E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cahen malet, sot tuneli bashkon Shqiperine me Kosoven

Kryeministri Sali Berisha dhe shefi i ekzekutivit të Kosovës Hashim Thaçi përurojnë sot hapjen e tunelit të Kalimashit, veprës më të madhe inxhinierike të Ballkanit, preludin e vënies në funksionim të Rrugës Durrës-Prishtinë, autostradës që bashkon trojet shqiptare.


TIRANE - Inaugurohet sot përfundimi i punimeve në tunelin e Kalimashit, pas dy viteve punë intensive në këtë pjesë të vështirë të segmentit të autostradës Durrës-Kukës. Kryeministri Sali Berisha inauguron sot në një ceremoni të veçantë shembjen e murit ndarës të shqiptarëve ndër shekuj, inauguron hapjen e tunelit të Kalimashit, të një ndër veprave më të mëdha në Ballkan, që sjell më pranë shqiptarët e të dy anëve të kufirit. Në këtë ceremoni të jashtëzakonshme nuk mund të mungojë kurrsesi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në përurimin e kësaj vepre gjigante që i bën shqiptarët të ndjehen më pranë se kurrë. Madje në mënyrë simbolike, të dy kryeministrat Berisha dhe Thaçi, do të përshkojnë tunelin në të dy anët e kundërta dhe do të takohen në mes të tij, pas shembjes së murit, që do të hapë rrugën për të lidhur dy kahet e tunelit. Në ceremoni do të jenë edhe shumë përfaqësues të politikës, në Tiranë e në Prishtinë si dhe një interesim i jashtëzakonshëm i mediave rajonale. Me ndërtimin e kësaj autostrade, hapësirat shqiptare janë faktorizuar edhe më shumë në rajon, duke fituar rolin që u takon, si protagoniste thelbësore për stabilitetin, por edhe zhvillimin ekonomik.   Duke shpjeguar në detaje axhendën, theksojmë se pas pastrimit të zonës nga BEJV, dy Kryeministrat dhe grupet që i shoqërojnë do të takohen me njëri- tjetri. Do të përshkojnë në këmbë 100 metërshin e fundit drejt hyrjeve të tunelit nga zona e Kukës. Më pas, në vijim, të dy kryeministrat Berisha dhe Thaçi, në podin e ngritur në hyrjen e tuneleve, në zonën e Kukësit, do të japin një konferencë për shtyp. Ndërkohë, festa e autostradës shqiptare, me hapjen e tunelit të Kalimashit, ishte lajmi i parë dje në radiotelevizionet kombëtare të Kosovës, që paralajmërojnë pjesëmarrjen në ceremoninë e përurimit të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi. “Gjithçka është gati për ceremoninë e hapjes zyrtare të njërit krah të autostradës Durrës-Kukës-Morinë për të vazhduar më pas në Prishtinë. Me rastin e hapjes së kësaj rruge do të organizohet një ceremoni festive në shenjë të përfundimit të punimeve me shpimin e tunelit të Kalimashit në Shqipëri”. Me këtë fjali hapeshin emisionet qendrore informative të pasdites dhe të mbrëmjes të Televizionit Publik të Kosovës, që paralajmëron transmetimin e drejtpërdrejtë të ceremonisë së nesërme festive. Media e Kosovës vlerësojnë se autostrada nga Durrësi në Kosovë, që do mund të kalohet për më pak se tre orë, është një vepër me rëndësi madhore për të gjithë shqiptarët në të dy anët e kufirit. Pritet që media kosovare t’i bëjë një jehonë të gjerë edhe ceremonisë së sotme në Kalimash

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›