Edi Rama, i kapur nga kupola e krimit ekonomik, këshilltarët demokratë do të kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm

Ferdinand Pone deklaroi sot se këshilltarët e PD-së në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak do të kërkojnë me urgjencë shkarkimin e kryebashkiakut, Edi Rama.
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak do të kërkojnë në mbledhjen më të afërt shkarkimin e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës. Në një dalje për mediat Ferdinand Pone, në cilësinë e kryekëshilltarit të demokratëve sqaroi arsyet e marrjes së këtij vendimi që sipas tij dëshmojnë kapjen e kryetarit të Bashkisë Edi Rama nga ajo që ai e cilësoi kupola e krimit ekonomik.
“Grupi i këshilltarëve demokrate do të kërkojë dhe realizojnë në mbledhjen më të afërt, shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut Edi Rama. Këshilli bashkiak do të shkarkojë dhe do të kërkojë rivendosjen në normalitet dhe të vendimmarrjeve të tua abuzive”, u shpreh Pone. Sipas kreut të këshilltarëve demokratë, kryebashkiaku i Tiranës duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha shkeljet flagrante të ligjit.
“Shkelje flagrante të ligjit dhe kapje e Ramës nga kupola e krimit ekonomik. 1300 m2 truall publik për Beson, për Dash Pezën, një qytezë të tërë për Delijorgjin, 500 mijë m2 truall shtetëror në gjithë Tiranën”, tha Pone.
Deklarata e kreut të këshilltarëve demokratë vjen pas vendimit të qeverisë për të kaluar nën administrimin e Ministrisë së Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit 1350 m² tokë në Parkun Rinia.
Vendimi për shtetëzimin e kësaj sipërfaqeje toke erdhi pas denoncimit që Kryeministri Berisha i bëri vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës në vitin 2005 për shitjen e kësaj sipërfaqeje toke një investitori privat me arsyetimin se ajo është dhënë me çmim më të ulët se tregu.