“Edi Rama kërkon të zhurmojë dy lejet e ndërtimit, të dhëna në konflikt interesi”
Deklarata/Argita Malltezi u përgjigjet sërish akuzave të Partisë Socialiste
Argita Malltezi u përgjigjet sërish akuzave të Partisë Socialiste, duke i cilësuar këto si sulme të qëllimshme të Edi Ramës, për të shpërqendruar vëmendjen nga lejet e ndërtimit të dhëna në konflikt interesi. Znj.Malltezi akuzon Ramën se fsheh pasurinë e tij dhe të bashkëshortes, s’bën transparente burimin e huas së 100 milionë lekëve, sikundër fsheh dhe s’bën publike burimin e parave të pallatit te rruga “Qamil Guranjaku”, ndërsa servir dhe mashtrimin e madh se, vila në periferi të Tiranës po ndërtohet me paratë ardhura nga shitja e librit! “Z. Rama ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve si alternativë të vetme të politikës së tij shpifjen dhe sulmet e paprincipta spekulative. Z.Rama beson se mund te fshihet duke përgojuar të ardhurat tona të krijuara nga burime transparente, të ligjshme, të deklaruara në tatime dhe ILDKP dhe të verifikuara prej tyre. Ndërkohë që burimi i parave të huas 100 milionëshe të gruas së tij mbeti jetim, sikundër dhe burimi i parave të pallatit gjoja të ngritur nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta, ndërsa pretendon se vila e Dajtit po ndërtohet me paratë e kurbanit”, thuhet në deklaratën e vajzës së kryeministrit. Argita Malltezi i kujton gjithashtu Edi Ramës se, në një kohë që ajo ka bërë publike dhe transparente çdo deklarim të saj, ai (kreu i PS) ka abuzuar për vite me radhë me pushtetin, ka lëshuar leje ndërtimi në konflikt interesi si dhe ka shantazhuar ndërtuesit për leje ndërtimi në këmbim të miliona euro. “Z. Rama, ti i je kthyer dëshpërimisht retorikës së Zanfarit, të cilit çdo tarifë i është ofruar në përputhje me ligjet e vendit dhe që prapë, në kundërshtim me detyrimet, nuk ka paguar asnjë qindarkë për shërbimet e ligjshme që ka përfituar; kjo sepse ti në panik kërkon të zhurmosh dy lejet e ndërtimit të dhëna në konflikt të hapur interesi për familjen e bashkëshortes tënde, Lindita Basha, akte këto të lëshuara dhe në shkelje të ligjit për urbanistikën, pasi ndërtimi prej afro 900m2 është ngritur në sheshin midis pallateve. Kjo është mënyra jote e abuzimit me pushtetin z. Rama. Ndërtues të tjerë, të mirënjohur në Tiranë të kanë akuzuar botërisht se për të lëshuar leje ndërtimi u ke kërkuar miliona euro. Z.Rama, unë kam qenë dhe jam krenare që çdo hap të aktivitetit tim profesional e kam kryer në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet në fuqi dhe kam ndjekur rrugën e punës së ndershme profesionale për të krijuar të ardhurat e mia, siç demonstrojnë dhe shembujt që ti i keq lexon publikisht”, vijon reagimi i Argita Malltezit. Partia Socialiste vazhdon ritualin e akuzave të stisura ndaj familjarëve të kryeministrit, pa u kujtuar se vetëm 3 ditë më parë, në një emision televiziv, bashkëshortja e kryesocialistit i vuri vulën abuzimeve të Ramës në bashki si dhe fshehu me dinakëri mjaft të dhëna rreth pasurisë së tyre. Por kurrsesi nuk tha se janë të varfër, pasi vila luksoze që po ndërtohet në periferi të Tiranës, nuk është dëshmi e “varfërisë” por e dy njerëzve të kamur që janë tallur dhe vazhdojnë të tallen taksapaguesit shqiptarë. Ky profil i ulët domosdo që krijon pabesueshmëri dhe e rendit atë (Edi Ramën), në listën e politikanëve që e kanë shndërruar jetën në mashtrime, gënjeshtra dhe sjellje të tjera të padenja - në përpjekje për të mbuluar shkeljet ligjore dhe vendimmarrjen klienteliste gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i bashkisë së Tiranës.