E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne dy vjet, qeveria 6 milione dollare investime ne Orikum

Deklaron nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi TIRANE - Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 28 qershorit, Astrit Patozi, deklaroi dje se “gjatë 2 viteve të fundit, qeveria ka investuar në bashkinë e Orikumit 6 milionë USD për projektet në infrastrukturë, rrugë e ujësjellës”. Në fjalën e tij, në ceremoninë e organizuar me rastin e çeljes së sezonit turistik në Orikum, një qytet 20 kilometra larg Vlorës, Patozi theksoi se “kjo zonë turistike ka qenë pjesë e përparësive të qeverisë në investime, gjë që e ka futur atë në rrjedhën e transformimeve të rëndësishme duke rritur numrin e turistëve deri në katër here”. Ai nënvizoi se janë një numër projektesh mjaft të rëndësishme që po zbatohen aktualisht në këtë njësi të qeverisjes vendore dhe që do të thellojnë më tej procesin e këtyre transformimeve. “Edhe në mandatin e dytë qeverisës, kjo bashki do të ketë përparësi në investime, infrastrukturë rrugore, kanalizime e ujësjellës”, tha Patozi, duke nënvizuar se “pas katër vjetësh, Orikumi do të jetë një qytet me infrastrukturë moderne, e ngjashme me qytetet turistike perëndimore”. Bashkia e Orikumit, 20 km në jug të qytetit të Vlorës, ka si profil turizmin që është dhe burimi kryesor i të ardhurave për komunitetin e kësaj zone. Gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje për të shtuar llojshmërinë dhe resurset në këtë drejtim, duke përfshirë dhe elementë të turizmit kulturor, përmes shfrytëzimit të kapaciteteve historike, arkeologjike e folklorike të zonës. Këtu përfshihet dhe Parku Arkeologjik Kombëtar i Orikut, rreth 5 km në jug të Orikumit, që zë një vend të rëndësishëm në guidat për promovimin e kapaciteteve turistike. Bregdeti i Orikumit, me një gjatësi prej rreth 20 km, është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm për turistët e huaj dhe pushuesit nga rrethe të ndryshme të vendit. Gjatë vitit të kaluar ai u frekuentua nga më shumë se 70 mijë persona. Në të është ndërtuar dhe funksionon një strukturë e zhvilluar turistike, e përbërë nga hotele e lokale të shumta të standardeve bashkëkohore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›