E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, kollovari i PS-së

Anëtarësia e PS-së së Korçës e ka kryqëzuar kryetarin mandatprerë e në menopauzë politike, duke i kërkuar të marrë përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve. “Edi Rama ti je kollovar në PS, asnjëherë nuk të kemi parë në zyrë, veçse te bahçja me lule”, ka qenë refreni i socialistëve korçarë, të cilin s’e ka ndalur as censura e ndalimi mediatik që urdhëroi Edvini

Anëtarësi e PS-së së Korçës kryqëzon Edi Ramën, ndërsa ky, nga ana e tij, për shmangien e mediatizimit të debatit në sallën e takimit, ka urdhëruar nxjerrjen forcërisht të mediave jashtë. Kryetari në detyrë Edi Rama është kontestuar nga anëtarët e PS-së në Korçë, të cilët gjatë fjalimit të tij kanë hedhur parulla në sallë. Anëtarët e PS-së e kanë cilësuar Edi Ramën si përgjegjës kryesor për humbjen e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit duke kërkuar gjithashtu edhe kthimin e PS-së në Kuvend. 

Pakënaqësia e anëtarësisë së PS-së, ndaj sjelljeve arrogante të Edi Ramës, i cili nuk pranon të marrë përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve nga ana e kësaj partie, ka arritur kulmin dje, kur anëtarë të PS-së, pjesëmarrës në takimin për shpalosjen e platformave nga Edi Rama dhe Maqo Lakrori, e kanë etiketuar as më shumë e as më pak, kryetarin në detyrë, si një “kollovar në PS”, ndërsa i kanë kërkuar të marr përgjegjësinë e humbjeve dhe të mos i shmanget përgjegjësitë, me kërcënimet për përjashtim të deputetëve që janë kundër tij.

Fillimisht, të pranishmit në sallë, ka dëgjuar fjalimin retorikë të Edi Ramës. 

Gjatë fjalimit, Edi Rama, përsëriti qëndrimin e tij sipas të cilit, “nuk mund të bëhemi pjesë e këtij Parlamenti pa u plotësuar kërkesat tona”. 

Duke kërkuar hapjen e kutive të votimit, Edi Rama, ka shtuar dje, në listën e fajtorëve të humbjes së zgjedhjeve nga ana e tij, edhe gjykatat.

“Opozita nuk po arrin ta gjejë të drejtën e saj në gjykatë, sepse këtu ka rënë drejtësia që jep drejtësi”, tha Rama, këtë herë për “armikun” e ri të humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Në përfundim të refrenit të zakonshëm, anëtarë të PS-së, nga salla, kanë filluar ti kërkojnë llogari Edi Ramës, për humbjen e zgjedhjeve.

“Për humbjen e zgjedhjeve e ke ti dhe vetëm ti fajin. Pranoje!”, i janë drejtuar dje Edi Ramës, zëra nga salla.

Më tej, në tentativën e Edi Ramës për t’u rikthyer justifikimit për humbjen e zgjedhjeve, anëtarësia e PS-së së Korçës, e bindur në shkakun e humbjes, i cili është kryetari i PS-së, i kanë kërkuar atij, që jo vetëm të mos i shmanget përgjegjësisë, por edhe të mos hakmerret ndaj deputetëve që mendojnë ndryshe.

“Mos kërcëno deputetët që janë kundër teje, me përjashtime nga partia”, kanë vijuar 

zërat kundërshtues, që vinin duke u shtuar në sallën e Kinoteatrit “Andon Zako Çajupi”, të Korçës.

Kulmi i kundërshtive të anëtarësisë së PS-së së Korçës, arriti kur Edi Ramën e krahasuan me një “kollovar në PS”.

Ndërsa Rama ka tentuar të kërkojë shpjegime për këtë etiketim, sërish nga salla, i kanë kujtuar se, “ti nuk ke lidhje me PS-në. Kjo bie në sy shumë lehtë, sepse asnjëherë nuk të kemi parë në zyrë, por vetëm te bahçja me lule, prapa godinës së partisë”, ka rritur kulmi i reagimit të anëtarësisë së PS-së, kundër Edi ramës.

Ky kulm ka shërbyer edhe si shkak që ka nxitur Edi Ramën, që nëpërmjet policëve bashkiakë të sjellë në sallë nga kryebashkiaku Niko Peleshi, të nxjerrë forcërisht, gazetarët dhe kamerat e televizioneve ,q ë ndiqnin nga afër, debatin e anëtarësisë së PS-së me Edi Ramën.

Vazhdimi i takimit, pa praninë e mediave, mësohet se nuk ka qenë i qetë, por se ka vijuar me tone llogarikërkuese të anëtarësisë së PS-së, nga njëra anë dhe nga ana tjetër me sjelljen arrogante dhe kërcënuese të kryetarit në detyrë, Edi Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›