E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama i trembet vendimit të dalë nga një proces zgjedhore demokratik”

27-05-2011 / Gazeta 55

Gerti Bogdani, deputeti i PD-së

Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duke e cilësuar thellësisht të dëshpëruar dhe qartësisht konfuz kreun e selisë rozë.
Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i maxhorancës Bogdani, i është drejtuar kreut opozitar, duke theksuar  se e gjithë kjo pritje, është bërë me qëllimin e vetëm, për t’u lexuar qartë vullneti i qytetarëve. “Rama mendon se koalicioni i drejtuar nga partia e tij, fitoi zgjedhjet lokale, në një kohe kur 140,000 votues më shumë mbështetën koalicionin e Partisë Demokratike. Ai e konsideron kanibalizëm elektoral numërimin e votave kur në të vërtetë, kanibalizëm është të shmangësh numërimin e tyre. Ai mendon se mund të falënderojë komunitetin ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohe të gënjejë mbi deklaratat e tyre pa e vënë re askush”, theksoi deputeti i selisë blu, Bogdani.
Ndër të tjera në këtë deklaratë për mediat ai iu referua edhe partnerëve ndërkombëtarë duke deklaruar se ata nuk kanë thënë për asnjë moment se fletët e gjetura jo në kutinë e duhur nuk duhet të numërohen. Ai shtoi gjithashtu se ndërkombëtarët kanë qenë shumë të qartë në deklaratat e tyre se nuk ka patur asnjë formë manipulimi të votës. Në të vërtet, dje, Ndihmës Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan, Tomas Kantrimen, qartësisht deklaroi se këto janë zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në vendin tone. I tërë komuniteti ndërkombëtar, ka thënë vazhdimisht të njëjtën gjë, gjatë gjithë këtij procesi, bëri me dije Bogdani.
“Procesi normal ligjor, i cili qëndron në themel të çdo shteti demokratik duhet të vazhdojë dhe të gjitha palët duhet të respektojë vendimin e dalë në përfundim të tij. Sot, Edi Rama u pyet nëse do të dëgjonte thirrjen e Kantrimen për të respektuar rezultatin e këtij procesi ligjor. Edi Rama nuk iu përgjigj kësaj pyetje. Në të vërtetë, heshtja e tij flet më shumë se çdo përgjigje që ai do mund të artikulonte”, u shpreh deputeti demokrat Bogdani në këtë deklaratë për shtyp.
Ndërkaq, Bodgani shtoi se Partia Demokratike i përgjigjet cdo qytetari, duke vlerësuar votën si mjetin me të drejtë demokratik.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë: Ne kërkojmë që çdo votë të numërohet. Ne kërkojmë që demokracia te respektoje zërin e çdo qytetari si kusht themelor i funksionimit të një shteti demokratik dhe ligjor. Ne e respektojmë procesin ligjor dhe kërkojmë që ky proces të vazhdojë si dhe do presim në qetësi për të pranuar çdo rezultat të dalë prej tij. Çdo ankesë e ngritur nga Edi Rama, në një vend demokratik, duhet të ndjekë një proces të rregullt ligjor. Por Edi Rama nuk dëshiron të ndjekë udhëzimet e qarta të bëra nga çdo anëtar i komunitetit ndërkombëtar duke kanalizuar çdo ankesë të tij nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor”.
Me një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj kryesocialistit, deputeti demokrat theksoi se Rama kërkon të errësojë procesin, sepse ai e di që procesi ka qenë i lirë, i drejtë dhe transparent dhe ai i trembet vendimit të dalë nëpërmjet një procesi demokratik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›