Edi Rama është përfaqësues i rrugës dhe politikës së vjetër
Lulzim Basha shprehet se rivali i tij është përkushtuar më tepër te betejat politike
Edi Rama është përfaqësues i rrugës dhe politikës së vjetër. Kështu e ka cilësuar Lulzim Basha për “Deutsche Welle”, rivalin e tij për garën e kryebashkiakut të Tiranës, duke shtuar se Edi Rama i përkushtuar te betejat politike. “Kryebashkiaku është tërësisht i preokupuar për betejat e tij politike dhe jo për hallet e problemet e qytetarëve të Tiranës. Këto beteja politike nuk i kanë bërë asgjë të mirë Tiranës, nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë të vetme, nuk kanë hapur asnjë rrugë të re, nuk kanë krijuar asnjë vend të ri pune, nuk kanë kontribuar për të ulur asnjë çmim të vetëm të mallrave të përditshëm. Tirana ka sot probleme të mëdha, probleme të akumuluara dhe për fat të keq këto do të trashëgojmë dhe jo zgjidhjen e tyre. Por për secilën prej këtyre problemeve ka një zgjidhje. Këto zgjidhje mund të bëhen realitet vetëm nëse ne të gjithë së bashku punojmë për një Tiranë ndryshe”, u shpreh Basha midis të tjerave
Ndërkohë kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, shpreh përkushtimin që betejat e tij të vetme do të jenë vetëm betejat e qytetarëve të Tiranës.
“Unë do të punoj fort për punësimin, do të punoj për të hapur vende të reja pune, do të punoj për paga dinjitoze, do të punoj për të normalizuar çmimet duke ulur taksat dhe duke goditur spekulatorët në qytet. Do të punoj për të ndërtuar unazën e madhe, linjën e tramvajit, parqe të reja. Pra, do të punoj për një Tiranë moderne evropiane, për një bashki që është pranë qytetarëve të Tiranës. Sikundër gjatë fushatës edhe pas datës 8 maj unë do t’i pres qytetarët e Tiranës në orare të caktuara zyrtare çdo javë dhe do të gjendem pranë tyre. Vendimmarrja do të jetë një vendimmarrje e përbashkët. Këto janë arsyet që unë kërkoj një votë nga qytetarët e Tiranës, për një Tiranë moderne evropiane”- vijon më tej Lulzim Basha.