat tuaja zvogëlohen, rriten të ardhurat e klaneve dhe të atyre që ka shndërruar partia vetë, në parti të biznesit. Ndaj dhe kjo është arsyeja që ne qëndrojmë pas jush, do ju mbështesim, do rrisim subvencionet dhe do të ndjekim rregullat më të mira të mundshme në mënyrë që prodhimet tuaja të shiten në mbarë tregun shqiptar, të shiten në Kosovë, të shiten në Maqedoni, të shiten në Evropë, të shiten kudo”, u shpreh Berisha, duke hedhur poshtë kategorikisht, propozimin e socialistëve, për heqjen e TVSH-së ushqimore. 

Berisha akuzoi gjithashtu drejtuesit e opozitës se përdorën pushtetin e dhënë nga populli, për të penguar perspektivën e integrimit të vendit. 

“Sot, krerët e PS përdorin pushtetin që ju kanë dhënë zgjedhësit e Lapardhasë, të Korçës, të Tropojës, të Gjirokastër, të Tiranës, për të bllokuar ato pak ligje që janë të domosdoshme të votohen me tre të pestat për integrimin e vendit në Evropë”, deklaroi Berisha, ndërsa theksoi se në 2013-ën shqiptarët do t’i japin pensionin politik Edi Ramës. “Unë ju garantoj ju, se ne do të shtyjmë përpara procesin e integrimit, sepse ata, të cilët mendojnë se mund të na largojnë nga Evropa, nuk tregojnë gjë tjetër veçse atavizëm të origjinës së tyre. Nga Evropa, asgjë nuk do të mund të na largojë, drejt Evropës, asgjë nuk do të mund të na ndalojë. Mund ta ngadalësojnë, por në zgjedhjet e kaluara morën 141 mijë vota më pak dhe sot, Edi Rama është i vetmi politikan në Evropë, i cili kalon nga disfata në disfatë, sepse zgjedhësit e ndëshkojnë për politikën e tij bllokuese. Është politikan, i cili do të dalë në pension në mënyrë edhe të pavullnetshme sepse socialistët do t’ia presin biletën brenda vitit 2013”, tha Berisha. 

Kryeministri u ndal edhe te vota për qarqet në gjithë vendin. Sipas kryeministrit, Rama bërtet se pse po i ikin qarqet, por harron që ai dhe koalicioni i tij është humbës me diferencë 141 mijë vota, ndërsa rri dhe shkruan “Kurbanin”. 

“Zotëria bërtet, përse po ikin qarqet. Por qarqet po ikin se janë 141 mijë shqiptarë që kanë votuar më shumë për Aleancën e mazhorancës. Zotëria shkruan ‘Kurbanin’, por sigurisht po bllokove Tiranën, tiranasit votojnë për të gjithë shqiptarët, të japin mësimin e merituar. Nuk ka shqiptar që e voton politikën e bllokimit, nuk ka shqiptar, i çdo bindjeje qoftë, që voton për të bllokuar fëmijët e tij, për të bllokuar  familjen e tij, për të bllokuar fshatin apo qytetin e tij. Jo, nuk është kjo, rruga e ardhjes në pushtet. Sikundër, unë ju them ju, se absolutisht ne mbetemi shumë të respektueshëm ndaj opozitës, ne mbetemi shumë të gatshëm për dialog me opozitën. Ne mbetemi shumë të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, por ata që mendojnë se, jo bashkëpunimi, por bllokimi, ata që mendojnë se duke bllokuar procesin e integrimit evropian, do të shpërblehen nga shqiptarët, ata do të marrin ndëshkimin demokratik më të merituar”, deklaroi kryeministri Berisha.

Gjithashtu, kryeministri ftoi fermerët që të kenë përparësi mbjelljen e sa më shumë drurëve frutorë, me premtimin se do të subvencionohen nga qeveria. Kryeministri shprehu ndër të tjera angazhimin e qeverisë për përfundimin e projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, si rrugën Berat – Lushnje, segmentin Berat – Elbasan, rrugën për në Përmet, rrugën Duhanas – Roshnik, etj. 

Gjatë 6 viteve të fundit, në qarkun e Beratit janë ndërtuar 430 km rrugë, duke përfshirë 230 rrugë, në të gjitha njësitë vendore. Janë ndërtuar dhe restauruar 82 shkolla e kopshte, 89 qendra shëndetësore e ambulanca, si dhe 74 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh. Në sektorin bujqësor janë investuar 633 milion lekë, të cilat përfshijnë subvencionimin e 2500 ha blloqe të reja. Investimet në infrastrukturë i kanë dhënë një shtysë të re turizmit, duke bërë që Berati gjatë këtij viti të vizitohet nga 200 mijë turistë, kundrejt 30 mijë në vitin 2005. Për sa i përket bizneseve të reja numri i tyre është shtuar dy herë, duke arritur në 5260 të tilla, krahasuar me 2830 biznese që ishin në vitin 2005.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›