E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, në fillim të nëntorit do të njihet raporti i auditimit të fondeve të fushatës

Në ditët e para të nëntorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të njihet me raportin e auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas vendimit të miratuar një javë më parë nga KQZ, procesi i auditimit do të kryhet nga 27 ekspertë kontabël të licencuar, që u përzgjodhën nga KQZ, pas hedhjes së shortit. 

Vendimi i Komisionit Zgjedhor përcaktoi datën 2 nëntor si afatin për zbardhjen e financimeve që subjektet zgjedhore kanë përdorur në fushatën elektorale. Kodi Zgjedhor parashikon afate të qarta lidhur me kohën e fillimit të auditimit të fondeve të përdorura nga ekspertët kontabël, si dhe kohën e publikimit të raporteve të auditimit nga këta ekspertë. 

Sipas nenit 91 të ligjit zgjedhor, jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit për çdo subjekt, KQZ emëron ekspertë kontabël të licencuar dhe të përzgjedhur sipas disa kritereve ligjore, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara në fushatë. 

Pas auditimit, grupi i ekspertëve i paraqet KQZ-së një raport dhe më pas komisioni zgjedhor mund të bëjë verifikimin e të dhënave të raportit, që mund të përfshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve që lidhen me këtë çështje pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.

Për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit qeveria vuri në dispozicion të subjekteve zgjedhore një fond prej 65 milion lekësh. Sipas kodit zgjedhor, 50 % e kësaj shume (32.5 milion lekë) u përfitua nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa gjysma tjetër e këtij fondi iu nda partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin morën jo më pak se 2 vende në Kuvend. Në zgjedhjet e fundit konkurruan 34 parti politike, të grupuara në katër koalicione, dy të spektrit të djathtë dhe dy majtë, si dhe një subjekt i pavarur.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›