“Ajo që do të mbahet mend nga ky votim i ngushtë, do të jetë zgjidhja me dhunë apo në respekt të ligjit”

Zbardhet e plotë intervista e Tom Kantrimen, Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, për “Zërin e Amerikës”
“Nuk është e përgjegjshme të deklarohet paraprakisht që rezultati do të hidhet poshtë nëse një kandidat nuk e pëlqen rezultatin. Kjo është e kundërta e asaj që sistemi kushtetues kërkon”.
Ky ka qenë reagimi i Tom Kantrimen, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, i bërë i ditur në intervistën e tij të dy netëve më parë për “Zërin e Amerikës”, intervista e plotë e të cilit u shpërnda dje nga Ambasada amerikane në Tiranë.
Në vijim të përgjigjes ndaj pyetjes se, “Kandidati i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thënë se ai nuk do t’i njohë rezultatin që nuk do të nxjerrë atë fitues me 10 vota, ndërsa rivali i tij i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar se do të presë derisa i gjithë procesi ligjor i rezultatit zgjedhor të përfundojë. Keni një mesazh për këta dy kandidatë?”, Kantrimen i kujtoi kandidatit Edi Rama se kërcënimet për dhunë e demonstrata, nën pretekstin e mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve, janë të papranueshme në demokraci.
“Bashkimi Europian, OSBE dhe SHBA, kanë bërë gjithçka që kishin mundësi për t’i bërë këto zgjedhje të drejta dhe transparente. Ne nuk bëmë punën, por qytetarët e Shqipërisë e bënë. Është absolutisht e nevojshme që i njëjti insistim tek e drejta dhe transparenca të vazhdojë deri në fund të procesit. Kjo është arsyeja pse kërcënimet për të mos njohur rezultatin, kërcënimet për të përdorur demonstratat apo dhunë në qoftë se rezultati ligjor nuk është ai që pritet, janë të papranueshme në një demokraci”, u shpreh Kantrimen.
Për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, më tepër se emrat e kandidatëve, ajo që do të mbahet mend pas disa vitesh, është që zgjidhja të mbështetet në opsionin dinjitoz të apelimit te procesi ligjor që ekziston.
“Unë mendoj se pas disa vitesh njerëzit në Shqipëri, në Bruksel apo në Uashington mund të mos mbajnë mend se kush ishin dy kandidatët. Ajo që ata do të mbajnë mend është nëse populli dhe shteti i Shqipërisë e zgjidhën një çështje të vështirë në një votim të ngushtë, dhe nëse ata e zgjidhën me dhunë apo me demonstrata apo e zgjidhën atë me dinjitet duke respektuar procesin ligjor. Dhe ajo që ne presim nga një anëtar i NATO-s dhe një vend që shpreson të bashkohet me Bashkimin Europian, është të mbështetet në opsionin dinjitoz të apelimit tek procesi ligjor që ekziston”, shtoi Kantrimen për këtë argument.
Në përgjigje të pyetjes tjetër në se, “Do të ketë ndikim tek aspirata e Shqipërisë për anëtarësim në BE kjo situatë e tensionuar?”, Kantrimen bën të ditur se për ruajtjen e një imazhi pozitiv të këtyre zgjedhjeve, është e nevojshme që palët dhe populli të insistojnë që kjo të zgjidhet sipas mekanizmave ligjore, me dinjitet dhe jo me dhunë.
“... Këto ishin zgjedhje shumë pozitive. Po, zgjedhjet në Tiranë ishin të ngushta dhe të debatueshme, por mbani parasysh sa qindra kryebashkiakë dhe mijëra kandidatë u zgjodhën anembanë vendit në mënyrë transparente, pa llojet e mosmarrëveshjeve që kemi parë në nivel vendor në zgjedhjet e mëparshme. Për të ruajtur atë imazh pozitiv të këtyre zgjedhjeve, është absolutisht e nevojshme që të dyja palët dhe populli i Shqipërisë të insistojnë që kjo të zgjidhet sipas mekanizmave ligjore, të zgjidhet me dinjitet, jo me dhunë. Kjo do të përcaktojë nëse ky do të jetë një episod pozitiv apo negativ për Shqipërinë në aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, përfundon Kantrimen.
Në vijim të publikimit të plotë të intervistës së Tom Kantirmen, një ditë më parë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, përshëndeti procesin zgjedhor në Shqipëri, ndërsa i konsideroi “Zgjedhjet e 8 majit - më të mirat në historinë e Shqipërisë”.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Euroazinë Tomas Kantrimen vlerësoi pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke thënë se kjo tregon interesin shqiptarëve për të ardhmen e vendit dhe të demokracisë.
Duke folur edhe për numërimin e votave të gjendura në kutitë e gabuara, Kantrimen, bëri të ditur se, nuk po them që vendimi është i paligjshëm dhe se, sipas tij çështja duhet zgjidhur përmes institucioneve kushtetuese, pra, së pari me apelime në KQZ dhe pastaj në Kolegjin Zgjedhor.
Ky proces duhet të vazhdojë punën në mënyrë të pavarur dhe të dy palët duhet të premtojnë se do ta respektojnë rezultatin, apeloi midis të tjerave Zëvendës Ndihmës Sekretari i Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike.
Ne presim tha Kantrimen, që palët të respektojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të tregojnë më shumë bashkëpunim në të gjitha nivelet e pushtetit.