E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës, njerëzore - Ajo është simboli që i bashkon dhe jo që i ndan, Indinë me Shqipërinë

Kryeministri Berisha viziton misionin e motrave të Urdhrit të Nënë Terezës në Tiranë, në Ditën e Lumturimit të saj

Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha deklaroi gjatë takimit me Misionaret e Urdhrit të Nënë Terezës, se kërkesa e tij për kthimin e eshtrave të shenjtores shqiptare, është njerëzore, por kjo çështje nuk mund të kthehet në subjekt kundërshtish me Indinë. Berisha vlerësoi se Nënë Tereza u bë shenjtore në Kalkuta dhe i përket këtij rajoni, por bazuar mbi ndjenjat emocionale njerëzore, ajo duhet të prehet pranë të afërmve të saj në Tiranë.  

Në ditën që shënoi Lumturimin e Nënë Terezës, kryeministri Sali Berisha zgjodhi të takojë Misionaret e Urdhrit të saj, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit, por edhe të vazhdimit të përpjekjeve
dhe të përkushtimit njerëzor të Urdhrit të saj në ndihmë të njerëzve në nevojë.
Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha takoi banoret e përhershme të kësaj shtëpie, ku u njoh me faktin se krahas tyre, falë ndihmave të shoqatave të ndryshme jo qeveritare, ndihmohen të paktën 100 familje të tjera në nevojë.
“Sot, është një ditë e shënuar për mbarë njerëzimin, dita e Lumturimit të Nënë Terezë, dita në të cilën nisi shenjtërimi i saj, e cila jetoi si një shenjtore e gjallë, Ditë krenarie e njeriut, e shqiptarëve, por e mbarë qytetarëve të botës. Unë erdha të shpreh nderimin tim më të thellë, respektin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj kësaj shqiptareje që lartësoi më shumë se kushdo tjetër e emrin e njeriut, të shqiptarit, të qytetarit të mbarë botës, nobelistes Gonxhe Bojaxhi. Erdha të shpreh nderim të madh për motrat e Urdhrit të saj, që në vazhdim të misionit të Nënë Terezës u ofrojnë këtyre qytetarëve në nevojë shërbimet më të njerëzishme me përkushtimin dhe dashurinë më të madhe”, u shpreh kryeministri.
Në Tiranë ndodhet një nga strehëzat, ku motrat e Urdhrit të Nënës së madhe me origjinë shqiptare i shërbejnë të paktën 50 personave me nevoja specifike dhe pa të ardhura ekonomike
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, garantoi se qeveria që drejton, mbetet e angazhuar të ndihmojë në këtë drejtim duke u ofruar më shumë garanci për një jetë më të mirë këtyre njerëzve.
“Erdha t’i siguroj motrat e Urdhrit të Nënë Terezës se qeveria do të bashkëpunojë me to, në lehtësimin e dhimbjes dhe vuajtjeve të qytetarëve shqiptarë. Në bisedë, motra më informoi se janë 100 familje shqiptare, të cilat marrin ushqimin nga Urdhri i Nënë Terezës dhe ne jemi të interesuar në identifikimin e tyre, se, faktikisht, këto bëjnë atë punë që, për fat të keq, strukturat shtetërore nuk e kanë aq të plotë, por që duhet të frymëzohen nga përkushtimi dhe puna e tyre”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit shqiptar, sqaroi në imtësi edhe arsyet ku bazoi pak ditë më parë kërkesën për të kthyer në Shqipëri eshtrat e Nënë Terezës.
Berisha tha se arsyet janë njerëzore dhe nuk do të mund të ktheheshin kurrsesi në subjekt të kundërshtive me Indinë.
“Gonxhe Bojaxhi u bë Nënë Tereza në Kalkuta të Indisë dhe ajo meriton më shumë se çdo gjë tjetër të quhet Nënë Tereza e Kalkutës. Nga ky qytet dhe nga ky vend i madh ajo u shndërrua në një shenjtore të gjallë të mbarë njerëzimit dhe nuk ka diskutim që i përket Indisë, i përket Kalkutës, që e bën atë Nënë të njerëzimit. Kërkesa ime është thjesht njerëzore, sepse kam bindjen se, në fund të fundit, çdo njeri, çdo vajzë do të dëshironte, po ta kishte të mundur të prehej pranë eshtrave të nënës dhe motrës së saj. Nuk mund të them se do të ketë një vendim pozitiv nga autoritetet indiane, sepse ky është një vendim i vështirë, por ajo që mund të them është se kjo është një temë dialogu dhe dua të theksoj se një simbol kaq i madh dhe i çmuar që bashkon dy kombet tona nuk mund të jetë gjë tjetër veçse i tillë, nuk mund të shndërrohet në një kundërshti midis dy kombeve dhe dy vendeve tona”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
Vizitën e tij në strehëzën e Urdhrit Nënë Tereza, kryeministri Berisha e shoqëroi me ofrimin për banorët e saj të një sasie të konsiderueshme ndihmash në ushqime.
Gjithashtu, ndihma ofroi dhe Fondacioni i Fëmijëve Shqiptare me presidente zonjën Liri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›