Kosova vrimë e zezë mbushur barrikada
Në këtë kohë kaq të ndjeshme për fatin e vendit nuk ka pikë kuptimi gara për rrëzim kamionësh dhe rrëzim mocionesh. Nuk ka pikë kuptimi kultivimi i logjikës së prodhimit të heronjve dhe tradhtarëve. Kosovarët duhet të presin edhe dy vjet që të mund të lëvizin lirshëm në Evropë. Këtë e tha raportuesja e Parlamentit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave, Tanja Fajon. Ajo me këtë rast tregoi se sa i gjatë është shkopi që do të ndëshkoi kosovarët, ndërsa nuk harroi të tregojë se karota për serbët nuk do të shkurtohet shkaku i azilkërkuesve nga ky vend. Ky ishte njëri nga lajmet më dëshpërues që kosovarët kanë mundur ta lexojnë në ballinat e të përditshmeve tona. Ky lajm ishte i keq, sepse veç sa mbushte gotën e dëshpërimit, nga e cila shuajmë etjen për jetë ne kosovarët e mbetur në këtë vrimë të zezë mbushur barrikada. Ky lajm dëshpërues veç sa ka motivuar qytetarët e Kosovës që të mos kursehen për të blerë një pasaportë serbe, në mënyrë që të dalin nga kjo vrimë e zezë dhe të lëvizin lirshëm përtej barrikadave. Zonja Fajon, në këtë mënyrë na e ka vra edhe shpresën, të vetmin ushqim me bollëk në këtë vend pa perspektivë të dukshme. Megjithatë do të ishte e padrejtë të akuzonim europarlamentaren sllovene, ndërsa shpresën për një perspektivë më të mirë po na e vrasin vetë të zgjedhurit tanë. Nuk ka thënë kot populli se atë çka ta bën vetja, nuk ta bënë dynjaja. Kjo edhe po dëshmohet më së miri në këtë kohë kur barrikadat e vendosura në veri të Kosovës gjithnjë e më shumë po importojnë logjikën e bllokimit edhe brenda gjithë territorit. Në Polac banorët shqiptarë bëhen barrikadë e gjallë për të bllokuar rrugën, ndërsa në Prrilluzhë, banorët serbë vendosin barrikada sipas modelit të Veriut. Në anën tjetër vazhdon rrokullisja e kamionëve nëpër rrugët e Kosovës nga Lëvizja “Vetëvendosje!” Kjo është dëshmia më e mirë se sa me lehtësi mund të pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve. E aty ku cenohet lëvizja e lirë e vetëm një qytetari, nuk mund të bëhet fjalë për liri të lëvizjes. E ku nuk ka liri të lëvizjes, nuk ka as integrim në strukturat që kanë standarde të ashpra për këtë. Në këtë kohë kaq të ndjeshme për fatin e vendit nuk ka pikë kuptimi gara për rrëzim kamionësh dhe rrëzim mocionesh. Nuk ka pikë kuptimi kultivimi i logjikës së prodhimit të heronjve dhe tradhtarëve. VV si pjesa më e zhurmshme e opozitës ka kohë që si çështje me prioritet ka zhvendosur debatin në këtë rrafsh. Për më keq këtë karrem të saj e ka ngrënë edhe pozita, përkatësisht PDK-ja, e cila pa forcë për ta shuar këtë debat, ka bërë që të krijohet një klimë ku të mund të prodhohen lajme triviale, të cilat nuk kanë më shumë se kuptimin e ndërtimit të një mjegulle, me të cilën do të mund të mbuloheshin edhe çështjet më me prioritet për fatin e vendit dhe të njerëzve të tij të lodhur. Viktimë e këtyre përplasjeve ishte edhe ambasadori francez në Kosovë, Zhan Fransua Fitu, i cili është njëri nga diplomatët ndërkombëtarë që ka dëshmuar vullnet më të mirë për të ndihmuar në çështjet më me prioritet për vendin. Tek e shihja sa me shqetësim fliste për rastin, isha i sigurt se frika e tij bartej edhe tek qytetarët e Kosovës. Nuk mund të mos ndjesh frikë nga njerëzit të cilët proklamojnë ekskluzivitetin si të vetmen formë të rezonimit dhe veprimit. E kjo për faktin se e drejta ekskluzive edhe përbën esencën e totalitarizmit. Këtë e dëshmoi edhe përfaqësuesi i VV, Glauk Konjufca, teksa akuzoi të gjitha partitë opozitare për të legjitimuar në këtë mënyrë të drejtën ekskluzive të partisë së tij. Në fund të fundit, po të shikohet mirë e mirë, VV nuk del të jetë më shumë se një aleate e pozitës, sepse në sistemet parlamentare pozita rrezikun e sheh nga alternativat politike, por jo nga grindjet pa shkas. Për vetë faktin se VV kundërshtarin politik e shikon vetëm nga prizmi i armikut, roli i saj opozitar nuk mund të jetë në të mirë të përgjithshme. Mbase e gjithë kjo do të shihet dhe do të dihet kur këta do të kërkojnë sërish vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të cilëve ua kanë vrarë shpresat për mundësinë e ndërtimit të një alternative më të mirë. Nuk duhet harruar faktin se pozita dhe opozita bashkërisht përbëjnë forcën politike të një vendi. Opozita ka për obligim që të pengojë partinë udhëheqëse që të mos identifikohet me shtetin, që të mos lejohet ndërtimi i shtetit partiak dhe që interesin publik ta paraqes si të vetmin dhe si absolut. E VV do të vazhdojë të zihet shkaku i të drejtës së vetë ekskluzive me faktorin e brendshëm dhe në veçanti me atë të jashtmin, dhunën dhe zhurmën duke proklamuar si argument. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë t’i ngulim kunja vetes, të cilët pastaj as ndërkombëtarët nuk do të mund të na i shkulin nga trupi. E kështu të ngulur në kunja zor e kemi të dalim nga kjo vrimë e zezë.
...