Dështon mitingu i Edi Ramës në Peqin, në Librazhd dhe Korçë merr autobusë me vete
Rama çakërdiset në Librazhd, u thotë banorëve se lekët tuaja i “hëngri” tuneli. Reagimi i qytetarëve: Me rrugën e re vijmë në Tiranë për 30 minuta
Qytetarët e Peqinit refuzuan dje mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të PS.
Megjithëse kishte orientuar strukturat e PS për të organizuar mitingun duke kërkuar pjesëmarrjen e shumë vetëve, në shesh janë grumbulluar shumë pak mbështetës të PS. Duke parë këtë gjendje, Rama i është hakërryer kandidatit socialist për deputet në Peqin, Afred Peza duke e cilësuar atë një dështak. Rama është irrituar jashtë mase duke dalë jashtë kontrollit dhe ka sharë e fyer me fjalë të rënda kandidatin e tij, Peza. Sipas dëshmitarëve, Rama e ka sharë Pezën me fjalë të rënda dhe e ka cilësuar një dështak dhe një njeri të padenjë për PS-në. Rama i është drejtuar Pezës me fjalët: “M’u hiq sysh, mos të të shoh më”. I nxirë në fytyrë dhe me lëvizje duarsh të pakuptimta, Rama ka folur fare pak gjatë mitingut dhe më pas është larguar drejt Librazhdit, por nuk e ka marrë me vete Pezën, ndërsa është kujdesur që eskortës së tij, pasi dështoi në Peqin, t’i shtohen gjatë rrugës dhjetëra autobusë për të zhvilluar mitingun elektoral në Librazhd dhe Korçë. Në të gjitha rastet e tjera kur Rama bënte mitingje në qytetet të ndryshme, ka marrë me vete të gjithë kandidatët e PS për deputetë sipas qarqeve. Pas mitingut të Peqinit, Rama ka shkruar në Librazhd, por bashkë me të në tribunë ndodheshin të gjithë kandidatët e PS për Qarkun e Elbasanit, përveç Pezës, të cilit i duhet të marrë mbi supe “injorimin” e peqinasve ndaj Edi Ramës. Gjithsesi, irritimi nga dështimi në Peqin është dukur qartë edhe në mitingun e Librazhdit. Rama në mitingun përmbyllës në Librazhd ka sulmuar investimet e qeverisë duke i cilësuar ato si investime elektorale. Ai tha se tuneli Tiranë-Elbasan është hapur me lekët e shqiptarëve, por kjo deklaratë ka ngjallur reagime sepse ai e pranoi vetë që lekët e shqiptarëve kanë shkuar për investime, siç është rasti i tunelit Tiranë-Elbasan. Pak ditë më parë Rama dështoi edhe në mitingun e Libohovës në Gjirokastër, duke treguar kështu qartë se PS ka humbur mbështetjen dhe po shkon drejt braktisjes së madhe 5 ditë para zgjedhjeve.