Fokus/ Të pathënat e Linda Ramës, nga shall-pionere në grua në karrierë
E kaluara e një personi publik përbën interesin në momentin kur ky njeri ka ndikim në jetën shoqërore të një vendi. Padyshim, Linda Basha, bashkëshortja e pretendentit për kryeministër Edi Rama përbën interes publik sepse ajo ka ndikim në vendimmarrjen e sotme të opozitës dhe mund të ketë ndikim edhe më të madh në qoftë se kreu i opozitën vjen në pushtet. Mirëpo për të ditur jetëshkrimin e Linda Bashës është një peripeci. Të gjitha informacionet për Linda Bashën janë zhdukur papritur nga një ndërmarrje “lustracioni”, e cila si duket është investuar të kujdeset për figurën e bashkëshortes së Edi Ramës. Është bërë shumë e vështirë puna e gazetarit të sotëm të gjejë informacione të posaçme, d.m.th përtej atyre të dhënave të qepura bukur nga zyrat e shtypit socialist e që u jepen mediave homologe, për Linda Bashën. Në këto medie mike të së majtës, jetëshkrimi i Lindita Bashës nis me shkollën e lartë. Kurse për shkollën e Mesme a 8-vjeçare asgjë, edhe pse ka shumë gjëra që duhen thënë. Për të kaluarën e saj në Shkollën e Mesme Teknologjike duhet shumë fonde financiare dhe 4 muaj kohë për të hapur arkat metalike të Arkivit të Shtetit, sepse janë indice paraprake e konfidenciale se zonja Linda ka qenë ish-sekretare Rinie, çka është një arsye më shumë për kuptuar se përse një vajze “të varfër tiranase” iu dha më pas mundësia për të bërë masterin në Çeki. Vetëm AQSH ka dokumente për njerëzit që dërgoheshin jashtë për t’u shkolluar. Megjithatë për të verifikuar këto indice duhet hapur fondi i strukturave të Partisë Komuniste, në Arkivin Qendror për të parë listën e sekretareve të rinisë së shkollave në Tiranë. Jo se Linda Basha ka ndonjë gjë për t’u frikësuar, veçse është pak e pakuptueshme se përse s’thuhet asgjë për të kaluarën e saj.
Kaq për të kaluarën para 1990.
Në regjimin demokratik për zonjën Rama kemi disa fije drite. Ka punuar në Administratën publike duke bërë karrierë deri në krye të Agjencisë së Privatizimeve. Dhe një “bilbil” thotë se ka qenë këshilltare e një ish-ministri socialist, që më përpara paskësh qenë kryeministër. Më 1999, Linda Xhillari del nga sistemi shtetëror dhe lidhet në punë me Y. Çabirin duke ndërtuar një OJQ, “Qendrën e Zhvillimit Njerëzor”. Të dy tok punojnë shumë gjatë qeverisjes socialiste duke pasur shumë projekte e disa kontrata. Mirëpo si pa kuptuar kontratat e mëparshme ku gjendesh firma e Zonjës Rama-Basha (Ex-Xhillari) (e që nuk janë pak) janë përpirë nga dheu. Deri pak kohë më parë Znj. Linda Basha (ish-Xhilllari) ishte thuajse bashkëpronare e OJQ-së “Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor”, në të cilën regjistron disa projekte të rëndësishme fitimprurëse që prej vitit 2002 me disa bashki socialiste si Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Gjirokastra. Kjo hedh poshtë faktin se nuk ka bashkëpunuar në projekte me Bashkinë Tiranë, kur në krye ka qenë Edi Rama. Këto projekte të përbashkëta (ndonjëherë edhe me Organizata ndërkombëtare) kanë fonde të majme, miliona dollarë. Partneri në punë i Znj. Xhillari në të kaluarën paraqitet si shqiptaro-amerikani Y. Çabiri me të cilin Linda ka ndarë djersën në raportet e shumta për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Produkti i kësaj OJQ-je është i pamatshëm për vetë faktin se Qendra e Zhvillimit Njerëzor ka zhvilluar deri më sot vetëm fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Mirëpo janë këto fjalë dikë paskan shqetësuar, pasi është dhënë urdhër të shkatërrohen të gjitha “provat” e kontratave apo lidhjeve disavjeçare të Qendrës me bashkitë socialiste. Edhe gjurmët e pakta on-line janë sekuestruar nga magjistarë të internetit, të cilët janë të aftë të kriptojnë informacionet, që ishin publike e që sot është e pamundur të mësohen. Në këtë operacion lustracioni kanë rënë pre shumë ditarë on-line, forume e faqe lajmesh të ndryshme.
Me siguri Edi Rama apo Linda Basha- Xhillari kanë pasur frikë nga këto materiale apo lidhje emrash, kontratash a bashkëpunimesh, ndoshta ngaqë pjesë të tyre mund të ishin tejet kompromentuese. Fshirja e gjurmëve më të mëdha është bërë para se lajmi i Dasmës të përcillej në një media “mike”. Më pas kanë kuptuar se ka edhe më, informacione që mund të cifloste portretin e zellshëm të bashkëshortes së Ramës. Ndaj kanë vendosur të punësojnë specialistë informatikë të zhdukin gjurmë kudo që gjendeshin në sajte. Dhe këtë e kanë bërë me një përpikëri, saqë të lind dyshimi nëse këta specialistë ishin shqiptarë apo ballkanas. Sido që të jetë kombësia e këtyre specialistëve, ajo që na intereson është se kush i ka punësuar dhe sa janë paguar për të bërë “lustracija” të figurës së Lindita Basha (ish-Xhillari). Kujt i intereson të fshehë gjurmët e së kaluarës së kësaj zonje të nderuar? Supozimet për ata që kanë paguar për këtë “punë specialistësh” janë të tepërta pasi teorema do të ishte shumë e gjallë, dhe me fije të ndërlikuara. Fakti mbetet se ka një përpjekje për të fshehur të kaluarën e të cilën Linda Xhillari arriti deri në bashkimin në kurorë me Edvin Ramën, por para së gjithash, mban krejt të fshehtë burimet financiare si dhe lidhjet e kësaj prike me financat e bashkisë së Tiranës, si dhe të bashkive të tjera të mëdha të PS-së, Durrësit, Elbasanit e Gjirokastrës.