“Edi Rama ka frikë nga mediat të cilat pasqyrojnë Shqipërinë që po ndryshon”
Reagon Partia Demokratike pas akuzave të mbrapshta të eksponentëve të PS ndaj RTSH-së
“Edi Rama është diktator i fjalës së lirë, sepse me sms-të e tij ai shkarkon dhe emëron drejtorë lajmesh, dikton emrat e përfaqësuesve të Partisë Socialiste në emisione televizive, por edhe emrat e gazetarëve që do të bëjnë avokatin e tij në këto emisione. Ai ka arritur deri në pikën sa të kërcënoje hapur gazetarë dhe analistë të medias së lirë. Por kjo ka një shpjegim, Rama ka frikë. Ka frikë nga media e lirë, sepse trembet nga vërteta dhe realiteti të cilin mundohet ta censurojë. Rama ka frikë, sepse Shqipëria po Ndryshon!”
TIRANE - Partia Demokratike reagoi dje lidhur me akuzat e mbrapshta të kreut të PS-së Edi Rama ndaj Radio Televizionit Shqiptar, të cilën e cilësoi si “media më antidemokratike dhe e dëmshme për imazhin e vendit”. Zëdhënësi i selisë blu Gerti Bogdani, deklaroi se Rama po kthehet në një diktator të vërtetë për mediat dhe për fjalën e lirë, duke lëshuar akuza dhe kërcënime të njëpasnjëshme.
Sipas zëdhënësit Bogdani, Rama kërcënon mediat, me akuza shpifëse dhe trilluese, sepse ka frikë nga mediat e lira, të cilat pasqyrojnë realitetin se Shqipëria po ndryshon.
“Edi Rama, i cili përfaqëson një diktator të vërtetë ndaj fjalës së lirë, ndërmori një sulm të egër ndaj Radio Televizionit Shqiptar. Në sulmin e tij, Rama lexoi artikullin plot shpifje dhe trillime të njeriut të cilin ai e bleu për 500 000 Euro bashkë me gazetë; Erion Bazes që do të largohej nga bordi i Radio Televizionit vetëm për të mos deklaruar pasurinë e tij, nga origjina e së cilës ka frikë. Edi Rama është krye korruptues i mediave të lira, sepse në rast se televizioni publik u jep kohë të barabartë partive kryesore të mazhorancës dhe minorancës, mediat e kontrolluara nga Rama, censurojnë jo vetëm Partinë Demokratike, por edhe qeverinë dhe Parlamentin e vendit.
Edi Rama është diktator i fjalës së lirë, sepse në mediat e kontrolluara prej tij censura shtrihet edhe për partitë e spektrit opozitar të cilat nuk janë dakord me linjën e z. Rama”, tha Bogdani.
Sipas tij, kryesocialisti mbetet krye korruptues i mediave të lira, sepse ai me lejet e ndërtimit, punësimin e familjarëve të editorëve apo drejtorëve të ndryshëm të mediave, arrin deri aty sa me sms-të e tij të kontrollojë ose presë lajmet e televizioneve dhe titujt e gazetave, të përjashtojë nga emisionet televizive një numër përfaqësuesish të Partisë Socialiste, apo t’i bllokojë ato për mazhorancen dhe partitë e spektrit të majtë që nuk janë dakord me të.
“Edi Rama është diktator i fjalës së lirë, sepse me sms-të e tij ai shkarkon dhe emëron drejtorë lajmesh, dikton emrat e përfaqësuesve të Partise Socialiste në emisione televizive, por edhe emrat e gazetarëve që do të bëjnë avokatin e tij në këto emisione. Ai ka arritur deri në pikën sa të kërcënoje hapur gazetarë dhe analistë të medias së lirë. Por kjo ka një shpjegim, Rama ka frikë. Ka frikë nga media e lirë, sepse trembet nga vërteta dhe realiteti të cilin mundohet ta censurojë. Rama ka frikë, sepse Shqipëria po Ndryshon!”, u shpreh zëdhënësi i Partisë Demokratike Gerti Bogdani.
Ndërsa më herët, kishte reaguar Partia Socialiste, pas reagimit të Ramës një ditë më parë. Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Baraj tha se TVSH duhet të reflektojë seriozisht mbi të dhënat skandaloze të ndarjes së minutazhit të edicioneve informative.
“Duke qenë të bindur se jemi jo vetëm në të drejtën tonë, por në krye të detyrës tonë ndaj të drejtës së dhunuar të publikut për informim nga ana e Televizionit Publik Shqiptar, i bëjmë thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të TVSH-së, të reflektojë seriozisht mbi këndvështrimin dhe gjuhën e përdorur në ekranin publik gjatë edicioneve skandaloze informative që ngjajnë si pamje të ngjyrosura të revistave televizive sovjetike”, tha Baraj.
I menjëhershëm erdhi edhe reagimi i Partisë Demokratike, duke e cilësuar liderin socialist si korruptues të mediave.