“Edi Rama kishte mbështetjen e Presidentit dhe të Kryeprokurores”

Mesila Doda, deputete e PD-së
Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda akuzoi dje kreun e opozitës Edi Rama, se ka bërë thirrje protestuesve një ditë më parë, duke përgatitur sipas saj skenarin e dhunës, ndërkohë cilësoi Prokurorinë si palë.
Doda e cilësoi dhunën e 21 janarit si skenar të organizuar nga Edi Rama me mbështetjen e Presidentit dhe Prokurores së Republikës.
Sipas saj, 21 janari shënon kufirin ndarës mes atyre që e duan dhe nuk e duan shtetin apo dhe rendin demokratik.
“Më datën 20 janar kryetari juaj foli për histori me të vdekur, i cili ftoi mijëra zemra opozitare dhe i braktisi. Edi Rama do kujtohet si përgjegjës. Organi i akuzës bën sikur nuk e ka parë dhe dëgjuar dhe se ato nuk janë thirrje publike. 21 janari shënon padrejtësinë e drejtësisë. 21 janari është vija ndarëse mes atyre që e duan dhe nuk e duan shtetin. Ne kemi mision që t’i dalim ballazi mercenarëve që godasin shtetin. Kundër krimit që i lë njerëzit në terrorin e dhunës. Kundër atyre që tentojnë të cenojnë bazat themelore të shtetit ligjor, në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë. Ne vumë një standard i dolëm para mercenarëve. Ne do kërkojmë zbardhjen e plotë, kush e organizoi dhe pse e bindi Presidentin të bënte sikur nuk kuptonte, kë kërcënuat dhe inkriminuat”, u shpreh deputetja e PD, Mesila Doda.