Edi Rama eshte çuar per te ikur sepse s’ka program

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, takohet me gra dhe vajza të qytetit të Shkodrës
TIRANE - Kryetarja e Kuvendi, Jozefina Topalli në kuadër të turit “Gratë për fitoren” ka vizituar qytetin e Shkodrës, ku është pritur me pjesëmarrje të jashtëzakonshme nga zonjat, gratë dhe vajzat e këtij qyteti, të cilat kishim tejmbushur Pallatin e Sportit.
“Nënat në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë do të votojnë atë alternativë që ka ndryshuar vendin dhe që do të përmirësojë më tej jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, Kryetarja e Kuvendit tha se “Kësaj radhe do të fitojmë në të gjithë Shqipërinë si në 92-shin”.
Duke stigmatizuar me tekstin e këngës që socialistët do të përdorin gjatë fushatës, Kryetarja e Kuvendit tha se “Unë i them kryetarit të bashkisë së Tiranës, sot nga Shkodra, ti je çuar për të ikur që kur ke votuar kundër rritjes së rrogave, ti je çuar për të ikur kur ke votuar kundër rritjes së pensioneve, ti je cuar për të ikur që nga momenti që proteston për gjëra që nuk egzistojnë”.
Duke vijuar më tej Topalli u shpreh se “Kryetari i Bashkisë së Tiranës është çuar për të ikur kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, është çuar për të ikur, sepse ai nuk ka program, ashtu siç iku në fakt, kur filloi pika e parë e shiut, në hapjen e fushtaës së tij elektorale”.
Sa i përket çeljes së fushatës së socialistëve, Topalli u shpreh se “Kryetari i Bashkisë të Tiranës hapjen e fushatës së tij elektorale në qytetin “Studenti” e filloi me ministrin e fundit të brendshëm dhe sigurimit të shtetit Gramoz Ruçin. Ai ishte në një pozicion kyç, atëherë kur këtu katër djem shkodranë, përpara universitetit u vranë. Kjo është një fyerje që i bëhet secilës, kjo është një dhimbje që kërkojnë të na hedhin mbi Shkodrën, mbi Shqipërinë dhe mbi demokracinë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Gjatë këtij takimi Kryetarja e Kuvendit prezantoi edhe deputetët e ardhshëm të Shkodrës, emra të spikatur të jetës politike, intelektuale, të shoqërisë civile dhe të biznesit të qytetit, Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Paulin Sterkaj, Ndue Paluca, Ramiz Çobaj, Gjovalin Çuni, Shpresa Tepelia, Bardhi Spahiaj.