Rruga “Dom Bosko” po përmbytet nga mosrealizimi i investimeve prej bashkisë së Edvinit
Kreu i njësisë minibashkiake nr. 9, Armond Halebi replikon pas akuzave të tellallit të kryetarit të bashkisë së Tiranës. Kryetari i Shoqatës së Minibashkive, ka deklaruar se përkundër pretendimeve të nënkryetarit të Bashkisë së madhe, investimi në këtë bllok ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2008, i cili nuk është realizuar nga edvinistët
TIRANE - Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 9 në Tiranë, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Minibashkive, Armond Halebi, ka hedhur dje poshtë akuzat e përsëritura të nënkryetarit të bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, këtë herë në zonën e Don Boskos lidhur me projektet sipas këtij të fundit të bllokuara si pasojë e rrëzimit të projektbuxhetit të vitit 2009 në Këshillin Bashkiak .
“Jemi këtu me banoret e bllokut 51 në rrugën Don Bosko të cilët janë mbledhur të shqetësuar nga deklarata e djeshme e nënkryetarit të bashkisë, i cili tërthorazi kërcënoi me cinizëm ndërprerjen e punimeve të cilat kanë filluar 2 javë më parë. E vërteta është se investimi në këtë bllok ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2008, i cili nuk është realizuar dhe nuk ka lidhje me miratimin ose jo të buxhetit 2009. Për këtë arsye nënkryetari i bashkisë nuk mund të mashtrojë opinionin publik dhe komunitetin e këtij blloku se vazhdimi i punimeve kushtëzohet nga miratimi i buxhetit 2009”, deklaroi dje Halebi.
Duke pasur eksperiencën e vitit 2008 të një buxheti të parealizuar, kreu i shoqatës së Minibashkive, tha se përfaqësuesit e saj kanë kërkuar nga kryebashkiaku Edi Rama
që këtë vit buxheti të jetë i detajuar dhe me afate të përcaktuara, në mënyrë që taksat e banoreve të kryeqytetit të cilat janë mbledhur në përqindje të lartë t’i kthehen atyre në investime.
“Ne do të insistojmë gjithashtu në realizimin me cilësi të objekteve, për të mos pasur më shembuj si ai i bulevardit, ‘Zogu I’ ku gjatë verës qytetarët i mbyt pluhuri dhe në shi kërcejnë pllakat, duke krijuar probleme për banoret dhe automjetet që kalojnë në të. LSI dhe këshilltarët e saj janë të vendosur për të mbrojtur dhe kontrolluar çdo qindarkë të taksapaguesve të Tiranës si të vetmen mënyrë për të justifikuar besimin e qytetarëve për votën e dhënë. Teatri mediatik i nëpunësve të bashkisë nuk mund të na ndalë në përpjekjet tona për t’i dhënë qytetit cilësinë e jetës që i takon”, deklaroi Halebi.
Dy ditë më parë nënkryetari i bashkisë Shalsi deklaroi për mediat se mosshtrirja e kanalizimeve në zonën e “Don Boskos” vjen si pasojë e mosmiratimit të buxhetit për këtë vit.