Situata, normale në të gjithë vendin
Reshjet e dendura të dëborës
Pavarësisht reshjeve të mëdha të dëborës dhe temperaturave të ulëta, rrugët nacionale janë të hapura dhe situata është normalizuar ndjeshëm. Konfirmimi vjen nga zyra qendrore e emergjencave civile, pranë Ministrisë së Brendshme. Raportohet se mëngjesin e djeshëm ka pasur ngrica në akset Kukës - Qafë Mali, Qafë Plloç – Korçë, Tropojë – Qafë Morinë dhe në Qafë Thanë- Elbasan. Dëbora në zonat e thella malore ka arritur deri në 5 cm, duke mos krijuar asnjë problem në qarkullimin e mjeteve dhe banorëve. Reshje dëbore janë shënuar në komunat e Lurës, Kalaja e Dodës, në Tërnovë, Ostren, Selishtë, Martanesh.
Aktualisht nuk ka informacione për komuna të bllokuara, apo probleme të tjera. Ndërkaq, reshjet kanë nisur edhe në rajonin juglindor. Bora ka prekur Qafën-Thanës, Qafë-Plloçën, Qafë-Qarrin e Dardhën. Edhe në Korçë, situata është nën kontroll.
Rrugët nacionale janë të hapura, por në qytet dhe në zonat e larta malore vazhdon të ketë reshje të dëborës. Drejtues të Emergjencave Civile deklarojnë se nuk bëhet fjalë për komuna dhe zona të bllokuara.
Sinoptikanët parashikojnë që moti me reshje dëbore dhe shiu do të vazhdojë gjatë fundjavës dhe kjo situatë do të shoqërohet me ulje të vazhdueshme të temperaturave. Sipas shërbimit Meteo-Alb i ftohti dhe temperaturat e ultë do të mbizotërojnë gjatë gjithë muajit dhjetor ndërsa pritet një ngritje konstante e tyre javën që vjen.