“Në PS nuk shprehen më lirshëm opinionet, Rama ka kthyer Revolucionin Kulturor Kinez”

Deputeti i PS-së, Kastriot Islami
“Sot kërkohet një reflektim i thellë për të ndryshuar kursin e Partisë Socialiste dhe deformimin që ajo ka pësuar gjatë dy viteve”, deklaroi dje deputeti socialist, Kastriot Islami, i cili së bashku me deputetin tjetër Andis Harasani, thyen vendimin politik të grupit parlamentar, duke qenë prezent në seancën e Kuvendit, e para pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Islami, i njohur si një nga kritikët e fortë në PS ndaj linjës politike të ndjekur nga kryetari Edi Rama, tha se prezenca e tij në parlament, në mënyrë simbolike, synon të tregojë që ka edhe njerëz të tjerë që mendojnë ndryshe në PS. Ai i bëri të ditur se bashkë me kolegun Harasani, pa ndonjë arsye, nuk ftohen më në mbledhjet e grupit socialist.
“Ne nuk e dimë arsyen, sepse nuk na ftojnë më në grup. Por, siç më thanë, në atë mbledhje klima ka qenë relativisht e rënduar dhe ka pasur një konkurrencë të lartë kush të thotë propozime sa më radikale, për t’u larguar sa më shumë nga funksionimi normal i parlamentit, madje deri tek lënia e mandateve, që besoj se nuk është shumë serioz si propozim”, tha Islami.
Sipas deputetit socialist, ky qëndrim ndaj tij lidhet me një analizë të tijën botuar më parë në shtypin e shkruar, ku Islami parashikonte një rezultat për Tiranën dhe ku siç thotë ai, më tepër i tërhiqej vëmendja PS-së që të bënte kujdes, pasi përçarja nuk e lejonte të fitonte në zgjedhje, siç ishte deklaruar në mënyrë demagogjike.
“Në këtë situatë, një grup, që do i konsideroja të stilit të Revolucionit Kulturor Kinez, vjen poshtë shtëpisë sime, i bien ziles dhe më kërkojnë të zbres poshtë dhe t’i shpjegoj artikullin. Kjo është një ngjarje që tregon panik, një javë para zgjedhjeve, në lidershipin e PS-së dhe që tregon se sa larg është shkuar në krijimin e pengesave për të shprehur lirisht opinionet në parti”, tha Islami.
Sipas tij, kjo ndodh në një parti që ka qenë partia më e vjetër dhe më e rrënuar e sistemit komunist më të dështuar në Evropë, e cila, si rezultat e një grupi intelektualësh, qoftë dhe ata me prejardhje nga Partia e Punës, apo e atyre që nuk kishin lidhje me të, por ishin të formuar në perëndim, e transformuan këtë parti në 5 vite, duke e bërë jo vetëm anëtare të Internacionales Socialiste, por duke e sjellë në pushtet vetëm 5 vjet pas vitit ‘92 dhe duke arritur të marrë përsipër gjëra që nuk i kishte imagjinuar ish-Partia Komuniste, nga e cila kishte lindur.
PS, thotë Islami, “ka nevojë në këtë moment të reflektojë thellë dhe këto që them nuk janë për të mbështetur Sali Berishën. Unë nuk kam ardhur sot në parlament për Sali Berishën, por për t’i dhënë një mesazh të gjithë socialistëve për të reflektuar thellë, ashtu siç tha edhe zyrtari më i lartë amerikan që merret me Shqipërinë, se kërkohet një reflektim i thellë për të ndryshuar kursin e PS-së, për të ndryshuar formatin apo deformimin që ajo ka pësuar gjatë dy vjetëve, por jo vetëm kaq, por për ta kthyer këtë parti në një forcë alternative të shpresës dhe për të menduar një bashkim të së majtës.
Leksioni i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve është se e majta e përçarë nuk fiton zgjedhjet dhe kjo është vërtetuar në 2005-n, në 2009-n dhe me saktësi matematike, deri në presje dhjetore në 2011, ndërkohë që u vërtetua në 2007-n se si është pozitivisht një e majtë e bashkuar”, deklaroi ai.
Islami, duke përsëritur nevojën për reflektim, thekson se pavarësisht vendimit që do të ketë Kolegji Zgjedhor për Tiranën, ky rezultat nuk është i rëndësishëm, pasi diferenca e ngushtë e tij, bën që fitorja të jetë matematike dhe jo politike.